Beteja e Kosharës, krye-vlera e rezistencës së armatosur/ Pse u desh çerekshekulli që të pranohet botërisht fakti i pamohueshëm?

Politika

Beteja e Kosharës, krye-vlera e rezistencës së armatosur/ Pse u desh çerekshekulli që të pranohet botërisht fakti i pamohueshëm?

Nga: M.L. Më: 14 prill 2024 Në ora: 20:43
Heronjtë: Agim Ramadani, Sali Çeku, dhe Anton Quni, hero i gjallë

Këto ditë, me ceremoni dhe organizime të ndryshme po shënohet 25 vjetori i njërës prej Betejave më të lavdishme të historisë së luftës në Kosovë, Betejës së Koshares.

Kjo betejë u zhvillua nga 9 prilli i vitit 1999 deri më 10 qershor 1999 në kuadër të Operacionit Shigjeta, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe Ushtrisë Jugosllave (JNA). Beteja u zhvillua rreth Koshares në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë gjatë Bombardimit të Serbisë nga NATO.

Ndër vite, ka pasur tendenca për t’ia “zbehur” lavdinë Betejës së Koshares, që konsiderohet si njëra ndër betejat më të përgjakshmet dhe më të suksesshmet e luftës së Kosovës.

Në lidhje me vlerën historike të kësaj beteje, ka folur Fatmir Bajraj, veprimtar nga diapsora.

Ai ka thënë se u desh të kalojë çerekshekulli nga beteja epike dhe historike e Koshares legjendare, që në fund ajo të pranohet botërisht si kryevlera e rezistencës së armatosur dhe e luftës forntale me armikun serbo-sllav!

Image
Fatmir Bajraj

“U desh çerekshekulli që në fund të pranohet edhe botërisht se Beteja e Kosharës ishte kryevlera e rezistencës së armatosur dhe e luftës frontale ushtarake dhe luftarake kundër armikut shekullor, serbo-sllav! Sot, 25 vite pas, Beteja e Kosharës po zë vendin e merituar në ndërgjegjen e ndrydhur kolektive të shqiptarëve, duke u vlerësuar si beteja ma e përgjakshme, ma e lavdishme dhe ma e rëndësishme në frontin e luftës me armikun e egër e barbarë, serbo-sllav.

Sot, 25 vite pas, me ose pa dëshirë, po e pranojnë peshën dhe sakrificën e ushtarëve të lirisë, 13 dëshmorëve të rënë, dhe kontributin e komandantëve të kësaj beteje, heronjtë Salih Çekaj & Agim Ramadani, madje edhe ata të cilët për motive meskine nxorën në pah, Zahirin, Ilirin dhe atentuan vetë Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi.

Koha do të provojë çdo ditë e më shumë, peshën dhe rëndësinë historike të betejës së Kosharës dhe rolin ekzemplar në këtë betejë dhe në gjithë luftën për çlirimin e Kosovës, të kryekomandantit dhe themeluesit të UÇK-së dhe të rezistencës së armatosur, heroit të pavdekshëm Salih Çekaj. Beteja për thyerjen e kufirit filloi në agun e 9 prillit 1999, dhe u ruajt deri në çlirimin definitiv të Kosovës me rastin e invadimit triumfalist të NATO-së në Kosovë më 12 qershor 1999! Koshare, aty dhe atje, ku Serbia armike u thyen ushtarakisht në fushëbetejë, duke braktisur turpshëm kufirin e panatyrshëm që ndante për një shekull një komb dhe një atdhe: Shqipërinë dhe shqiptarët!”, shprehet Bajraj.

Sipas tij, beteja e Kosharës, nën komandën e FARK-ut, është betejë emblematike dhe lapidare e rezistencës së armatosur dhe luftës sonë për liri.

“Ushtria serbe e quante këtë betejë tmerr dhe ferr për ushtrinë "jugosllave"! Edhe 25 vite pas kësaj beteje epike, pushtuesi serb përshkruan tmerrin dhe humbjet e pësuara përballë formacioneve ushtarake elitare të UÇK-së në kuadër të FARK-ut, të udhëhequra dhe të komanduara nga heronjtë e Kosovës: Sali Çekaj & Agim Ramadani, derisa në anën tjetër, eksponentë të Shtabit të Rognerit, edhe sot e kësaj dite rreshtin përpjekjet për përvetësimin e meritave për "betejën e tyre" të pa bërë kurrë.

Ekskluziviteti, dimensionet, strategjia dhe institucionalizmi dhe profesionalizmi elitar i kësaj beteje t'i lartësojnë vlerat! 25 vite nga Beteja e Koshares, nga beteja ma e lavdishme e shqiptarëve kundër armikut shekullor serbo-sllav ndër shekuj. Beteja e Kosharës që kulmoi me thyerjen e kufirit të hekurt, të padrejtë dhe të panatyrshëm të vendosur kundër shqiptarëve nga armiqtë tanë shekullor serbo-sllavo-ortodoks, pas luftërave ballkanike të fillimit të shekullit të 20-të dhe të ri konfirmuara po aq armiqësore në përfundim të Luftës së Dytë Botërore me Kuvendin famëkeq të Prizrenit dhe në rrethimin ushtarak të sllavo-komunistëve serbo-malazez, dhe jo vetëm!”, nënvizon ai.

Barjaj thekson po ashtu se beteja e Koshares kishte autoritetin suprem të Presidentit Historik, Rugova!

“Beteja legjendare e Koshares organizohej, drejtohej dhe komandohet nga FARK-u, me njësitë dhe Brigadat e UÇK-së, në krye të cilave ishin komandantët unik dhe të paepur për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, heronjtë; Sali Çekaj & Agim Ramadani dhe Komandanti i operacioneve luftarake, z. Rrustem Berisha! Beteja historike e Koshares legjendare, e 9 dhe 10 prillit 1999, kishte, përfshinte dhe përçon tri dimensione në tre adresa:

E para: I dha goditje vdekjeprurëse armikut shekullor serbo-sllav në fushën e betejës. E dyta: I dha leksion shembullor Shtabit të Rognerit në luftë kundër pushtuesit gjakatar, serbo-sllav. E treta: Popullit të robëruar të Kosovës, i mboll shpresë se armiku shekullor mund ta thyente në fushën e mejdanit edhe ushtarakisht”, rikujton ai.

Bajraj thotë se pas Betejës së lavdishme të Loxhes, të organizuar dhe komanduar nga FARK-u, dhe Koloneli Tahir Zemaj, Beteja e Kosharës heroike u bë beteja e dytë e fituar në vijën fronti, në luftën me armikun shekullor serbo-sllav.

Por kësaj radhe fitorja ishte e pakthyeshme, sikurse u bë edhe pushtuesi gjakatar, serbo-sllav!

“113 të rënët e Betejës së Kosharës u ngritën dhe u lartësuan në panteonin e grave dhe burrave të shquar të kombit, në gjakim të idealeve të lirisë për brezat. Rrëzimi dhe thyerja e kufirit të egër dhe të imponuar nga armiqtë thyen përfundimisht edhe mitin serb për "Kosovën djep të Serbisë". Thyerja e kufirit, marrja e kazermës dhe poshtërimi i armikut në Kosharën e larë në gjakun e 113 dëshmorëve të UÇK-së, për lirinë e truallit dhe atdheun e të parëve, ishte kurora e sakrificës sublime, e bijave dhe bijëve më të mirë të kombit, në kontekstin e dhënë historik!

Në betejën heroike të Koshares, ranë 113 dëshmorë të UÇK-së, në kuadër të FARK-ut nga të gjitha viset dhe trojet etnike shqiptare, përfshi edhe mërgimtarët nga e gjithë bota. Dimensioni historik i Betejës së Lavdishme në Kosharen legjendare kalon nëpër shekuj, nëpër shekujt e idealeve të brezave, për lirinë e të drejtave kombëtare, për çlirimin e tokave të pushtuara nga armiqtë shekullor dhe dinjitetin e nëpërkëmbur botërisht!”, shprehet veprimtari Bajraj.

Ai shton se thyerja e kufirit dhe thyerja e armikut në këtë betejë epike kundër armikut s'ishin rastësi, s'ishte as dhuratë e zbritur nga qielli.

“Ajo ishte kurora e një organizimi dhe strategjie profesionale ushtarake dhe luftarake, 67 ditëshe nga njësitë e UÇK-së në hierarkinë e komandimit dhe subordinimit shtetëror-institucional nga ana e FARK-ut. Miti serb për pathyeshmërinë e ushtrisë serbo-sllave u rrokullis bashkë me gurin e kufirit në Kosharen heroike të Salihit dhe Agimit, dhe morri theqafjen në kapitulimin definitiv dhe tërheqjen e turpshme nga trojet e robëruara shqiptare, padrejtësisht për rreth një shekull.

Në këtë betejë të lavdishme të Kosharës, ranë 113 dëshmorë në një përplasje epike me armikun; dhëmb për dhëmb, ranë për të mos vdekur kurrë, ranë për t'i dhënë dritë lirisë dhe liri atdheut! Në analët e historisë kombëtare, kjo betejë do të jetë ndër betejat më të lavdishme të fituara ndonjëherë në luftën me armikun, dhe kryeheronjët e saj, Sali Çekaj dhe Agim Ramadani, do të jenë heronj të papërseritshëm dhe unikalë.

Lavdi Komandantëve unik të Brigadave të UÇK-së në kuadër të FARK-ut, Salih Çekaj dhe Agim Ramadani!

Lavdi 113 dëshmorëve të betejës së Kosharës legjendare, dhe gjithë dëshmorëve të lirisë që i bëjnë rojë atdheut me sakrificë sublime!

Respekt dhe konsideratë të thellë për të gjithë luftëtarët e guximshëm të kësaj beteje heroike dhe veçanërisht për heronjtë e gjallë të kësaj beteje, komandantët: Anton Quni, Fadil Hadergjonaj dhe Hisen dhe Rrustem Berisha me bashkëluftëtarët e tyre!”, përfundon ai

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat