Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës/ Avokati shqiptar i ashpër me Daçiqin/ Zbulon ‘shqetësimin’ e Serbisë!

Politika

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës/ Avokati shqiptar i ashpër me Daçiqin/ Zbulon ‘shqetësimin’ e Serbisë!

Nga: M.Haziri Më: 17 prill 2024 Në ora: 14:08
Spartak Ngjela

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se 16 prilli është “ditë e turpshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, pasi shumica e deputetëve të saj e mbështetën anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime, Asambleja Parlamentare e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë një seance plenare të martën në Strasburg.

Radiotelevizioni i Serbisë (RTS) e citoi Daçiqin të ketë thënë se Serbia do ta vazhdojë luftën e saj “me të gjitha forcat” në mënyrë që vendimi të mos miratohet në Komitetin e Ministrave më 16 maj.

E në lidhje me këtë deklaratë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati shqiptar, Spartak Ngjela.

Ai thotë se nuk ka rëndësi deklarata e Daçiqit për Evropën dhe se anëtarësimi i Kosovës është një fitore për shqiptarët.

“E çfarë rëndësie ka për Evropën demokratike mendimi i Ivica Daçiç, ministri i Jashtëm i një shteti terrorist, siç është Serbia?!

Duhet të kemi parasysh se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përbëhet nga 324 anëtarë. Këta anëtarë vijnë nga parlamentet kombëtarë të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, dhe kuptohet se ky organ, bashkë me Këshillin e Ministrave të Evropës, është sot zëri real politik i Evropës.

Anëtarësimi i Kosovës në këtë organ panevropian, është një fitore e re për çështjen shqiptare në Gadishullin Ilirik”, u shpreh ai.

Më tej, avokati thekson që ringritja e dy shteteve shqiptare po e shqetëson Serbinë, por që nuk mundet më asgjë të i bëj Kosovës.

“Dy shtete Shqiptare në Asamblenë e Këshillit të Evropës, përbën në vetvete një ringritje të mëtejshme të dinjitetit kombëtar të etnisë shqiptare në Evropë.

Dhe kjo, sigurisht që e shqetëson ish pushtuesin e Kosovës.

Por asgjë nuk mund t'i bëjë më Serbia e Milosheviçit çështjes shqiptare.

Koha po tregon se shqiptaria vijon të jetë në progresin e vet kombëtar, dhe ne shumë shpejt po presim që zhvillime të reja në sensin kombëtar, të ketë edhe ne komunitetin prej mbi një milionë shqiptarësh në Maqedoninë e Veriut.

Copëtimi i Shqipërisë ka marrë fund, dhe një mendje e kthjellet e kupton sot që, Feferata Shqiptare, e përbërë prej tre shtetesh në Ballkan, po vjen me forcën e vullnetit ndërkombëtar”, përfundoi avokati shqiptar, Spartak Ngjela për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat