“Plani misterioz” i Pahor, a po merr dialogu në Bruksel kahje tjetër - sinjale pozitive për Kosovën!

Politika

“Plani misterioz” i Pahor, a po merr dialogu në Bruksel kahje tjetër - sinjale pozitive për Kosovën!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 22 prill 2024 Në ora: 11:50
Borut Pahor.

Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të jetë një nga çështjet më të diskutuara jo vetëm në vend, por edhe në rajon e më gjerë.

Në varësi të zhvillimeve politike, po ndryshon edhe kahja e negociatave.

Shpesh janë kritikuar dy ndërmjetësit evropianë, Josep Borell e Miroslav Lajçak për qasjen e tyre të një anshme.

E siç duket, ka ardhur fundi i Lajçakut në këtë proces diplomatik, derisa pozitën e të cilit po synon ta zë ish-presidenti slloven, Borut Pahor.

Së fundi, Pahor i cili ka gjasa të zëvendësojë Miroslav Lajçakun në pozitën e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka dhënë disa deklarata në lidhje me procesin e bisedimeve, ku ka thënë se ai ka ngecur për shkak të mungesë së besimit.

Ish-presidenti slloven ka thënë se ka një plan për rikthimin e besimit dhe për vazhdimin e dialogut.

I pyetur se çfarë do të ndryshonte në dialog dhe ku e sheh zgjidhjen, Pahor tha se këtë tani nuk mund ta thotë, por shtoi se është i interesuar për postin e emisarit special të BE-së.

“Nuk mund ta them këtë tani, derisa të mos fillojë procesi. Unë kam vendosur të hyj në atë proces dhe më pas, nëse ata e pranojnë atë vendim, do t’i them dhe do t’i ofroj të gjitha referencat e mia, do të jap planin tim. Dialogu është në ngërç, ka mungesë besimi dhe ne duhet të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara me besim më të madh”, tha Pahor.

Ai theksoi se pa progres në dialog, as Kosova e as Serbia nuk mund të arrijnë asgjë për një të ardhme më të sigurt.

Mirëpo, fakti që nuk dha detaje, Pahor nxiti kureshtje mbi atë se për çfarë plani mund të bëhet fjalë.

Fakti, se ky i fundit pritet të jetë ndërmjetësues në bisedimet Kosovë-Serbi, po cilësohet si pozitiv për vendin tonë, pasi vjen nga një shtet mik i yni.

E në lidhje me “planin” e Pahorit dhe mbarëvajtjen e dialogut për “Bota sot” folën njohësit e çështjeve politike.

Qarri: Pahor dha një fije shprese me premtimin se ai ka planin personal

E për këtë temë, foli analisti politik, Gani Qarri.

Së pari, ai e vlerësoi Pahorin, duke e cilësuar si një figurë të shquar politike dhe se me deklaratën e tij për një plan të ri për dialogun Kosovë-Serbi, dha shpresë se do rikthehet besimi te BE.

Image
Gani Qarri.

“Ish-presidenti slloven Borut Pahor, si figurë e shquar politike i cili aktualisht synon ta marrë postin e ndërmjetësit të BE-së, pas ikjes së Miroslav Lajçak-ut në gusht të këtij viti, i vetëdijshëm se dialogu ka ngecur për shkak të mungesës së besimit dhe trajtimit të pabarabartë të Kosovës, nga ndërmjetësit pro serbë të BE-së, të cilët gjatë gjithë mandatit, mbajtën publikisht anën e Serbisë, dha një fije shprese me premtimin se ai ka planin personal që do të ndihmonte në rikthimin e besimit, duke ofruar referencat e tij nga përvoja e gjatë politike, nëse nga BE, përzgjidhet si ndërmjetës dhe e merr detyrën e emisarit për dialogun Kosovë-Serbi!”

Gjithashtu, Qarri tha se dialogu e ka humbur kuptimin e tij, pasi shteti serb në vazhdimësi bën manovra të rrezikshme, kërcënon Kosovën dhe nuk zbaton marrëveshjet.

E kjo sipas tij, ka ndodhur për shkak të padrejtësive të shkaktuara nga ndërmjetësuesit evropianë, Lakçak e Borell, duke i cilësuar ata si të një anshëm dhe pro-serbë.

“Në fakt, dialogu përveçse ka humbur tërësisht kuptimin, shkaku i manovrimeve të Serbisë hegjemoniste e cila herë luan me letra qeveritare drejtuar BE-së, se nuk do ta pranojë Marrëveshjen e dakorduar në Bruksel as Aneksin e Ohrit, e herë duke përsëritur manovrimet e rrezikshme, me lëvizjen e ushtrisë dhe përqendrimet masive të forcave të armatosura të Serbisë në pozicione lufte, përreth kufijve të Kosovës, dialogu vërtetë ka rënë në ngërç të plotë, për të mos thënë se edhe ka pësuar kolaps total.

Kjo gjendje është pikërisht pasojë e padrejtësive, animeve të hapura pro-serbe dhe mungesës totale të besimit te ndërmjetësi Mirosllav Lajçak dhe Shefi për Politikë të Jashtme i BE-së, Josepp Borell, ndaj Pahor ka plotësisht të drejtë, kur thotë se duhet gjetur një mënyrë më e baraspeshuar e trajtimit të vendeve dialoguese, për të ecur përpara dhe rikthyer besimi te ndërmjetësi i ri, sepse pa përparim në dialog, Kosova, e pas kushteve të vendosura në kapitullin 35, për përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit, për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, as Serbia nuk mund të arrijnë asgjë, në rrugën për integrim në BE”, shpjegoi analisti.

Në fund, potencoi se ndërmjetësi i ardhshëm i dialogut, t’i trajtojë drejtë e barabartë të të dy vendeve, si dy shtete të pavarura dhe jo të mbajë anën e ndonjërës.

Duke pasur parasysh se vet vendet e Ballkanit Perëndimor, mbajnë përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe mirëqenies së njerëzve në rajon dhe vetëm zgjerimi i Bashkimit Evropian ofron garanci të qëndrueshme të paqes dhe sigurisë edhe në këtë pjesë të kontinentit të Evropës, për tu arritur këto, ndërmjetësi i ardhshëm i dialogut, e ka për obligim të promovojë trajtim të drejtë e të barabartë të të dy vendeve, si dy shtete të pavarura duke mos-anuar nga asnjëra palë dialoguese”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Zogaj: Mosrealizimi i marrëveshjeve tashmë ka arritur pikën kritike të dialogut

Ndërsa, ndryshe e vlerëson këtë çështje opinionisti Skënder Zogaj.

Fillimisht, ai komentoi mbarëvajtjen e dialogut që nga fillimi i tij dhe përpjekjet e BE-së për të arritur një zgjidhje finale.

Image
Skënder Zogaj.

“Dialogu shqiptaro serb është projekt politiko-diplomatik ndërkombëtar, që u është ofruar palëve si mundësi për zgjidhjen e problemeve ndërshtetërore pas konfliktit të armatosur dhe shkëputjes dhe pavarësisë shtetërore të Kosovës së aneksuar nga serbo-jugosllavia. Projekti për dialog është propozuar nga BE -ja dhe është miratuar nga dy palët, që zhvillohet nën mbikqyrjen e BE-së dhe që ka rezultuar me një varg marrëveshjesh të nënshkruara nga të dy palët! Marrëveshjet e dialogut, për fat të keq, nuk e kanë gëzuar konsideratën e duhur, apo më saktë: dy palët i kanë sabotuar, dhe, kjo i ka shkaktuar dëm të madh, madje të pariparueshëm, shtetësisë së Kosovës dhe seriozitetit të shqiptarëve për pavarësi!” – deklaroi opinionisti.

Krahas kësaj, Zogaj tha se shkaku i moszbatimit të marrëveshjeve, dialogu ka arritur në një pikë shumë kritike.

“Mosrealizimi i marrëveshjeve tashmë ka arritur pikën kritike të dialogut, dhe faji kryesor i takon Kosovës, e cila “ka hy në mal pa sakicë” dhe kjo i ka konvenuar Serbisë, e cila e ka synuar "bishtin e sakicës" por tash po e kërkon edhe sakicën!!'

Situata është e palakueshme, por BE-ja nuk po heq dorë, po vazhdon t'i përkëdhelë të dy palët!”.

Ndër të tjera, opinionisti komentoi edhe “planin” e Pahorit, ku tha se ndonëse vjen nga një shtet mik, ai do zbatojë planet e BE-së, pasi do vije si i ngarkuar i saj.

“Paralajmërimi i Pahorit për një plan të ri të dialogut kur ta merr detyrën e emisarit, është një fjalë goje së cilës Kosova duhet t'ia ketë frikën dhe të mos rrijë duarkryq, por të mobilizohemi për t'u ballafaquar me shkopin, sepse më nuk ka karrota. Unë mendoj se, pavarësisht nga dëshirat e mira të Borut Pahor, ish-presidentit të Sllovenisë e cila është mike e madhe e Kosovës, si misionar i BE-së, në dialog pak mund të bëjë nga aspekti personal, sepse ai vjen si misionar i ngarkuar i BE-s edhe vjen për të zbatuar planet e saj, e jo planet e veta!” – përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat