Ferizi i kundërpërgjigjet Klinakut: Kërkoi nga Rrustem Berisha që ta thotë të vërtetën rreth Koshares

Politika

Ferizi i kundërpërgjigjet Klinakut: Kërkoi nga Rrustem Berisha që ta thotë të vërtetën rreth Koshares

Nga: P.R. Më: 15 prill 2024 Në ora: 22:16
Beteja e Koshares

Ish kryetari i LDK-së në Gjermani dhe njëri nga luftëtarët e parë të luftës në Kosovë, Osman Ferizi, ka reaguar ndaj Istref Klinakut, pasi ky i fundit tha se "Beteja e Kosharës u bë nga brigada e Agim Ramadanit, jo me urdhër të FARK-ut".

Sipas Osmanit, i gjithë organizimi i luftës është bërë nga Lidhja Demokratike e Koosvës, e cila ishte e para ajo që i dërgoi për stërvitje në Shqipëri.

Image
Osman Ferizi

“Kaloi një çerek shekulli kur po i kujtojmë krye heronjtë emblematik të Koshares, Agim Ramadanin (11.04.1999) dhe Sali Çekajn (19.04.1999), dhe ende vazhdon logjika e mashtrimit, përvetësimit dhe falsifikimit të historisë së luftës 1998/99. Dua të ua kujtoi lexuesve se ideja e përgatitjes dhe çlirimit ( mbrojtja e pragut të shtëpisë) filloi nga LDK në krye me Dr. Ibrahim Rugovën, e cila ishte një Lëvizje Kombëtare masovike gjithëpopullore, e cila dërgoi dy Grupet e para Guerile në tetor dhe nëntor të vitit 1991 në Surel të Tiranës (107-veta) ku u stërviten nga ish eprorët e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë e që merrte pjesë Sali Çekaj, Zahir Pajaziti, Adem Jashari , Ahmet Hoxha, Ilaz Kodra...”, thotë Ferizi.

“Poashtu i kujtoi këtij megalomani dhe prepotenti se LDK-së kishte formuar sistemin paralel të Republikës së Kosovës, ku në vitin 1993 burgoset zingjiri i Ministrisë së Mbrojtjes në krye me prof. Hajzer Hajzerin dhe Zaim Berishen, ndërsa ju që vepronit në “ilegalitet” prapë burgosëshit-qesharak, edhe pse ishte shpallur nga Deputetet e Parlamentit Deklarata Kushtetuese më 2-Korrik 1990 dhe Kushtetuta e Kaçanikut më 7 shtator 1990”, shprehet Osmani.

Ai thotë se brigada “Agim Ramadani” ishte formuar pikërisht para ish Ministrit të Mbrojtjes kolonel, Ahmet Krasniqit.

“Sa është paradoksal, mashtrues dhe mos njohës i rrethanave kur thotë  që Lufta e Koshares u bë nga Brigada “Agim Ramadani”, këtij hipokriti ia kujtoi se Brigadat 131, 133 dhe 134 u formuan dhe betuan më 22 qershor të vitit 1998 para ish Ministrit të Mbrojtjes kol. Ahmet Krasniqi, komandant ishte kol. Tahir Zemaj, ndërsa thyerja e kufirit në Koshare është bërë më 09.04.1999, më vendim të kom. Rrustem Berisha e jo më direktiva apo vendim të ish Shtabit të Rognerit përkundër shantazheve e lojërave, sabotimeve, pengesave më furnizime etj..më 11.04.1999, bie heroikisht Agim Ramadani ndërsa më 19.04.1999 komandanti dhe ish drejtuesi i Grupeve  të para Guerile  të vitit 1991 Sali Çekaj”, thekson Osman Ferizi.

Më tej, ai thotë se me presionin e Shtabit të Rognerit, filloi edhe zhbërja e brigadave 131, 133, 134.

“Poashtu ia kujtoi z. Klinaku që shoku dhe bashkëluftëtari i tij z. Xhafer Gashi deklaron se Agim Ramadani  nuk i ka takuar asnjë krahu politik, ky spekulim publik nuk ju bënë nder sepse ata nuk shkuan të luftojnë për parti e organizata që ju aderonit por për çlirimin e vendit nga okupatori. Dhe nga ky moment, në mungesë të këtyre dy strategëve e kolosëve  Sali Çekaj e Agim Ramadani, vrasja tradhtare e komplotiste, grupeve të LPK të mbështetura dhe nxitura nga ish Shtabi i Rognerit më 21.shtator 1998 në Tiranë ishte vrarë ish Ministri i Mbrojtjes kol. Ahmet Krasniqi , nga fillon zhveshja, zhbërja këtyre brigadave (131,133,134) që kishin fituar një autorit popullorë dhe fitore në beteja në Dukagjin dhe brezin kufitar, kështu që më 11.maj 1999 këto 3-brigada dhe njësia Delta3 shkrihen në Brigadën 138 “Agim Ramadani” pra një muaj që ishte vrarë  Agim Ramadani, këtë komplot e babëzi e bëri presioni i ish Shtabit të Rognerit në krye me Xhavit Halitin e Azem Sylen….e satelitet e tyre duke tentuar të zhbëjnë historinë e lavdishme të këtyre brigadave  dhe presion ndaj sistemit institucional të Ministrisë së Mbrojtjes”, shton Ferizi.

“Nëse bëhet një analizë e kujdesshme, UÇK-në e ka përbërë mbi 97% anëtarët e LDK-së, ndërsa  propagandimi, përfitimi në pasuri e karrierë politike i ka marrë PDK(ish LPK), duke shkelur mbi gjakun dhe të vërteten, ia kujtoi vrasjen e eprorëve, figurave politike, atdhetarëve të devotshëm që i ndodhën Kosovës në periudhën ma të rënd të saj”, shpjegon Ferizi.

Për fund, Ferizi i bën thirrje Rrustem Berishës që ta tregojë të vërteten për Betejën e Koshares.

“Lufta e Koshares është epopeja e vetme në Kosovë, është beteja e vetme që duhet të bëjë krenar çdo Shqiptar sepse aty u thy një Ushtri e organizuar dhe e armatosur shumë mirë në raport me ushtrinë tonë, kjo betejë ishte tmerri dhe Vietnam për Serbinë, kjo është nën komandën dhe drejtimin e ish FARK (Ministrin e Mbrojtjes), më emblema të UÇK-së. Unë kërkoi që të hapen arkivat e këtyre 3-brigadave, kërkoi nga komandanti i Koshares z. Rrustem Berisha që ta thotë të vërteten rreth Luftës së Koshares, sepse mjaft u spekulua, përfitua materialisht dhe më pozita  duke shkelë gjakun e të rënëve për lirin që ne e gëzojmë sot”, përfundon Osman Ferizi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat