Vihet në “zbatim” qëllimi i errët i Serbisë?/ Paralajmërohen aksione e kundër-aksione, ja si mund parandalohet “shpërthimi”

Politika

Vihet në “zbatim” qëllimi i errët i Serbisë?/ Paralajmërohen aksione e kundër-aksione, ja si mund parandalohet “shpërthimi”

Nga: Mimoza Lakna Më: 15 prill 2024 Në ora: 20:10
Aleksandar Vuçiq

Serbia vazhdon të ketë rol agresiv në rajonin e Ballkanit, me qëllim kryesor ripushtimin e Kosovës.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka kërcënuar sërish me luftë duke iu referuar qasjes kundërshtuese që do ta kenë në raport siç thotë me ata të cilët duan ta ndryshojnë historinë e Serbisë.

”Ashtu siç nuk do të lejojmë që ta karakterizojnë popullin serb si popullin më të keq në botë. Ne si politikanë do të bëjmë më të mirën, do të bëjmë punën tonë dhe si një vend i vogël do të ngrihemi në këmbë. Sepse fytyra nuk ka çmim, sepse Serbia nuk shitet, ne e duam atdheun tonë më shumë se çdo gjë. Prandaj do t’ju kundërshtojmë të gjithë ju që mendoni se mund ta ndryshoni historinë dhe të na karakterizoni si komb gjenocidal”, ka deklaruar Vuçiq.

Duke e analizuar këtë deklaratë, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, juristi Muhamet Kelmendi ka thënë se Serbia po përfiton nga konfliktet në rajonin e Lindjes së Afërt dhe Ukrainë për të përforcuar pozitat e saj dhe për të zgjeruar ndikimin në Ballkan, duke përdorur mjetet e armatimit të ndryshme, përfshirë marrjen e aeroplanëve luftarakë nga Franca dhe pritjen e armëve të reja nga Rusia, Kina dhe drone iraniane.

Sipas Kelmendit, përballja me kërcënimet nga Serbia nënkupton një nevojë për përfshirjen e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë NATO-n, BE-në dhe SHBA-të, për të parandaluar eskalimin e tensioneve dhe për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin në rajon.

"Në aktualitetin e Kosovës, agresioni serb është në qendër të vëmendjes dhe po shkakton shumë diskutime. Tani që qëllimi i ripushtimit të Kosovës po bëhet gjithnjë e më i qartë. Serbia po bëhet gjithnjë e më e hapur në kërcënimin e agresionit kundër Kosovës. Ajo nuk e njeh as në një nivel faktik dhe as në një nivel juridik dhe po e deklaron hapur qëllimin për ripushtimin e Republikës së Kosovës”, vlerëson Kelmendi.

Beogradi sipas juristit po vepron në dy drejtime.

“Përmes Listës Serbe ka dalë kundër regjistrimit të popullsisë së komunitetit serb dhe gjithashtu kundër votimit për largimin e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës.

Po kërcënon me agresion ushtarak dhe po bën përkrahje të grupeve kriminale në Serbi.

Image
Muhamet Kelmendi

Duket se Beogradi ka zgjedhur të mos dëgjojë qytetarët si mjet kundër shtetit të Kosovës në njërën anë dhe në anën tjetër, po përkrah grupet kriminale dhe po e përdor ushtrinë për të rrethuar kufirin me Kosovën”, ka shtuar profesori.

Ai ka thënë se Beogradi që në fillim ka hedhur poshtë çdo strategji njohjeje "de facto" të Kosovës dhe e ka përsëritur këtë shpesh, duke treguar se nuk ka arritur ndonjë marrëveshje dhe se kurrë nuk ka pasur.

“Faktet bindin se Serbia synon ripushtimin e Kosovës. Qëllimi i saj nuk është paqja dhe zgjidhja e çështjes, por përfitimi i kohës për të vepruar kundër Republikës së Kosovës. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka treguar se nuk është për paqe dhe nuk e njeh në asnjë mënyrë Kosovën si shtet”, ka nënvizuat ai.

Kelmendi ka thënë se Serbia po armatoset dhe po e shfrytëzon mësueshëm konfliktin në Ukrainë dhe Lindjen e Afërt.

“Po kërcënon me shumë gjëra për luftë në Ballkan”, ka potencuar ai.

Angazhimi i NATO-s, Anglisë dhe SHBA-ve në Ukrainë, Lindjen e Afërt dhe në detin jugor të Kinës, përfshirë edhe Tajvanin, po dalin hapur kundër BE-së dhe NATO-s.

Tani po merr edhe aeroplanë luftarakë nga Franca. Priten arme të reja nga Rusia, Kina dhe edhe drone iraniane, etj. Këto tregojnë për një militarizëm të rëndë të Serbisë”, ka thënë ai.

Bazuar në këto rrethana, Kelmendi ka thënë se priten aksione e kundëraksione, ndërsa ka theksuar se Serbinë e ndalin vetëm BE, NATO e SHBA.

“Priten aksione dhe kundër-aksione. Serbia mund të ndalet vetëm nga BE-ja, NATO dhe SHBA-të. Këto kanë në dorë paqen dhe luftën", përfunduar profesori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat