Kërcënonte se do të dalë nga KiE, Lepaja pas votimit të Asamblesë i drejtohet Serbisë: Nuk e ke vendin aty

Politika

Kërcënonte se do të dalë nga KiE, Lepaja pas votimit të Asamblesë i drejtohet Serbisë: Nuk e ke vendin aty

Nga: Naile Ejupi Më: 17 prill 2024 Në ora: 22:06
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar të martën pro raportit që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Për kanë votuar 131 deputetë, kundër 29, ndërsa kanë abstenuar 11.

Vendimi i Asamblesë vjen pas një fushate “të egër” të Serbisë kundër Kosovës, madje edhe pas kërcënimeve të ndryshme.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, para se të ndodhte vendimi kishte deklaruar se dalja e Serbisë nga Këshilli i Evropës (KiE) është një nga mundësitë në rast se Kosova pranohet në atë organizatë ndërkombëtare.

“Ju shkoni me këtë dhe pastaj do të shohim nëse Serbia do të qëndrojë në Këshillin e Evropës apo jo”, ka deklaruar Vuçiq, pasi KiE konfirmoi se kandidatura e Kosovës do të jetë në agjendë në fund të marsit.

I pyetur nëse kjo është një nga opsionet që nëse Kosova pranohet në Këshillin e Evropës, Vuçiq edhe një herë konfirmoi se sigurisht që është “një nga mundësitë”.

“Këtë nuk do ta zbuloni para se ta bëni këtë (pranoni Kosovën në Këshillin e Evropës), kështu që do të shohim. Do të shohim. Ndoshta do t’ju pëlqejë më shumë ta keni Prishtinën (Kosovën) në Këshillin e Evropës, sesa Beogradin dhe Serbinë”, ka thënë ai,

“Ky do të ishte ‘de facto; dëbimi i Serbisë… Ne gjithmonë kemi pasur qëndrim liridashës”, ka shtuar presidenti serb.

Publicisti dhe autori i shumë shkrimeve për rajonin, Serbinë dhe marrëdhëniet shqiptaro-serbe, Fadil Lepaja, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se paralajmërimi i Serbisë është veprim për t’u vlerësuar.

Sipas tij, do të ishte e ndershme që Serbia vërtet ta bëjë këtë.

“Paralajmërimi i Serbisë se mund të tërhiqet nga Këshilli i Evropës, nëse pranohet Kosova, është një veprim për t’u vlerësuar, pasi me këtë mentalitet mesjetar dhe me ideologji kleronacionaliste, Serbia nuk e ka vendin në institucione të Evropës. Do të ishte e ndershme që vërtetë ta bëjë këtë, derisa në këtë vend të fitojë demokracia dhe elita politike, dhe ekonomike e Serbisë të orientohet përfundimisht në rrugën evropiane. Modeli i reagimit të delegacionit serb, na i kujtoi votimet e dikurshme në institucionet e ish- Federatës jugosllave, dhe shpërfaqi qartë arsyet përse ishte shpërbërë ish-Jugosllavia dhe kush ishte fajtor për luftërat në ish-Jugosllavi”, deklaron Lepaja.

Image
Fadil Lepaja

Tutje, sipas Lepajës feja dhe nacionalizmi në një paketim nuk mund të jenë përgjigje ndaj Serbisë.

“Me këtë sjellje jo civilizuese u bë e dukshme para publikut evropian e botëror fakti se demokracia evropiane është e papajtueshme me ideologjitë reaksionare, kleronacionaliste serbe. Kjo është mësim edhe për disa ide ndër shqiptarët, edhe në Kosovë, se feja dhe nacionalizmi në një paketim nuk mund të jenë përgjigje ndaj Serbisë. Demokratizimi, shteti laik, të drejtat e njeriut janë vlera të padiskutueshme të cilat e fuqizojnë Serbinë, por edhe të gjitha vendet e rajonit dhe krijojnë kushte për ta sjellë Evropën në Ballkan, e jo për të ballkanizuar Evropën , siç po tentohet në disa rrafshe strategjike, përfshi edhe paraqitjen e fundit të delegacionit serb në KiE”, shton Lepaja.

Kosova ka aplikuar më 12 maj 2022, për anëtarësim në Këshillin e Evropës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.

Në vijim, rekomandimi i APKE-së do të kalohet tek Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme, të cilët do të marrin vendimin përfundimtar. Kjo fazë e ardhshme është jetike, pasi vendimi përfundimtar kërkon një shumicë të dy të tretave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat