Largimi i Lajçakut nga dialogu, analistët mirëpresin Pahor-in si zëvëndësues: Serbia nuk do të pajtohet me këtë gjë

Politika

Largimi i Lajçakut nga dialogu, analistët mirëpresin Pahor-in si zëvëndësues: Serbia nuk do të pajtohet me këtë gjë

P.R. Nga P.R. Më 13 prill 2024 Në ora: 22:16
Ilustrim/ Miroslav Lajcak/ Borut Pahor

Siç ka raportuar media sllovene “STA” ish-Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor synon të pasojë emisarin sllovak, Miroslav Lajçak, në rolin e ndërmjetësuesit të dialogut Kosovë-Serbi për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Mbështetje për Pahorin deri më tani i ka dhënë kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob dhe ministrja e Jashtme, Tanja Fajon.

Por dyshime për emërimin e Pahorit në pozitën e ndërmjetësuesit mes Kosovës dhe Serbisë po shfaqin analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Krejt kjo për shkak, siç thonë ata të kundërshtimit të Beogradit, i cili nuk do ta pranojë me asnjë kusht Pahorin në vend të Lajcakut

Serbia nuk do ta pranojë Pahorin

Image
Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi

Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi thotë se Serbia nuk dëshiron më asnjë kusht që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të ketë sukses.

“Besoj se Beogradi nuk do ta pranojë dhe pranimi nga palët në bisedime është kushti themelor në mos për emërimin e Pahor në këtë post, së paku për suksesin e dialogut. Duke qenë se është koha e fundit që mund të bëhet dialog, BE do të synojë një personalitet politik dhe diplomatik me ndikim e shumë të aftë për ta emëruar në postin e ndërmjetësit në dialogun Kosovë-Serbi. Padyshim se një ish-president slloven, si Borut Pahor, është personalitet i rëndësishëm në këtë funksion, nëse emërohet. Ai është slloven dhe vjen nga një vend demokratik, ish-republikë e Federatës Jugosllave. Pahor e njeh konfliktin më mirë se shumica dërmuese e kandidaturave që mund të vijnë në rend. Por më e rëndësishme se kjo është legjitimiteti. Legjitim është e do të jetë vetëm ai ndërmjetës që pranohet nga të dy palët në bisedime. Nuk jam i sigurt se Serbia do ta pranojë zotin Pahor. Serbia nuk e konsideron Slloveninë vend mik, madje as vend asnjanës. Pretendimi i Serbisë do të jetë se “Sllovenia e ka njohur shtetin e Kosovës dhe mban anën e saj”! Pra do ta konsiderojë të papërshtatshëm. Jo se zoti Pahor ka ndonjë histori ose eksperiencë anti-serbe, por se në Serbi nuk i besohet asnjë slloveni, një me një ish-presidenti slloven”, deklaron Bytyçi.

Sipas Bytyçit, dialogu ka marrë fund që në momentin kur pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, organizoi aktin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“Atë ditë de facto ka marrë fund çdo lloj mundësie për marrëveshje tjetër. Prej asaj dite Kosova dhe Serbia janë në gatishmëri lufte midis tyre. Dialogu është spostuar për çështje ditore, që mbrohen nga kushtetuta e Kosovës, siç është çështja e dinarit. Nuk ka më asnjë përpjekje dhe hap përpara për të respektuar qoftë dhe një nen të marrëveshjes së Brukselit ose aneksit të Ohrit. Përkundrazi, presidenti i Serbisë po bën të gjitha përpjekjet e tij për ta parandaluar pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ka ngritur madje edhe një Task Forcë, ku bëjnë pjesë liderë serbë të lidhur ngushtë me Rusinë. Ndërkohë që në Bruksel vazhdojnë të thonë se “Palët (pra edhe Vuçiq) e ka pranuar marrëveshjen e Brukselit. Kakofoni fjalës me iluzione foshnjore”.

Bytyçi paralajmëron se Serbia do të nis një konflikt të ri në Ballkan.

“Nëse nuk ndodhë ndonjë çudi paqebërëse unë nuk shoh dialog në këto kushte. Dialogu ka marrë fund. BE pas zgjedhjeve të qershorit nuk do të ketë shansin të emërojë dikë, as zotin Pahor, në krye të dialogut Kosovë-Serbi, sepse Serbia deri atëherë do të nisë aventurën e konfliktit të nxehtë me Kosovën e ndoshta edhe me Bosnjë Hercegovinën. Të presim 5-6 majin e të shohim se çfarë do të ndodhë. Por më shumë shanse ka konflikti, sesa paqja, pra dialogu. Ndërmjetës pa dialog nuk mund të ketë. Ndoshta do të ketë një lloj tjetër dialogu gjatë procesit të konfliktit. Por jo më për normalizim të marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve. Mund të ketë ndërmjetësim për paqe fillimisht e më pas për zgjidhje tjera”, shpjegon më tej Bytyçi.

Për fund, Bytyçi thekson se Qeveria e Kosovës, institucionet e saj, qytetarët e Kosovës duhet të përgatiten për ta ruajtur paqen dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Çdo iluzion për dialog tjetër është ireal. Për mendimin tim përgatitja për ta përballuar me sukses një konflikt me Serbinë nuk duhet lënë mënjanë në emër të një dialogu inekzistent. Gjëja më e mirë do të ishte që shteti i Kosovës të konsolidojë aleancat e tij me fuqitë e mëdha dhe t’i ripërtërije ato bazuar në një realitet të ri gjeopolitik. Duhet kërkuar së paku nga katër vende të lidhen traktate bashkëpunimi strategjik dhe në fushën e mbrojtjes, përkatësisht me SHBA-të, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe me Turqinë. Nëse arrin këtë, atëherë vihen gurë themeli të shëndoshë edhe për paqen e mundet që Serbia të detyrohet t’i nënshtrohet një dialogu serioz”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Një diplomat gjerman për dialogun Kosovë-Serbi

Image
Analisti Gani Qarri

Kurse, analisti Gani Qarri deklaroi se largimi i Lajçakut mund të jetë një kthesë pozitive në dialogun Kosovë-Serbi.

“Në fakt kthesë e madhe dhe me rëndësi në këto momente vendimtare për finalen e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë e cila në qendër të saj, do ta kishte njohjen reciproke në mes të dy shteteve, do të konsiderohej vetëm nëse njëkohësisht me Lajçak-un do të shkarkohej edhe bashkë-ortaku i tij, emisari Gabriel Eskobar, i cili në vijimësi është përpjekur ti shkaktojë dëme Kosovës, në favor të Serbisë hegjemoniste, madje për fat të keq, duke marrë pajtimin, apo edhe pëlqimin e opozitës së inkriminuar të Kosovës”, shprehet Qarri.

Sipas tij, si ndërmjetësues në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë do të duhej të emërohej një diplomat gjerman.

“Sa i takon Lajçakut, unë personalisht, do të dëshiroja që ai, të zëvendësohet me një diplomat të lartë gjerman, që ka guximin t’i kundërshtojë dhe hedhë poshtë pretendimet pro-serbe edhe të të dërguarit "special" të DASH, për Ballkanin Perëndimor, post që edhe Gjermania ka treguar interesim ta marrë dhe prej të cilës Kosova edhe në të ardhmen mund të pres përkrahje më të madhe dhe gjithsesi edhe më të sinqertë, si dhe mbështetje me peshë të pazëvendësueshme edhe për përparimin e rrugëtimit të saj në integrimin evropian, përderisa Gjermania është shteti më i fuqishëm ekonomik i BE-së dhe vendi më i rëndësishëm e me politikën më realiste, që ka  rolin kryesor edhe në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Duke pasur parasysh rolin e pazëvendësueshëm dhe vendosmërinë e dëshmuar ndër vite të Gjermanisë, për integrimin Ballkanit Perëndimor në BE dhe mbrojtjen e Kosovës, nga aventurat e kuislingut Thaçi, për ndarjen dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë hegjemoniste, si dhe ndihmesën e pakontestueshme të Gjermanisë, dhënë në vijimësi vendit tonë, eurodeputetët e të cilës dëshmuan publikisht se kanë guxim dhe janë në gjendje, ti hedhin poshtë me vendosmëri edhe pretendimet në dëm të Kosovës, siç ishte rasti i votimit në Asamblenë e KE-së, për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, nuk do të dëshiroja që vendin e Lajçak-ut, ta merrte përsëri një diplomat sllav, por një diplomat i lartë dhe i dëshmuar gjerman, prej nga edhe Kosova mund të pres përkrahje më të sinqertë, si dhe mbështetje më të fuqishme e me peshë të pazëvendësueshme edhe për përparimin e rrugëtimit të saj në integrimin evropian”, shpjegon Qarri.

“Vetëm nëse rastisë të vije në shprehje, ndonjë diplomat hungarezë, apo edhe francez, do të preferoja që Lajçak, të zëvendësohet me diplomatin e njohur slloven të karrierës Borut Pahor, i cili në fakt, është një figurë e njohur politike dhe diplomat me përvojë të gjatë, që njeh mirë edhe zhvillimet në gjithë hapësirën e federatës ish jugosllave, përfshi edhe Kosovën, shteti i të cilit, ndër të parët, ka përjetuar agresionin ushtarak serb, siç ishte po ashtu, një nga shtetet e para, që e ka njohur edhe pavarësinë e Kosovës, menjëherë pas shpalljes së saj, më 2008, megjithëse, tani-kohët kanë ndryshuar, shteti slloven ka investuar shumë në Serbi dhe më brengosë fakti, se Serbia aktualisht, mbanë marrëdhënie "mjaft" të relaksuara me Slloveninë, gjë që mund të ndikojë edhe në qëndrimet e Pahor-it në dialog”, shton Qarri.

Ai thotë se Lajçak ka dështuar tërësisht me qëndrimet e tij pro-serbe dhe animin e hapur ndaj Serbisë.

“Ndaj dhe ishte koha e fundit, kur ai duhej përfundimisht të shkarkohej nga posti që mbante pa asnjë meritë diplomatike, por pa largimin edhe të Gabriel Eskobarit, nuk e di se-sa do të ketë efekt, emërimi i një diplomati nga një shtet, përsëri i vogël si Sllovenia, nëse as diplomati slloven Pahor nuk mund ti kundërshtojë qëndrimet të emisarit latino-amerikan si Eskobar, siç kanë dëshmuar se mund të veprojnë, diplomatët gjerman, ani se media sllovene “STA” shkruan që e ka të konfirmuar nga ish-Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, se ai synon të pasojë ndërmjetësin sllovak të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe të marrë rolin e ndërmjetësuesit të ri, në dialogun maratonik, Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, ndërmjet të dy vendeve, post për të cilin, ai parimisht, duhet të mbaj qëndrim të paanshëm”.

“Madje, sado që nuk ka dyshim se diplomati slloven Pahor, do të jetë më ndryshe nga Lajçak, nuk duhet harruar faktin, se edhe Sllovenia, është vend edhe më i vogël se Sllovakia, e cila, megjithëse tash e sa vite, anëtare e Bashkimit Evropian, jo fort moti, ishte edhe pjesë e një ish federate, (ish juggosllave) bashkë me Serbinë, e cila, në fakt, gjatë kohës sa Kosova gjendej në okupimin serbo-sllav, ka kontribuar mjaft, për të drejtat dhe liritë njerëzore, të shqiptarëve, por që nuk mund të besojë, se sot, ajo ka preferenca më të mëdha për ne si Kosovë dhe shtet i ri, se sa për Serbinë, me të cilën, përkundër problemeve për dominim politik, dikur ndërmjet tyre, apo edhe agresionit të shkurtër ushtarak serb, prej vetëm pak ditësh mbi Slloveninë, nuk i ka shkëputur asnjëherë marrëdhëniet diplomatike, ekonomike dhe kulturore me Serbinë asnjëherë, sado që do të dëshiroja shumë, që Pahor, po-qese megjithatë emërohet ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, ta dëshmojë të kundërtën, dhe unë të jem i gabuar në këtë pikë!”, përfundon analsiti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat