Prapavija e deklaratës së Vuçiqit/ Ja si po synon të “prek” sovranitetin e Kosovës!

Politika

Prapavija e deklaratës së Vuçiqit/ Ja si po synon të “prek” sovranitetin e Kosovës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 23 prill 2024 Në ora: 16:00
Aleksandër Vuçiq, foto ilustrim

Kërkesat e shumta të ndërkombëtarëve për mos përshkallëzim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë dita ditës po rriten.

Mirëpo është Vuçiq ai i cili në vazhdimësi kërcënon Kosovën ani pse të njëjtën gjë nuk po e pranon.

Së fundmi Vuçiq ka hedhur poshtë deklarimet se “vendi i tij po përgatitet për sulm ndaj Kosovës”.

Ai në një konferencë për media sot në Beograd me ndihmës Sekretarin e Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit, James O’Brien, ka deklaruar se “deklarimet për qëllimin e Serbisë për pushtim dhe luftë janë gënjeshtra”.

“Nuk na shkon mendja të marrim pjesë në diçka të tillë, kemi bashkëpunim të mirë me KFOR-in dhe komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash”, tha Vuçiq.

Këto deklarata erdhën pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka akuzuar Serbinë për ushtrimet ushtarake në Peshter të Sanxhakut, duke thënë se është faktori kryesor i përpjekjeve për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe se këto ushtrime janë dëshmi e kësaj.

Kurti tha se këto ushtrime po mbahen 30 kilometra larg kufirit me Kosovën dhe tri kilometra larg kufirit me Malin e Zi dhe se si të tilla janë destabilizuese për rajonin.

Mirëpo a është ndonjë “blof” i Vuçiqit për të mbuluar planet e tij?

Elezi: Deklarimet e Vuçiqit ishin të pritshme dhe normale

Image
Bedri Elezi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.

Ai thotë që është normale Vuçiq të mos pranoj planet e tij ndaj Kosovës pasi mundohet të mbajë raportet e duhura me ndërkombëtarët.

“Në fakt deklarimet e Vuçiqit pas takimit me ndihmës sekretarin James O’Brien të cilat deklarime presidenti i Serbisë Vuçiq i bëri në lidhje me deklarimet më parë që ka bërë kryeministri i Kosovës dhe Ministri i Punëve të Brendshme, që ekziston rreziku dhe duhet të kemi një përgatitje për një sulm apo agresion nga Serbia në drejtim të Kosovës.

Këto deklarime të Kryeministrit të Kosovës morën një lloj interesimi nga të gjithë faktorët ndërkombëtar të sigurisë duke marr parasysh edhe faktin që në këto stërvitje ushtarake dhe fushore te serbëve mori pjesë edhe Komandanti i KFORI-it në Kosovë i cili është i autorizuari kryesore i NATO-s të cilët mbrojnë sovranitetin e Kosovës.

Në rastin konkret deklarimet e Vuçiqit ishin të pritshme dhe normale që do deklaronte se nuk ka ndonjë planë për të sulmuar Kosovën dhe shfrytëzoi rastin të thotë që Serbia është e përkushtuar për marrëveshje ndërkombëtare.

Prandaj ne duhet të kemi kujdes në deklarimet që bëjmë sidomos përfaqësuesit e Republikës së Kosovës sepse mund të biem në kundërshtim me veprimet ndaj SHBA dhe NATO. Ku NATO lejoi pjesëmarrjen e komandantit të KFOR-it në ushtrimet e Serbisë”, u shpreh ai.

Më tej eksperti i sigurisë thotë që Serbia përkrah grupet kriminale që dëshirojnë të destabilizojnë, ani pse në këto ngjarje nuk përfshihet drejtpërdrejt ajo vet.

Është e vërtetë që Serbia ka planet për cenimin e sovranitetin e Kosovës por në vazhdimësi kemi analizuar apo kemi dhënë vlerësime si ekspert të sigurisë se nuk ka ndonjë provë apo dëshmi se Serbia po përgatitet që ta sulmoj Kosovën ushtarakisht por që ekziston mundësia që Serbia ta mbështesë grupet terroriste dhe qytetarët e ndryshëm serbë të cilët janë nga Kosova apo rajoni që janë pjesë e grupeve kriminale të cilët shkaktojnë sulme siç ishte ai në Banjskë.

Referuar faktit që në shtatorin e vitit të kaluar kemi parë një përpjekje nga serbët terrorist në Banjskë atëherë kemi parë që të njëjtit janë përkrahur nga shteti i Serbisë por nuk ishte një përpjekje e ushtrisë se Serbisë për të sulmuar drejtpërdrejt Kosovën”, shpjegon ai.

Ndër të tjera eksperti shton që Serbia ka plane për sovranitetin e Kosovës dhe në këtë situatë që jemi do të kemi ndryshime në dialog.

Ne jemi të vetëdijshëm që Serbia po mbështet grupet kriminele dhe ka plane për sovranitetin e Kosovës  dhe se po përdor metoda të ndryshme për të mos përdor ushtrinë e vet drejtpërdrejt por duke mbështet aktivitete të ndryshme si në aspektin ushtarak, financiar. Ne kemi thënë  që ekziston dyshimi që janë tri baza të ndryshme në afërsi të Kosovës diku 20km larg kufirit të Kosovës ku bëhen stërvitje ushtarake rreth 700mijë personave të moshës së rritur që paguhen nga 1000 - 1500 euro në muaj për të u përgatitur ushtarakisht dhe të njëjtit mund të futen në Republikën e Kosovës në forma të ndryshme dhe janë mbështetur nga Serbia për të destabilizuar veriun e Kosovës. Në këtë situatë do të kemi edhe ndryshime në dialog”, foli eksperti i sigurisë, Bedri Elezi për “Bota sot”.

Ahmeti: Vuçiq edhe mund ta shfrytëzoj lojën e brendshme politike, por assesi nuk guxon të lëshohet ne deklarata të cilat kanë impakt ndërkombëtar

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa analisti politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që  Vuçiq është i vetëdijshëm për dëmin që mund të shkaktoj nëse kërcënon me sulm një shtet tjetër andaj dhe deklarohet kësisoj.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq  është i vetëdijshëm se çdo pretendim për të sulmuar apo kërcënuar hapur një shtet është një sulm ndaj të ardhmes së Serbisë drejt mekanizmave ndërkombëtar. Prandaj, Vuçiq edhe mund ta shfrytëzoj lojën e brendshme politike, por assesi nuk guxon të lëshohet ne deklarata të cilat kanë impakt ndërkombëtar”, foli ai.

Në fund analisti shton që BE-ja  është e vetëdijshme për këto veprime instrumentalizuese të Serbisë, por nuk ka marrë asnjë hapë në drejtim të sanksionit ndaj Serbisë.

 “Serbia  e di shumë mirë se Kosova është shtet i pavarur  e sovran dhe çdo pretendim i saj për konflikt me shtet fqinjë do ta dobësonte rolin e saj ndërkombëtar. Edhe pse shume herë BE- ja ka qenë e njëanshme në rolin e saj, pasi Serbia nuk ka qenë konstruktive në dialog, por edhe ka shfrytëzuar serbët e Kosovës për qëllime të saj politike. Kurse BE-ja  është e vetëdijshme për këto veprime instrumentalizuese të Serbisë, por nuk ka marrë asnjë hapë në drejtim të sanksionit ndaj Serbisë”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat