Paralajmërohet destabilizim i veriut pas bojkotit të zgjedhjeve/ Flasin juristët: Ja çka po përgatit Serbia

Politika

Paralajmërohet destabilizim i veriut pas bojkotit të zgjedhjeve/ Flasin juristët: Ja çka po përgatit Serbia

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 24 prill 2024 Në ora: 08:04
Policia e Kosovës

Qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës më 21 prill kanë pasur mundësinë të votojnë nëse duan ose jo të shkarkojnë kryetarët shqiptarë të zgjedhur vitin e kaluar.

Këto votime u bojkotuan nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kurse, pas mbylljes së vendvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstatoi se procesi ka dështuar.

Pas kësaj pasuan edhe reagimet nga akretët në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se bojkotimi i votimeve do të thotë se ata duhet t’i urojnë kryetarët aktualë.

“Ata që nuk i kanë dashur këta katër kryetarë komunash në veri, sonte, me keqardhje duhet t’ua urojnë atyre pozitat”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Edhe Ambasada amerikane në Kosovë, ka shprehur keqardhje të dielën për vendimin e Listës Serbe dhe figurave tjera politike serbe në Kosovë, që nuk kanë marrë pjesë në procesin e votimit për largimin ose jo të kryetarëve shqiptarë nga katër komunat në veri të Kosovës.

Pjesëmarrja demokratike ndihmon që udhëheqësit të jenë përfaqësues të popullatave, të cilave u shërbejnë. Votimi është e drejtë kyçe në shoqëritë demokratike”.

Derisa, nga BE janë shprehur skeptik, për uljen të tensioneve duke thënë se edhe pse Kosova e ka organizuar procesin e votimit për largimin ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës, rezultati i procesit të 21 prillit nuk kontribuon në uljen e tensioneve dhe në hapjen e rrugës për kthim të serbëve në institucionet e Kosovës, çka është thelbësore për normalizim të marrëdhënieve.

Por, si do të funksionojë veriu tani, flasin juristët?

Burjani: Veriu funksionon, formalisht, me kryetar jo demokratik

Image
Blerim Burjani

Juristi Blerim Burjani, ka thënë se veriu edhe pas këtij referendumi do të funksionojë normalisht siç ka funksionuar deri tash.

Por, ai thotë se këtë e do edhe Serbia duke shtuar se të gjitha këto që po ndodhin kanë të bëjnë me gabimet që janë bërë gjatë dialogut mes dy vendeve.

 Ashtu si funksionon sot, pra formalisht, me kryetar jo demokratik, këtë e do edhe Serbia edhe serbët lokal, të cilët jetojnë si pengje të Beogradit, gabimet janë me dialogje. Serbia nuk është dashtë asnjëherë të negocioj për serbët kosovarë, Serbia i ka keqpërdorë skajshëm serbët kosovar, gabimet që janë që të diskutohet në emër të serbëve lokal me Serbinë. Tash pasojat po shihen, kështu si është mbetet deri në një atmosferë më normale të gjenden zgjidhje të përhershme, jo të stagnoj plotësisht, tashmë po vërehet dhe po dihet çdo gjë, kryetarët atje kanë dhe duhet të kenë rol teknik deri në zgjedhje”, shpjegon ai për “Bota sot”.

Kelmendi: Bojkotimi i referendumit nga serbët në katër komunat në veri është akt që tregon se Serbia do të sulmojë Kosovën me armë

Image
Muhamet Kelmendi

Përkundër Burjanit, juristi Muhamet Kelmendi thotë se referndumi u mbajt konform ligjeve të Kosovës duke thënë se edhe bojkotimi u bë nga serbët u bë për të treguar se mbi minoritetin serb po bëhet presion nga organet e shtetit të Kosovës për të ikur në Serbi

Referendumi në katër komunat e veriut të Kosovës është organizuar konform ligjeve që i ka Republika e Kosovës.

Më 21 prill u organizua referendumi.

Minoriteti serb i këtyre komunave nuk doli në votim. Me urdhër të klikës shoveno-serbo-madhe të Beogradit u bojkotua Referendumi për të shkarkuar kryetarët në komunat veriore. Mbetën kryetrarët e zgjedhur me vota në prill të vitit 2023. Juridikisht s'ka mundësi brenda 1 viti të ndërmerret ndonjë veprim juridik. Zgjedhjet parlamentare dhe lokale mbahen në vitin e ardhshëm. Bojkotimi u bë nga serbët për të treguar se mbi minoritetin serb po bëhet presion nga organet e shtetit të Kosovës për të ikur në Serbi. Këtë e deklaroi edhe në KS të OKB-së krimineli Vuçiç. Madje shkoi deri atje, saqë e paraqiti gjendjen në katër komunat me "shtypje dhe terrorizëm" të ashpër. Me këtë u përpoq krimineli Vuçiç të provoj dhunën dhe terrorin. E tëra kjo shkon për të provuar politikën e ndarjes dhe të copëtimit të Kosovës”, deklaron ai.

Tutje, ai thotë se tani mbetet vetëm dorëheqja e kryetarëve gjithmonë nëse duan ata dhe që nuk mund të diktohen as nga jashtë as nga brenda.

Por, ajo që ai e ngrit si çështje është se pas këtyre votimeve, në komunat me shumicë serbe mund të priten protesta dhe demonstrata të dhunshme.

Tash juridikisht mbeten zgjedhjet e rregullta ose dorëheqja e kryetarëve aktual për të shkuar në zgjedhje. Dorëheqja është akt moral dhe varet kryesisht nga kryetarët. Atë nuk mund të dikton askush, kuptohet as nga brenda dhe as nga jashtë.

Kjo është çështja.

Por, nuk mendoj se shteti serb, përkatësisht klika e Vuçiçit mbetet pa vepruar me mjete të dhunës. Në veri dhe në komunat tjera ku shumicë është minoriteti serb priten protesta dhe demonstrata të dhunshme. Edhe aksione kriminale, për serbët: çlirimtarë, për shtetin tonë: terroristë, do të bëhen në veri dhe në brendi të Kosovës, në komunat e ndryshme të Republikës. Priten aksione të ashpra dhe me armë”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat