Ushtria serbe 30 kilometra në kufi me Kosovën/ Eksperti i sigurisë tregon pse kjo nuk paraqet asnjë rrezik kjo

Politika

Ushtria serbe 30 kilometra në kufi me Kosovën/ Eksperti i sigurisë tregon pse kjo nuk paraqet asnjë rrezik kjo

Nga: P.R. Më: 23 prill 2024 Në ora: 13:58
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Sipas kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me ushtrimet ushtarake që Serbia po zhvillon vetëm 30 kilometra larg kufirit të Kosovës, ajo po tregon që është aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese në Ballkan.

“30 kilometra larg kufirit të Kosovës në Pashter të Sanxhakut është duke u zhvilluar, dita mbase kryesore e ushtrimit të tyre ushtarak të quajtur ‘Vihor 2024’, ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime përveç se është 30 km larg kufirit të Kosovës është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori, aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë të cilën nuk e njeh por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë. Ushtrimi që po e bëhet në Pashter të Sanxhakut, pra paraqet kërcënim, ndërkaq në anë tjetër, paraqet edhe ndotjen më të madhe të ajrit e tokës në Sanxhak”, tha kryeministri Kurti.

Por sipas ekspertit të sigurisë, Bedri Elezi, deklarimet e Kurtit janë pak të nxituara, pasi në këto ushtrime po merr pjesë edhe përfaqësuesi i KFOR-it, i cili është garantuesi kryesor i sigurisë së Kosovës.

Image
Bedri Elezi

“Mund të themi që aktivitetin që e organizon Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, përkatësisht trajnimi apo lloj aktiviteti promovues që ka të bëjë me testimin e pajisjeve të veçanta siç janë këtë rast edhe dronët kamikazë dhe të njëjta do të i mbajë në një aktivitet të cilin e ka paraparë që të organizojë në një afërsi më Kosovën, diku rreth 30 kilometra larg vendit. Mund të themi se vërtetet se këto ushtrime ushtarake janë pjesë e aktiviteteve të Serbisë, të cilat mund të themi se kanosin sigurinë e Kosovës, por në rastin konkret edhe deklarimet e kryeministrit të Republikës së Kosovës, kanë thënë mund të themi pak të nxituara dhe jo mirë të artikuluara, sepse në këto ushtrime ushtarake do të merr pjesë edhe komandanti i KFOR-it, i cili është edhe anëtar, apo përkatësisht i autorizuari i NATO-s për të udhëhequr KFOR-in, që është me mandatin e NATO-s për të garantuar sovranitetin e Republikës së Kosovës”, shprehet Elezi për “Bota sot”.

“Nuk mund të themi që stërvitjet të cilat janë duke u organizuar pranë kufirit me Kosovën do të kanosin sigurinë e Kosovës, përderisa garantuesi i sigurisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës merr pjesë dhe monitoron nga afër këto aktivitete”, shton Elezi.

Ai thotë se Kurti duhet të ketë kujdes me deklarimet në opinion, pasi mund të krijojë panik tek qytetarët dhe prishje të marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtar.

“Prandaj edhe kryeministri i Republikës së Kosovës dhe të tjerët duhet të kenë kujdes në deklarimet e tyre. Për shkak se mund të krijojnë huti tek qytetarët, mund të krijojnë edhe mjegull dhe mund të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët kryesor, në këtë rast NATO. Të konsiderosh së organizimet që mbahen në territorin e Serbisë, 30 kilometra afër me kufirin e Kosovës janë përgatitje për të cenuar sovranitetin e Republikës së Kosovës, në anën tjetër të merrë pjesë udhëheqësi kryesor i strukturës ushtarake që garanton sovranitetin e Republikës së Kosovës, është një akuzë që i bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe NATO-s, sepse pjesëmarrja e tyre në këtë rast do të ishte e pamundur në rast se do të kishim përgatitje apo stërvitje fushore ushtarake të cilat prezantojnë edhe mjetet e veçanta ushtarake për të cenuar sigurinë e Kosovës”, shton Elezi.

“Në rast se nga ky organizim planifikohet edhe përgatitja e pjesëtareve të saj për të sulmuar Kosovën, i bjen që kjo përgatitje po bëhet për të sulmuar edhe vet pjesëtarët e NATO-s dhe shteteve anëtare të NATO-s të cilët kanë sjellur pjesëtarë në kuadër të KFOR-it dhe veprojnë për të garantuar sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës. Në këtë rast, duhet të kemi një konsultim paraprak me ekspertë dhe njohës së fushës ushtarake për të pas parasysh një deklarim që mund të japim në opinion, në të kundërtën do të ishte vërtetë shqetësuese. Ne jemi të vetëdijshëm që çdo aktivitet që Serbia apo një shtet tjetër zhvillon afër kufirit e një shteti tjetër, është cenim i sigurisë i vendit tjetër, por duhet të kemi parasysh edhe faktin se për këto aktivitete është duke u kujdesur edhe NATO”, shpjegon Elezi.

Për fund, ai thotë se NATO po synon që Serbinë ta përfshijë brenda strukturës së saj, si kundërpërgjigje ndaj Rusisë.

“NATO po bën përpjekjet e saj për ta futur Serbinë brenda familjes së saj, me çka do të thotë se kemi një Serbi në NATO, kemi edhe garanci edhe për sigurinë në përgjithësi, ngase çdo anëtar i NATO-s ka rregullat e veprimit dhe nuk mund të operojë në format të cilat janë në kundërshtim me parimet dhe procedurat e NATO-s për sigurinë dhe zonat e përgjegjësisë së saj”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat