Ngrihet alarmi/ Profesori flet për pasojat e marrëveshjes për avionët francezë - ky është plani që po kurdis Serbia!

Politika

Ngrihet alarmi/ Profesori flet për pasojat e marrëveshjes për avionët francezë - ky është plani që po kurdis Serbia!

Nga: M.Haziri Më: 10 prill 2024 Në ora: 10:25
Foto ilustrim

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të martën se Serbia është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje për blerjen e 12 avionëve luftarakë francezë Rafale, në atë që do të shënonte një ndryshim orientimi për furnizimet ushtarake, që deri tani vareshin nga Rusia

Presidenti serb e bëri këtë paralajmërim në kuadër të vizitës së tij dy ditore në Paris, gjatë së cilës bisedoi me presidentin francez Emmanuel Macron si dhe me zyrtarë francezë të mbrojtjes, përfshirë prodhuesin e avionëve Rafale, Dassault Aviation.

E në lidhje me këtë situatë siç shkruan agjencia e lajmeve “Associated Press”, Blerja e mundshme e avionëve Rafale do t’i lejonte Serbisë të modernizonte forcën e saj ajrore të përbërë kryesisht nga avionë luftarakë MiG-29 të prodhimit sovjetik, si dhe avionë luftarakë jugosllavë të vjetër.

Për këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.

Ai thotë se Vuçiq vizitoi Francën për të bindur Macronin ta bllokoj shtetësinë e Kosovës mirëpo që si përgjigje mori vetëm avionët.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, furnizimi i Serbisë me këta avionë e kthen këtë vend në një superfuqi ushtarake.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ishte për vizitë dy ditore në Francë, takoi presidentin Macron dhe porositi veç tjerash edhe blerjen e avionëve Rafale. Kreu i shtetit serb shkoi në Shën Elize me shpresë të madhe se do ta bindte presidentin francez për të bllokuar shtetësinë e Kosovës dhe marrë në mbrojtje Serbinë. Por fitoi pak, shumë pak. Edhe avionët po i blinte me shpresë se Macron do t’i thoshte: “Vëllai im, Aleks, çfarë do nga unë tani e do të ta jap në pjatë”! Por harroi ai se projekti i Kosovës shtet nuk është vetëm projekt i Parisit, por edhe i Uashingtonit, Londrës, Berlinit, Londrës dhe do të thoja madje edhe e Madridit, sepse Spanja ishte protagoniste në bombardimet e NATO-s kundër Serbisë.

Por le të ndalemi të blerja e avionëve Fafale. Franca është vendi që po konfrontohet në shumë se çdo vend tjetër me Rusinë e Vladimir Putin, për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës. Është interesant kjo çvendosje e Parisit në konfrontimin e tij me Moskën, sepse ne kemi parë p.sh se ishin francezët që legalizuan më 2008-ën dhe 2014-ën që legalizuan me vizitat e tyre pushtimin rus të Abkazisë, Osetisë së Jugut dhe Krimesë. Edhe pse presidenti Macron kërcënon Kremlinin se do të dërgojë trupat e vendit të tij në mbrojtje të Ukrainës, ai ka vendosur t’i shesë aleatit të Putinit avionë Rafale. Furnizimi i Serbisë me këta avionë e kthen këtë vend në një superfuqi ushtarake”, u shpreh ai.

Rreziku për Ballkanin nga avionët

Në bised e sipër profesori shton që Serbia në vazhdimsi po furnizohet me armatime dhe se armatimi nga Franca vetëm e nxit më shumë drejt aventurave për luftë në rajon.

“Por ne e dimë se bombardimet e vitit 1999 kundër Serbisë kishin për qëllim ndër të tjera shkatërrimin e potencialit ushtarak të Serbisë, që ajo të mos kishte më mundësi të destabilizonte rajonin. Këta avionë rritin mundësinë që Serbia të shkaktojë destabilitet kundër Kosovës, kundër Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi e ndoshta edhe kundër Maqedonisë së Veriut. Në këto kushte armatimi i Serbisë nga ana e Francës vetëm se nxit Beogradin në aventurat e tij kundër paqes rajonale. Ndërkohë, dihet se Serbia dhe presidenti i saj Vuçiq janë furnizuar dhe vazhdojnë të furnizohen me armatime, përfshirë avionë, nga Rusia dhe Kina. Franca bëhet shteti i tretë që i bashkohet përpjekjeve serbo-ruse për destabilizimin e sërishëm të Ballkanit. Unë kështu e shoh këtë veprim.

Ka nga ata që besojnë se kjo marrëveshje është bërë me besimin e presidentit Macron se Serbia do të jetë paqebërëse. Jo më kot ai e përmendi disa herë gjatë konferencës për shtyp se vendi i Serbisë është në Bashkimin Europian. Madje tha se “koha është tani”! Ndoshta Aleksandër Vuçiq e ka garantuar për këtë gjatë bisedimeve në Shën Elize. Ndoshta presidenti francez ka të dhëna dhe informacione se nuk do të ndodhë që Serbia të ruajë aleancën e saj me Rusinë. Por unë vazhdoj të jem kritik ndaj kësaj besueshmërie iluzive. Është vërtet iluzion të besosh se Serbia shkëputet nga Rusia dhe i bashkohet BE-së sa kohë që aty ligjet i bëjnë njerëzit e Putin dhe të Lavrov. Madje besoj se edhe vetë Vuçiq është njeriu i presidentit rus.

Se kjo situatë është e tillë, pra se Serbia nuk është e gatshme të shkëputet nga ndikimi rus, e dëshmon edhe bojkoti që Lista Srbska shpalli për zgjedhjet e 21 prillit në katër komunat e veriut. Kishte një premtim të Vuçiq se ai do t’u kërkonte serbëve të këtyre komunave të marrin pjesë në votimet e parashikuara. Por ndodhi e kundërta. Macron i beson presidentit të Serbisë, edhe pse ky i fundit u ka dërguar letër të gjithë kryetarëve të shtetit dhe kryeministrave të vende të BE, me të cilën thotë se nuk pajtohet me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit”, shpjegon profesori.

Partnerët ndërkombëtarë të Francës duhet të shqetësohen për këtë marrëveshje

Sipas Bytyçit, Macron beson që Serbia do të heqë dorë nga ‘Bota serbe’ mirëpo e njejta vështirë të ndodhë, sidomos tani që iu shtua edhe më shumë armatimi.

Ai nënvizon që partnerët ndërkombëtar duhet të shqetësohen për këtë marrëveshje.

“Të gjitha veprimet destruktive të Beogradit në rajon dëshmojnë se Aleksandër Vuçiq nuk mund të jetë i besueshëm. Madje ai është problemi i Ballkanit. Megjithatë pikërisht këtij lideri destruktiv i shiten avionë luftarakë. Kjo është së paku jo logjike.

Kam ndjesinë se Macron ia ka premtuar kreut të shtetit serb shitjen e këtyre avionëve me shpresën se me datën 5 e 6 maj nuk do të ndodhë shpallja e projektit të “Botës serbe”, si prelud i përdorimit të këtyre avionëve dhe ushtrisë serbe kundër sovranitetit të vendeve fqinjë të Serbisë. Por as kjo nuk do të ndodhë. Vuçiq, Dodik e të tjerë liderë pro-rusë në Serbi, Republikësn Srpska e Mal të Zi, nuk do të heqin dorë nga projekti i “Botës serbe”!

Unë besoj se partnerët ndërkombëtarë të Francës duhet të shqetësohen për këtë marrëveshje. Nuk është koha që Beogradi të shpërblehet me armatim modern, sa kohë që Serbia nuk i ka lëshuar armët e tij të vjetra kundër paqes e sigurisë në rajon. Vuçiq organizoi e urdhëroi aktin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë. Macron u shpreh se autorët e këtij akti duhen dënuar. Megjithatë nuk dëshiron ta pranojë se ai po fliste me autorin kryesor të atij akti terrorist, presidentin e Serbisë. Përkundrazi atij po i jep acionë luftarakë, që terrorin ta kryejë Serbia në Kosovë edhe nga ajri. Eshtë koha kur Beogradit i duhet bërë presion”, përfundoi profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat