Tri ditë zhurmë dhe pastaj avaz i njëjtë, ku “gaboi” Kosova në parandalimin e vrasjes së grave?

Politika

Tri ditë zhurmë dhe pastaj avaz i njëjtë, ku “gaboi” Kosova në parandalimin e vrasjes së grave?

Nga: N.E Më: 22 prill 2024 Në ora: 20:15
Foto ilustrim

Kosova po e mbyll një javë mjaft tronditëse, me dy vdekje të grave brenda katër ditësh. Të shtunën e kaluar, Valon Aliu ka vrarë ish-bashkëshorten e tij, 21-vjeçaren Erona Cokli, ndërsa pas katër ditësh, Edomond Lajqi ka vrarë bashkëshorten e tij, Gjyljeta Ukellën 43 vjeçare.

Të dyja vrasjet bën që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të shpallë të mërkurën ditë zie.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në një ngjarje në Prishtinë, kishte dënuar vrasjen në Pejë, duke theksuar se të gjithë e kanë për detyrë të mbrojnë gratë dhe vajzat.

“Fatkeqësisht, sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht. Dhe, mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb. Rizgjohemi sërish në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur”, u shpreh Osmani.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u shpreh se pavarësisht “masave të ndërmarra, fushatave të iniciuara me qëllim pikërisht barazinë gjinore, vrasjet ndaj grave po vazhdojnë”.

“Shpeshherë dhunuesit janë bërë vrasës pikërisht për shkak të mosndëshkimit adekuat nga institucionet përkatëse”, ka shkruar Haxhiu në rrjetin social Facebook.

Pavarësisht reagimeve në rrjete sociale, e konferenca të ndryshme, kundër vrasjes së grave pati edhe protesta, mirëpo për kaq ditë tashmë tema e tyre është “harruar”.

Që të mos harrohen vrasjet e grave dhe të tjerët të mos ndërmarrin më hapa të tilla, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Shala ka thënë se Kosova ka dështuar në raport me çështjen e parandalimit të vrasjes së grave, pasi që nuk ka përgatitur elementët që do të ndikonin pozitivisht në uljen e veprave të kësaj dukurie.

“Situata në Kosove duhet të analizohet mbi bazën empirike të aspektit të etiologjisë së veprimeve që shtyn personat të kryen vepra penale privim nga jeta personin tjetër, por edhe në aspektin fenomenologjisë po jepet përmes kryerjes së vrasjes si mundësi me e shpejt për të arritur qëllimin që ka personi/personat”, ka deklaruar Shala.

Ai ka thënë se legjislacioni është pozitiv për veprat penale të kësaj dukurie, por personat nuk e dinë peshën e veprës penale.

“Sa i përket pikës se çështjeve preventive Kosova ka dështuar në këtë pikë duke mos përgatitur fare elementët që mund të ndikojnë pozitivisht në uljen e veprave të kësaj dukurie. Masat represive mund të themi që legjislacioni është pozitiv për veprat penale edhe të kësaj pjese duke përcaktuar shkallën dhe peshën e veprës penale dhe as një vrasje ( vepër penale ) nuk ka motive të caktuara unifikuese se këto janë elementët që ndikojnë apo shpërfaqin veprën penale”, ka shtuar eksperti.

Kujtojmë, se nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 57 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat