“BE-ja me këtë vendim po e përkëdhel Serbinë në dëm të Kosovës”

Politika

“BE-ja me këtë vendim po e përkëdhel Serbinë në dëm të Kosovës”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 15 prill 2024 Në ora: 09:07
Foto ilustrim

Komisioni për liri qytetare dhe punë të brendshme i Parlamentit Evropian miratoi raportin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë, që jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Raporti u përpilua nga deputeti slloven, Matjazh Nemec, dhe u votua me 34 vota pro.

Asistentja parlamentare e PE-së, njëherazi edhe avokuese e madhe e sovranitetit të Kosovës, Federica Woelk, thotë se një vendim i tillë është për keqardhje.

Fatkeqësisht, vendimi i fundit i komisionit përgjegjës të Parlamentit Evropian lidhur me njohjen e pasaportave të lëshuara nga Serbia (përmes strukturave paralele) për serbët e Kosovës është thellësisht për keqardhje. Vendimi mundëson vetëm destabilizimin e mëtejshëm dhe me siguri nuk arrin qëllimet që BE-ja i ka vendosur vetë. Për mendimin tim, Serbia ka punuar shumë për të arritur këtë rezultat” ka thënë Woelk në media.

Bazuar në këtë, a po luan BE-ja dhe organet e saj me dy standarde duke shkelur mbi sovranitetin e Kosovës?

Bajraktari: BE-ja po përkëdhel Serbinë

Lidhur me këtë ҫështje, avokati Ardian Bajraktari në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se, me miratimin e liberalizimit të vizave për serbët e Kosovës, njihen edhe dokumentet ilegale.

Image
Ardian Bajraktari

Me miratimin e raportit që mundëson liberalizim të vizave për serbët e Kosovës që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, njihen dhe legjitimohen dokumente ilegale”, theksoi ai.

Ai tha se më këtë miratim, tregohet edhe njëherë se BE-ja po përkëdhel Serbinë, në dëm të Kosovës.

Me anë të miratimit të këtij propozimi, po ashtu shpërfaqet edhe një herë fakti se Bashkimi Evropian në raport me palët, vazhdon ta luaj shkopin dhe karroten, si kundër që dëshmohet se vazhdon ta përkëdhelë Serbinë, e si në jo pak raste në dëm të Kosovës”, tha ai.

Ymeri: Bashkimi Evropian i ka liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës më 1 janar 2024, apo jo?

Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe Prof.Dr. Eshref Ymeri.

Ai thotë se derisa BE-ja ka liberalizuar vizat për gjithë qytetarët e Kosovës, ato janë liberalizuar edhe për qytetarët e pakicës serbe.

Image
Prof.Dr. Eshref Ymeri

Bashkimi Evropian i ka liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës më 1 janar 2024, apo jo? Kam parasysh njoftimin me titull "Deklarata e Macron për vizat e Kosovës, KE: Liberalizimi hyn në fuqi më 1 janar 2024, një shtet s’mund të vendosë pezullimin", botuar në një faqe interneti më 21 Tetor 2023. Kurse këtë liberalizimin vizave për qytetarët kosovarë me kombësi serbe në Kosovë nuk e kam të qartë. Sepse përderisa janë liberalizuar vizat për Kosovën më 1 janar, ato janë të liberalizuara edhe për qytetarët e pakicës serbe”, vlerëson ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës e ka kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e tyre në liberalizimin e vizave, duke e cilësuar atë si “shkelje të integritetit territorial të Kosovës” dhe duke pohuar se të gjithë shtetasit e Kosovës, përfshirë edhe ata me përkatësi etnike serbe, mund të pajisen me pasaporta biometrike të Kosovës.

Për Qeverinë e Kosovës, problematik është edhe fakti se në pasaportat që i lëshon Drejtoria Koordinuese e Serbisë, vendbanimet në territorin e Kosovës shkruhen sikur të jenë në Serbi.

Pas votimit të sotëm pritet që i njëjti raport të votohet edhe në seancë plenare nga i tërë Parlamenti Evropian, që do të zhvillohet prej 22 deri më 25 prill.

Kjo seancë plenare do të jetë edhe e fundit në këtë përbërje të Parlamentit Evropian, pasi nga data 6 deri më 9 qershor do të zhvillohen zgjedhjet e reja për Parlamentin Evropian në 27 vendet anëtare të BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat