‘Forcoi’ FSK-në me automjete të reja ushtarake, eksperti e zbulon: Ky është mesazhi i qartë i Gjermanisë ndaj Kosovës!

Politika

‘Forcoi’ FSK-në me automjete të reja ushtarake, eksperti e zbulon: Ky është mesazhi i qartë i Gjermanisë ndaj Kosovës!

Nga: A.Zh Më: 12 prill 2024 Në ora: 12:00
Gjermania e ‘forcon’ FSK-në me automjete të reja

Kosova ka pranuar dje në një ceremoni në Prishtinë pesë kamionë ushtarakë në vlerë rreth tre milionë euro, si mbështetje nga Gjermania.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka vlerësuar se kjo ndihmë do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Donacioni prej 2.7 milionë eurosh që pranuam, janë në vazhdën e donacioneve prej 3.5 milionë eurove që pranuam vitin e kaluar nga Republika Federale e Gjermanisë. Mbështetja me automjete ushtarake për forcën është vetëm njëra nga fushat ku Gjermania kontribuon ndjeshëm për sigurinë e vendit tonë”, ka thënë Maqedonci.

Përveç pesë kamionëve donacion, Kosova do t’i blejë edhe 10 kamionë të tillë ushtarakë gjermanë me mjete nga buxheti i vet, sipas ambasadorit të Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde.

“Dua ta theksoj se marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Kosovës janë të shkëlqyer. Bashkëpunimi me FSK-në po bëhet çdo herë e më i ngushtë, posaçërisht në fushën e sigurisë”, ka thënë Rohde.

Duke komentuar këtë lëvizje të Gjermanisë, njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala, ka thënë se ajo ka një domethënie të madhe për Kosovën.

Sipas tij, furnizimi me automjete ushtarake, tregon që ushtria e Kosovës konsiderohet partnere serioze.

“Avancimi i strukturës së FSK-së përmes partneritetit me shtetet mike të Kosovës, është një domethënie e madhe, e cila padyshim përçon mesazhin e qartë që ushtria e Kosovës konsiderohet partnere serioze në ngritjen e sigurisë dhe impaktit të saj si strukturë e uniformuar, e cila ndjek interesat e NATO-s për një siguri rajonale kolektive të lartë”, është shprehur Shala për gazetën “Bota sot”.

Ai ka theksuar se armatosja e FSK-së është pjesë edhe e planit për transformimin e ushtrisë së Kosovës.

“Armatosja, përpos që është një ndihmesë që bëhet nga ana e partnerëre strategjikë, në anën tjetër është e paraparë edhe sipas planit gjithëpërshirës të transformimit dhjetë vjeçar që të arrihen të gjitha kapacitetet dhe të jetë force kompatibilile, sipas standardeve të NATO-s”, ka thënë eksperti.

Shala nuk ka përjashtuar mundësinë që të ketë indikacione për tensione të reja nga Serbia ndaj Kosovës.

“Indikacione rajonale nga një shtet që ka ambicie territoriale, padyshim do të jenë gjithmonë pengesë kryesore të sigurisë, në këtë mes duke parë luftën speciale hibride që zhvillohet nga ana e Serbisë dhe Rusisë në rajon”, ka shtuar Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat