Ushtria serbe në kufi, sinjal jo i mirë - ekspertët flasin pas kërkesave të Kosovës për NATO-n

Politika

Ushtria serbe në kufi, sinjal jo i mirë - ekspertët flasin pas kërkesave të Kosovës për NATO-n

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 17 prill 2024 Në ora: 08:08
Presidentja Osmani ditë më parë priti në takim përfaqësuesit e ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s

Ditë më parë për vizitë në Kosovë ka qenë Shefja e sektorit të Operacioneve Aktuale nga Selia e NATO-s, znj. Ariella Viehe.

Ajo është takuar me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Po ashtu, Viehe është takuar edhe me minsitrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci.

Ministri Sveçla kishte thënë se me zyrtaren e NATO-s kanë folur për situatën në veri të vendit.

Kam shprehur shqetësimin për qasjen e vazhdueshme destruktive të Serbisë si dhe për gjuhën e veprimet e saj kërcënuese në raport me Republikën tonë.

Theksova rëndësinë e ndëshkueshmërisë së ekstremistëve të dhunshëm e terroristëve, si garancë e mospërsëritjes së sulmeve me të cilat jemi ballafaquar së bashku me pjesëtarët e KFOR”, ka njoftuar Sveçla.

Kurse, ministri Maqedonci kishte folur për gjendjen e sigurisë në Kosovë.

Gjatë takimit gjithashtu biseduam për gjendjen e sigurisë në Kosovë, dhe theksova faktin që vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënimin të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit, e që duhet trajtuar me seriozitet lëvizjet e tilla të Serbisë edhe nga ana e NATO-s”, shkroi Maqedonci.

“Nënvizova që vazhdojmë me përkushtim të koordinohemi e të bashkëpunojmë gushtë si ministri me KFOR dhe Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), ndëërsa ritheksova se objektivi ynë është anëtarësimi në NATO, në mënyrë që FSK të ofroj kontribut aktiv në misionet për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, e për këtë po angazhohemi çdo ditë”.

Veseli: Është koha e sanksionimit të Serbisë

Image
Afrim Veseli

Ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli ka thënë se në Kosovë situata e sigurisë është e brishtë, sidomos tani kur edhe jemi në prag të anëtarësimit në KiE.

Situata e sigurisë është e brishtë e sidomos tani në prag të anëtarësimit në KiE.

Krejt kjo lëvizje e trupave të ushtrisë serbe është manovrë me qëllim të rritjes së presionit për EU.

Mendoj se është koha e sanksionimit të Serbisë për lojën BE dhe Rusisë”, thotë ai.

Hoxha: Nuk do të ketë zgjidhje finale pa rishqyrtim të kufijve mes shqiptarëve dhe serbëve

Image
Hafir Hoxha

Ish-ushtaraku Hafir Hoxha thotë se SHBA dhe BE e kanë synim kryesor që ta vendosin Serbinë nën kontroll sepse Ballkanin Perëndimor tashmë e kanë nën kontroll me përjashtim Serbinë.

Sipas Hoxhës, edhe armatimi i Francës thotë se ka të bëjë me futjen nën kontroll të Serbisë.

Forcat e NATO-s, SHBA e më vonë edhe BE kanë synim kryesor të kenë nën kontroll Ballkanin Perëndimor. Kjo gati se u arrit me të gjitha shtetet përveç me Serbinë e cila paraqet problem, tani më ka arritur Serbia që në anën e vet të peshores të ketë edhe ndihma nga Kina gjë që e rëndon problemin.

Kohën e fundit SHBA kanë filluar mes Francës dhe disa vendeve tjera t’i ofrojnë Serbisë material luftarak, aeroplan më të fuqishëm se sa i ka Kina dhe Rusia ku në këtë gjest dalëngadalë do ta fusin nën kontroll edhe Serbinë e cila këtë e di prandaj shantazhon me kërkesat e saj në Kosovë, cilat kërkesat e Serbisë dhe cilat dhurata, oferta do t’i japin BE dhe SHBA në dëm të Kosovës mbetet të shihet me kohë”, thotë ai.

Tutje, ai zbërthen edhe atë nëse edhe FSK-në do ta paijsin me armatim, duke thënë se me këtë mund ta kenë më lehtë ta kushtëzojnë Kosovën për themelimin e Asociacionit.

Ndoshta në të njëjtën kohë ato do ta përforcojnë dhe do ta armatosin edhe FSK-në që më lehtë të pranon Kosova kushtëziminin për Zajednicën që më vonë do të bëhet pjesë e Serbisë me kohë sikur që do të bëhet Presheva, Medvegja e Bujanovci pjesë e Kosovës e të gjitha bashkë të Shqipërisë.

Pra, zgjidhje finale dhe të sukseshme pa rishqyrtim të kufijve mes shqiptarëve dhe serbëve nuk do të ketë, takimet, pajtimet, refuzimet janë garë kush sa më shumë të ruan apo të fiton!”, përfundon ai për “Bota sot”.

Qarri: Situata në veri mund të përkeqësohet

Image
Gani Qarri

Analisti Gani Qarri thotë se tash pas më shumë se 23 vitesh Kosova mund të themi se po kontrollon veriun, duke dëbuar organizatat kriminale dhe kriminelët nga veriu, andaj sipas tij, kjo qetësi që është aktalisht në veri nuk i konvenon Serbisë, prandaj Serbia edhe po vazhdon me provokime të pareshtura ndaj Kosovës, siç iu diktua, së fundi me urdhrin e Vuçiqit, minoritetit serb, që të mos marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë, e madje ta bojkotoj edhe votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri.

Për fat të mirë, falë shtrirjes së shtetësisë edhe në veri të vendit tonë, pas mese 23 vitesh, veprimeve të kujdesshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe angazhimit të suksesshëm të Policisë së Kosovës, në përputhje me nevojat në terren, si dhe ndalimit me ligj të organizatave terroriste të ashtuquajturave "mbrojtja civile" dhe "brigada e veriut", nga Qeveria e Kosovës,me ç`rast u rrit edhe bashkëpunimi i qytetarëve të lodhur minoritar nga keqtrajtimet psikike dhe fizike të grupeve kriminale dhe bandave terroriste serbe të kryeterroristit Milan Radojçiq, me institucionet e shtetit, gjendja në veri të Kosovës, veçanërisht në dy-tre vitet e fundit, nuk mbahet mend të ketë qenë më e qetë dhe stabile.

Kështu që për herë të parë, që nga çlirimi i Kosovës, para mese një çerek shekulli, edhe sipas konfirmimit të organizatës joqeveritare “International Crisis Group”, e cila ka mision parandalimin e konflikteve në rajon dhe botë, në deklarimet për veriun, që vetëm deri para 1-2 vitesh kontrollohej nga grupet kriminale të kryeterroristit Radojçiq dhe bandat e organizatave terroriste serbe, të ashtuquajtura "mbrojtja civile" dhe "brigada e veriut" me ndalimin e veprimtarisë së tyre dhe dëbimin e terroristëve serb, matanë kufirit në Serbi, vërtetohet se Kosova është duke fituar tërësisht betejën për kontrollin komplet të pjesës së saj veriore.

Mirëpo stabilizimi i gjendjes në veri të Kosovës, nuk i ka konvenuar asnjëherë Serbisë dhe tanimë shihet qartë se kthimi i qetësisë dhe stabilitetit në veri, po i pengon edhe më shumë seç pritej Vuçiqit dhe bandës së tij, madje shumë më tepër se që është besuar nga disa vende ndërkombëtare, ndaj Serbia edhe po vazhdon me provokime të pareshtura ndaj Kosovës, siç iu diktua, së fundi me urdhrin e Vuçiqit, minoritetit serb, që të mos marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë, e madje ta bojkotoj edhe votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri, gjë që ata vet, me shumë ngulm, tash e sa kohë, e kanë kërkuar, me qëllimin e vetëm, që përsëri, nëse arrijnë, ta përshkallëzojnë sado pak, situatën plotësisht të qetësuar në veri”, shprehet ai.

Sa i përket takimit të drejtoreshës së NATO-s, me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës ai thotë se mund të merret si sinjal se pas kërcënimeve të Serbisë fashiste, situata në veri mund të përkeqësohet, andaj duhet të merren edhe masa në koordimin me NATO.

Ndaj në kuadër të këtyre zhvillimeve, luftës në Ukrainë, përshkallëzimit të situatës në Lindjen e afërt dhe acarimit të gjendjes së gjithmbarshme politike ndërkombëtare, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci së fundi kanë zhvilluar takime ndaras me shefen e re aktuale, Divizioni per Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, znj. Ariella Viehe, për vlerësimin e situatës dhe ndërmarrjen e masave paraprake, në rast nevoje edhe në Kosovë, e me theks të veçantë në veri.

Kështu që edhe temë e këtyre takimeve ishte situata në veri, për informimin më të përafërt dhe ndërmarrjen e hapave të nevojshëm paraprak dhe konkret, konform situatës dhe zhvillimeve që mund të priten, pas kërcënimeve më të reja të Serbisë, kur dihet mirëfilli se, Serbia disa herë ka organizuar përqëndrime masive trupash dhe grumbullim mbiproporcional të forcave të ushtrisë serbe, përgjatë kufirit verior, të vendosur edhe në pozicionime lufte, kundër Kosovës, akte që detyruan edhe NATO-n, SHBA e BE dhe faktorin ndërkombëtar të reagonin njëzëri, kundër Serbisë, për tërheqjen e forcave ushtarake, nga kufiri me Kosovën.,

Në fakt takimet e drejtoreshës së NATO-s, me udhëheqësit e institucioneve më të larta shtetërore, ndodhin që në koordinim me NATO-n të ndërmerren edhe masave konkrete, si sinjal se pas kërcënimeve të Serbisë fashiste, situata në veri mund të përkeqësohet, por përkundër të gjitha marrëzive me të cilat Serbia fashiste, mund të provoj ta kërcënojë Kosovën, gëzon fakti, se, përderisa në vendin tonë janë të përqendruara trupat e Aleancës Veriatlantike NATO, faktikisht Kosova, është dhe mbetet e rrezikuar më tepër indirekt me sulme "taktike" si aksioni terrorist në Banjë të Zveçanit nga Serbia , që kanë mundur ndodhnin vetëm atëherë, kur kanë dashur, apo kanë lejuar, edhe forcat "paqeruajtëse" prezentë në atë pjesë të territorit, për ushtrim të trysnisë politike mbi vendin tonë, për shkak të mosbindjes së Qeverisë Kurti për ti bërë lëshime Serbisë edhe 25 vite pas çlirimit, brenda territorit të shtetit tonë.

Përndryshe Serbia nuk ka asnjë shanse ta sulmojë Kosovën dhe rrezikojë përsëri konfrontimin me NATO-n, duke pasur parasysh përvojën e keqe dhe mësimet e hidhura, që ka marrë nga përballja e vitit 1999, me këtë Aleancë, që është edhe më e madhja në botë”, përmbylli ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat