“Fitore e Kurtit”, Ramabaja zbërthen rezultatet e referendumit në veri – ja si dështoi plani i Listës Serbe dhe Vuçiqit!

Politika

“Fitore e Kurtit”, Ramabaja zbërthen rezultatet e referendumit në veri – ja si dështoi plani i Listës Serbe dhe Vuçiqit!

Nga: A.M. Më: 22 prill 2024 Në ora: 16:53
Sadri Ramabaja.

Referendumi i së dielës për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës, dështoi për shkak të bojkotimit të votimeve nga pjesëtarët e komunitetit serb.

Kështu që, Qeveria e Kosovës i bëri thirrje të hënën Bashkimit Evropian që të heqë masat ndëshkuese ndaj saj pas përmbushjes së detyrimeve për mbajtjen e procesit të votimit për largimin e kryetarëve në veri të vendit, që duhej t’u hapte rrugën zgjedhjeve të reja.

“Me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, Kosova ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për shtensionimin e situatës në veri të vendit”, thuhet në një komunikatë të qeverisë.

E në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” ka folur profesori Sadri Ramabaja.

Ai tha se ky referendum mund të shihet në dy aspektet, si i dështuar për Vuçiqin e Serbinë dhe si fitore për Kurtin e Kosovën.

“Cilësimi ‘dështim’ në këtë rast ka dy anë të medaljes. Prandaj mund ta cilësosh si dështim, varësisht se me cilën dioptri e shikon atë. Nëse referendumi shihet me dioptrin serbe, alias me syzet e Vuçiqit dhe Radoiçiqit, po, atëherë mund të konkludohet se ai ka dështuar. Por, nëse ai shikohet me dioptrinë e Perëndimit, realisht rezulton se bojkoti është produkt i mungesës së racionalitetit politik, që paralajmëron eskalim të gjendjes. Ndërkaq, nëse e vrojtojmë krejt rrjedhën e zhvillimeve politike në katër komunat e veriut të Republikës, me dioptrinë shqiptare, duhet të konkludojmë se strategjia e përzgjedhur e veprimit të Qeverisë Kurti ka rezultuar e drejtë dhe me mundësi reale që të korrë fitore të thellë.

Le të kujtojmë për një çast se beteja politike në raport me veriun e Kosovës nga ana e Vuçiqit filloi me tërheqjen e kryetarëve të katër komunave dhe të strukturave tjera politike dhe të sigurisë e gjyqësorit nga institucionet legale të Republikës së Kosovës. Ky veprim u pasua me aksione dhune e terrori dhe kulmoi me agresionin shtetëror serb ndaj Republikës sonë më 24 shtator 2023”, deklaroi profesori.

Gjithashtu, Ramabaja u rikthye pas në kohë dhe shtjelloi situatën se si erdhi deri tek zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri dhe largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës me urdhër të Vuçiqit.

“Në përputhje me ligjin, më 23 prill të vitit 2023, KQZ-ja organizoi zgjedhje të jashtëzakonshme lokale në komunat me shumicë serbe - Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Legaliteti i tyre u njoh nga BE dhe ShBA, por u kontestua legjitimiteti. Rrjedhimisht partnerët tanë insistuan që zgjedhjet të përsëriten në kohë dhe rrethana më të përshtatshme, duke shpresuar se shpejt do të mbyllet Marrëveshja Bazike e Brukselit që ishte akorduar disi më 24 shkurt 2023 përmes aneksit që pritej të nënshkruhej më 18 mars 2023.

Ndërkohë nga ana e faktorit të jashtëm ishte përvetësuar kërkesa e Serbisë për dorëheqjen e kryetarëve legal dhe ajo e njësive speciale të Policisë sonë të instaluara në veri. Këto kërkesa me karakter pothuajse ultimativ ishin si një lloj parakushti për rikthim të serbëve në institucione dhe ecje drejt realizimit të Marrëveshjes Bazike. Qeveria e Kosovës natyrisht nuk pranoi kapitullimin.

Ky vendim u dëshmua i drejt, përkundër masave nga ana e BE-së, pikërisht më 24 shtator 2023, kur Serbia mëtoi ta bënte akt të kryer pushtimin e veriut”, vlerësoi ai.

Në vazhdim, profesori potencoi se shqiptarët nuk kishin pse të dilnin në referendum, pasi ata në zgjedhjet e kaluara kishin votuar kandidatët e tyre.

Megjithatë, konsideroi se ky referendum shpërfaqi dështimin e Listës Serbe për ta manipuluar listën e votuesve.

“Qeveria e Kosovës në përpjekjet e saj për të dalë nga ky rreth vicioz dhe në përgjigje të kërkesave të partnerëve tanë, veproi në përputhje me interpretimet ligjore të nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe hartoi udhëzimin administrativ përkatës.

Rrjedh e veprimeve taktike të Serbisë në veri nuk lë hapësirë të akceptohet nga ana jonë referendumi si akt i dështuar. Shqiptarët nuk kishin pse të dilnin në referendum. Ata kishin kryer obligimin e vet kushtetues, duke marrë pjesë në zgjedhje dhe duke votuar për kandidatët e tyre me kohë.

Referendumi është organizuar konform ligjit për pushtetin lokal, por edhe me insistimin e partnerëve tanë.

Organizimi i këtij referendumi mund të shihet edhe si shprehje e vullnetit politik të Kosovës për një lloj rishikimi pozitiv të raporteve me partnerët tanë, e pse jo edhe ndaj minoritetit serb, qytetarë të Republikës sonë.

Referendumi shpërfaqi njëkohësisht edhe pamundësinë reale të Listës Serbe për të manipuluar me listën e votuesve, siç kishte bërë përherë; bojkotimi është një lloj dorëzimi para realitetit të ri të krijuar në veriun e Republikës”, nënvizoi Ramabaja.

Më tej, ai nënvizoi se fakti që pala serbe po tenton të blejë kohë për marrëveshjen bazike, për këtë nuk ka vullnet politik për ta zhbllokuar situatën.

Krahas kësaj, ai kërkoi që dy kryetarët shqiptarë që qeverisnin në objekte alternative të rikthehen në komunat përkatëse.

“Refuzimi an bllok i Listës Serbe [alias i Beogradit] dëshmon faktin se pala serbe nuk ka vullnet politik për ta zhbllokuar gjendjen që fundja vet e kanë krijuar.

Pala serbe po blen kohë. Kështu ka vepruar gjatë gjithë periudhës që kur është arritur ujdia për Marrëveshjen Baziike. Në këtë mënyrë ajo vazhdon ta bojkotojë atë.

Pjesëmarrja fillimisht në mbledhjen e 20% të votave nga Lista Serbe për peticionin për të përmbushur kushtin ligjor për referendum, ajo rezulton se e ka bërë thjeshtë për të blerë kohë. Po për të njëjtin qëllim e bën tani sabotimin e tij. Në këtë kuadër nxitës për një hap të kësaj natyre, mund të jenë edhe listat e votuesve. Trupi elektoral i serbëve në veri, sipas listave që i janë bartur KQZ-së nga ana e UNMIK-ut që në vitin 2003, tani do të duhej të kishte diku rreth 56.000 votuesë. Kjo shifër rezulton të jeët tejet e fryrë. Gjasat reale janë që nuk ka më shumë se 25.000 votuesë dhe rrjedhimisht Lista Serbe ia kishte arritur ta përmbushte kushtin prej 20%, por ishte e vetëdijshme që nuk ia del dot të arrijë atë të 50%-shit.

Ndërkohë, kryetarët që dolën me votat e qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit 2023 [edhe ata dy që qeverisnin nga objekte alternative], duhet të vendosen pa humbur kohë në objektin zyrtar të komunës dhe të kryejnë detyrën e tyre kushtetuese tutje deri në afatin ligjor”.

Ndër të tjera, Ramabaja mirëpriti edhe reagimin e ambasadës amerikane, ku tha se të njëjtin reflektim e pret edhe nga Bashkimi Evropian, ku me këtë rast edhe do duhej t’i largoheshin Kosovës masat ndëshkuese.

“Reagimi pozitiv i ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është konfirmim i mbështetjes së Kosovës në rrugën e funksionalizimit të Republikës dhe selitjes së demokracisë tutje konform vlerave të demokracisë liberale.

Unë pres që në këtë linjë do të jetë edhe reflektimi i BE-së dhe pres që të inicohet shpejt heqja e masave te padrejta ndaj Kosovës. Ndërkaq ndeshtrashat që do t’i dlin Komisionit Europian në këtë plan nga aleatët e Serbisë, me theks nga Hungaria e Orbanit, flasin pastaj për dobësitë e brendshme të vet BE-së, që duhet t’i tejkalojnë në dobi të interesit strategjik të përbashkët.

Sidoqoftë, ndeshtrashat e brendshme Komisioni do të duhej t’i tejkalonte dhe të merrte vendimin për heqje e masave të BE-së ndaj Kosovës para mbledhjes së Këshillit ministerial të KiE-së. Ky hap do të ishte krejtësisht në përputhje me filozofinë politike të vet BE-së.

Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave, siç dihet, do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj. Aty do të ishte në përputhje me rrjedhën logjike të zhvillimeve gjeopolitike, në koordinim të plotë me interesat strategjike të Europës, që Këshilli të votonte pro aderimit të Kosovës dhe t’i hapej rruga krijimit të rendit të ri europian”, përmbylli Sadri Ramabaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat