“Premtimi” i Gjermanisë për Asociacionin, zbërthehet mesazhi i Sarrazin – ja si duhet të veprojë Kosova

Politika

“Premtimi” i Gjermanisë për Asociacionin, zbërthehet mesazhi i Sarrazin – ja si duhet të veprojë Kosova

Arife Morina Nga Arife Morina Më 13 prill 2024 Në ora: 17:44
Manuel Sarrazin

Tri javë pas vizitës së fundit në Kosovë, emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin erdhi edhe në një tjetër vizitë të paparalajmëruar në Prishtinë.

Zhvillimet e fundit në veri e sollën sërish këtu të dërguarin e kancelarit gjerman për Ballkanin Perëndimor.

Me theks të veçantë, Sarrazin foli për Asociacionin dhe themelimin e ti.

Krahas kësaj, Sarrazin potencoi se tani është koha e duhur që të vazhdohen tutje hapat për krijimin e Asociacionit.

Të gjithë e dinë se shumë vende mos johëse brenda BE-së shikojnë kah Asociacioni i komunave me shumicë Serbe, por unë nuk mund t’ju them se çfarë ato do të bëjnë nëse kjo kryhet ose jo sepse nuk është puna ime. Gjermania njeh Kosovën por edhe ne jemi të bindur se kjo është gjëja e duhur të bëhet, veçanërisht tani dhe të shkohet tutje. Mund të llogarisni në Gjermaninë, ne kurrë nuk do të përkrahim ndonjë formë të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës. Por, moskrijimi i Asociacionit nuk çon drejt BE-së”, ka shtuar Sarrazin.

Çështja e Asociacionit po vazhdon të jetë tejet e diskutuar, por sa duhet të merret parasysh ‘premtimi’ i Gjermanisë se nuk do ketë Asociacion që e dëmton dhe rrezikon sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Elezaj: Deklarata e z. M. Sarrazin, është e sinqertë dhe mjaft konkrete

Image
Rexhep Elezaj

E në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli publicisti Rexhep Elezaj.

Ai vlerësoi se Sarrazin ishte i sinqertë në deklraratën e tij për Asociacionin dhe se duhet të marrë parasysh kërkesa e tij.

Sipas mendimit tim, deklarata e z. M. Sarrazin, është e sinqertë dhe mjaft konkrete, kur është fjala për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri, e cila qeverisë së Kosovës i çon mesazh të qartë, se formimi i këtij asociacioni, është vendosur si kusht për ecjen e Kosovës drejt integrimit në BE, ngase ky obligim është pranuar, qoftë edhe në paketë, nga ana e palës kosovare e Planit të BE-së për Kosovën (franko-gjerman) pika 7 si dhe me Aneksin e saj në Ohër, të cilin obligim qeveria e Kosovës duhet implementuar, po që se e dëshiron normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, nënvizoi publicisti.

Po ashtu, Elezaj shpjegoi edhe presionin që po bëhet për themelimin e Asociacionit, derisa këtë e ndërlidhi me rrezikun për destabilizim të situatës së sigurisë.

Mendoj, po ashtu, se presioni në rritje nga ana e disa vendeve anëtare të BE-së dhe nga SHBA-të, të cilin po e ushtrojnë mbi qeverinë e Kosovës, që ajo të fillojë menjëherë me formimin e këtij Asociacioni, ku hynë edhe vizita e para dy ditëve e z. Sarrazin në Kosovë, pa asnjë dilemë, vjen edhe si rezultat i rrjedhave dhe ngjarjeve politike në Bosnje, përkatësisht i veprimeve destabilizuese të M. Dodikut për shkëputjen e Republika Srpska’s nga federata e Bosnjës dhe bashkimin e saj me Serbinë, që dialogu Kosovë-Serbi dhe normalizimi i marrëdhënieve mes tyre të përmbyllet sa më para që të jetë e mundur, gjë që nuk mund të ndodhë pa formimin e Asociacionit në fjalë, kusht ky i vendosur nga pala serbe qe 10 vite më para”.

Më tej, publicisti tha se kërkesa e ndërkombëtarëve për Asociacion vjen si rezultat që regjimit serb të Beogradit t’i hiqet nga dora njëri nga adutët kryesor.

Madje, kjo kërkesë ndaj Kosovës nga ana e BE-së dhe SHBA-së, vije për shkakun kryesorë, që regjimit serb të Beogradit t’i hiqet nga dora, njëri nga adutët kryesor, siç ka qenë dhe vazhdon të jetë kërkesa për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilën kërkesë ky regjim vazhdon ta mbajë si shpatën e Demokleut në çdo takim dhe bisedë me faktorët ndërkombëtarë, siç bëri edhe në takimin e fundit me presidentin e Francës, z. M. Macron në Paris, etj”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, Elezaj potencoi se Kosova duhet të vendos si kusht themelor për formimin asociacioni, të marrë garanca që formimi i tij, nuk do ta minon as për një milimetër integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Madje, të gjithë ne e dimë, se formimi i “Zajednicës” së komunave me shumicë serbe në Kosovë, është për Kosovën një kancer tejet i dëmshëm, të cilën as që duhet formuar kurrë, derisa në anën tjetër shtrohet pyetja, se çfarë duhet bërë me nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjes së Brukselit të vitit 2015, kur ish qeveritë e mëparshme të Kosovës, e pranuan dhe e nënshkruan këtë obligim shtetëror, i cili si gjarpri rreth qafës qe një dekadë po e ngulfatë shtetin dhe ecjen më të shpejtë të Kosovës drejt zhvillimit dhe integrimit në strukturat euro-atlantike.

Andaj, mendoj se pala kosovare, si kusht themelor për formimin e këtij asociacioni, duhet të kërkojë dhe marrë garanca me shkrim nga vendet kyçe të BE-së siç është Franca, Gjermania, Italia, etj., që formimi eventual i asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk do ta minon as për një milimetër integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, siç e paska thënë këtë, vetë i dërguar i Gjermanisë për Ballkanin perëndimorë, z. M. Sarrazm”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Burjani: Garancion po, por zbehje të sovranitetin e shtetit po

Kurse, profesori Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se me Asociacion zbehet sovraniteti i Kosovës.

Image
Blerim Burjani

Garancion po, por zbehje të sovranitetin e shtetit po, me një asociacion të tillë përmes draftit evropian, nuk ka garancë të zbehjes gati të plotë të shtetit në veri, kjo po dihet, garancion do të ketë vetëm Kosova nëse pranon në Asociacion apo gjysëm shtet brenda shtetit

Krahas kësaj, ai tha se Kosova duhet të hartojë një draft për Asociacionin, derisa tha se nuk pret të zgjidhet problem mes dy palëve, shkaku i Serbisë.

“Kosova vetë duhet të hartojë një draft për Asociacionin por nuk ka vullnet politik, po edhe të themelohet nuk zgjidhet problemi i raporteve Kosovë-Serbi, sepse shteti serb e sheh vetëm si hap të parë themelimin e krtij asociacioni për të vazhduar më tutje politikën e saj

Nuk ka normalizim të raporteve me Serbinë është vazhdim i konfliktit të ngrirë, Serbisë asgjë nuk i vyen një normalizim i tij. Synimi i Serbisë dihet”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat