“Do ia shohim tymin…!”, profesori ‘godet’ Ramën e Vuçiqin – zbërthen qëllimet e takimeve me Macronin, përmend Kosovën!

Politika

“Do ia shohim tymin…!”, profesori ‘godet’ Ramën e Vuçiqin – zbërthen qëllimet e takimeve me Macronin, përmend Kosovën!

Nga: A.M Më: 15 prill 2024 Në ora: 17:59
Edi Rama, Aleksander Vuçiq

Javën e kaluar, Edi Rama qëndroi në Paris, me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron.

Kjo vizitë e tij erdhi menjëherë pas asaj të presidentit serb, Aleksander Vuçiq.

E këto vizita, takime në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.

Së pari, ai u shpreh i befasuar se si Vuçiq shkoi në Paris me një çek prej 3 miliardë dollarësh përtë blerë nga Franca avionë dhe armatime e logjistikë ushtarake

“Brenda një jave presidenti francez, Emmanuel Macron, priti me ceremoni ushtarake dy liderët kryesorë, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Vizitën e parë në Elize e bëri kreu i shtetit të Serbisë. Ai shkoi aty me një çek prej 3 miliardë dollarësh për të blerë nga Franca avionë dhe armatime e logjistikë ushtarake. Ky biznes midis Macron dhe Vuçiq është i majmë për Francën. Por e habitshme është se si Serbia sakrifikon kaq shumë, kur buxheti i saj është i kufizuar për të shpenzuar kaq shumë me një vend të caktuar, qoftë kjo edhe Franca, një mike e përhershme tradicionale e Serbisë”.

Krahas kësaj, Bytyçi i vlerësoi këto vizita si përpjekje për të plotësuar orekset serbe në Kosovë në radhë të parë.

“Nisur nga kjo pikëpyetje të shoqëruar me pikëçuditëse unë mendoj se kreu i shtetit serb shkoi në Paris për të përfituar interesa gjeopolitike në rajonin tonë e sidomos në Kosovë në këtë kohë të caktuar. Ne do ta shohim se çfarë qëndrimesh do të mbajë Franca dhe presidenti i saj ndaj Kosovës në javët e muajt e ardhshëm. Por unë nuk kam asnjë dilemë, se milardat serbe adresohen për të blerë ndikim gjeopolitik të Serbisë në Ballkan, gjë që i intereson edhe zotit Macron. Pse i intereson presidentit francez që Serbia të ruajë dominimin e saj në Ballkan. Sepse është dera e hapur e Francës për ndikim në të gjithë rajonin. Kësisoj këto dy vizita i shoh si përpjekje për të plotësuar orekset serbe në Kosovë në radhë të pare”.

Image
Prof. Enver Bytyçi

Në vazhdim, profesori potencoi se ftesa e Macron për Ramën erdhi si rekomandim i Vuçiqit, si shkas i një distancimi të tyre, me qëllim të riafrimit.

“Këtë pikëpamje Vuçiq përfitoi menjëherë nga biznesi ushtarak. Përfitimi i parë ishte ftesa e Macron për Edi Ramën. Kjo ftesë u bë me rekomandimin e presidentit të Serbisë. Ndoshta Vuçiq ka vënë re një lloj distance të kohëve të fundit të Ramës dhe kërkoi riafrimin midis tyre. Këtë ndërmjetësi mund ta kryente vetëm presidenti i Francës. Publikisht ne kemi njohur thjesht deklaratat përkatëse për marrëdhëniet Shqipëri-Francë. Por jam i sigurt se vizita ka për qëllim marrëveshje me Ramën në favor të Macron dhe të Vuçiq. Cila do të jetë ajo marrëveshje? Nuk mund të profetizojmë. Megjithatë ndjesitë veprojnë. Ka shumë gjasa që zoti Rama të marrë zotime për të ndikuar në Kosovë, sigurisht në ndonjë projekt të Serbisë në Kosovë. Por mund të ketë edhe ndonjë dakordësi për ndonjë kamp tjetër refugjatësh që vijnë nga Franca në Shqipëri”.

Më tej, ai komentoi treshën Rama-Vuçiq-Macron dhe raportet e tyre.

Madje, tha se historia do të shënojë fakte, të dhëna e dëshmi autentike, me të cilat do të provojë qëndrimet politike pro-Serbisë dhe kundër Kosovës të kryeministrit të Shqipërisë.

“Por dua të kthehem tek bashkëpunimi Rama-Vuçiq-Macron. Historikisht politikanët shqiptarë pro-serbë kanë qenë gjithmonë edhe pro-francezë. Dhe e kundërta, politikanët shqiptarë pro-francezë kanë qenë edhe pro-serbë. Kështu ka ndodhur me Esat Pashë Toptanin, i cili duke qenë i loxhës franceze të masonerisë, ishtë pro francez. Deri këtu nuk kishte ndonjë të keqe. Por gradualisht Franca ndikoi te ai që të vihej edhe në funksion të politikave serbe. Një shembull tjetër ishte diktatori komunist shqiptar, Enver Hoxha. Ai studioi dhe punoi në Francë dhe kur u kthye në Shqipëri erdhi në pushtet me ndihmën e Miladinit dhe Dushanit. U bë gjithashtu intepret i interesave serbe në Kosovë dhe në Shqipëri. Ka dëshmi që kjo nuk zgjati deri në vitin 1948, por deri në vdekjen e tij. Nexhmije Hoxha thotë në një intervistë të vitit 2004 për revistën prestigjioze Der Spiegel thoshte se “Kur vdiq Titoja, Enveri tha se do të doja që ai të jetonte më gjatë”! Dhe këtë e shpjegon me faktin se Shqipëria e Jugosllavia ishin jashtë traktatit të Varshavës dhe bashkëpunuan.

Tani, së paku prej 11 vitesh, vendin e këtyre të dyve e ka zënë kryeministri i sotëm, Edi Rama. Ky është rasti tipik që na dëshmon se si një emigrant në Francë vjen në pushtet dhe ende pa u promovuar vihet në marrëveshje anti-shqiptare me presidentin e Serbisë, asokohe kryeministër, kundër Kosovës. Historia do të shënojë fakte, të dhëna e dëshmi autentike, me të cilat do të provojë qëndrimet politike pro-Serbisë dhe kundër Kosovës të kryeministrit të Shqipërisë, zotit Rama. Edhe kjo vizitë e tij në Elize shkon në këtë drejtim. Nuk bën përjashtim”.

Ndër të tjera, profesori shtoi se shumë shpejt do ia shohim “tymin” asaj se çfarë fshihet konkretisht pas kësaj vizite të njëpasnjëshme të Vuçiq dhe Edi Ramës.

“Shqipëria asnjëherë përveçse në periudhën e komunizmit nuk ka veçuar Francën si mike të Shqipërisë. Ka bërë kujdes të ruajë ekuilibrat në harmoni me interesat kombëtare me të gjitha fuqitë europiane, pa dhënë të kuptojë se anon nga njëra ose tjetra prej tyre. Edi Rama ka prishur këto ekuilibra edhe në raport me fqinjët ballkanikë, edhe me fuqitë europiane. Pozicionimi i tij, siç thoshte pas takimit me Macron, si “derë e hapur për Francën” do të shkaktojë pakënaqësi në Berlin, Londër e ndonjë vend tjetër europian. Në fakt “dera e hapur për Francën” si përcaktim i kryeministrit Rama mund të përkthehet si marrëveshje për ndonjë favor, siç mund të jetë ndonjë kamp refugjatësh. Do ia shohim tymin shpejt besoj se çfarë fshihet konkretisht pas kësaj vizite të njëpasnjëshme të Vuçiq dhe Edi Ramës.

Unë mendoj se politikanë të tjerë, si dhe analistë politikë shqiptarë, por pro-serbë e pro-sllavë do të përfitojnë nga kjo vizitë. Do të marrin kurajo djhe do të nxjerrin në publik intrigën e këtyre dy vizitave. Uroj që sa më pak opozitarë në Kosovë e sa më pak socialistë në Tiranë, sa më pak politikanë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi e Luginës së Preshevës të bëhen interpretë dhe mbështetës të projekteve anti-shqiptare të Macron-Vuçiq-Rama”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat