Lëvizje gjeniale e Vjosa Osmanit/ Heroinat në mbledhjen e KS të OKB-së - Presidentja shkatërroi propagandën serbe në arenën ndërkombëtare

Politika

Lëvizje gjeniale e Vjosa Osmanit/ Heroinat në mbledhjen e KS të OKB-së - Presidentja shkatërroi propagandën serbe në arenën ndërkombëtare

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 24 prill 2024 Në ora: 16:29
Presidentja Osmani dhe katër heroinat në mbledhjen e KS të OKB-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u përplasen edhe njëherë në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ashtu si në të kaluarën, edhe këtë herë Vjosa Osmani i përplasi në fytyrë Vuçiqit me fakte krimet e kryera nga Serbia.

Madje në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Osmani në delegacionin e saj kishte marrë edhe 4 gra tjera nga Kosova, të cilat ishin viktima të krimeve dhe gjenocidit serb.

Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elhame Muqolli dhe Shyhrete Tahiri, të gjitha këto viktima të dhunës gjatë kohës së luftës në Kosovë qëndruan përkrah presidentes Osmani, teksa kjo e fundit ishte duke u ballafaquar me ish ministrin e kriminelit Millosheviç, Aleksandar Vuçiç.

E nisma e Osmanit për t’i marr në delegacion Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muqollin dhe Shyhrete Tahirin po shihet si një nga veprimet më të mira që ka ndërmarrë deri më tani presidentja e vendit.

Paraqitje e lartë e presidentes Osmani

Sipas deputetit të partisë Guxo, Haxhi Avdyli, paraqitja e presidentes Vjosa Osmani në Këshillin e Sigurimit të OKB-së meriton vlerësimin më të lartë.

Image
Haxhi Avdyli

“Në muajt e përvjetorëve të kur shqiptarët e Kosovës i përkujtojnë më të dashurit të rënë në masakrat e ndodhura gjithandej Kosove, paraqitja në këtë event me heroinat e Kosovës të cilat ishin të mbijetuara nga veprimet gjenocidiale serbe, është gjetja me e duhur për të prezantuar fytyrën e vërtetë të Serbisë para botes”, shprehet Avdyli për “Bota sot”.

Ai thotë se Serbia nuk ka ndryshuar edhe pas 25 vitesh të përfundimit të luftës, por që synon përsëri të vazhdojë projektin e saj për agresion ndaj Kosovës.

“Serbia përmes Vuçiçit edhe 25 vite nuk ka ndërruar politikë, ajo akoma kërcënon, dhe haptas flet që vetëm pret momentin e saj të volitshëm për të përsëritur krimet apo vazhduar aty ku e ka lënë Millosheviqi. Projekti serb është i njëjtë si projekti rus për ekspansion territorial, që konsiston që përmes  shkretërimit dhe shpopullimit gjenocidial, t’i rrisin territoret e veta. Si gjithmonë në histori që kanë bë, dhe ky projekt i tyre nuk ka marr fund. Bota demokratike perëndimore duhet ta kuptoj më në fund qëllimet e errëta serbe dhe duhet dhënë goditjen finale këtyre ambicieve serbe, e jo të ledhatohet edhe me tutje”, deklaron deputeti nga Guxo, Haxhi Avdyli.

Osmani e tmerroi Vuçiqin

Image
Faton Mehmeti

Kurse analisti Faton Mehmeti shprehet se Vjosa Osmani e tmerroi Aleksandar Vuçiqin me përfshirjen e 4 grave shqiptare në delegacionin e saj, të cilat ishin viktima të krimeve serbe.

“Vjosa ishte brilante, tmerroi Vuçiqin me fakte dhe argumente. I përplasi  në fytyrë të vërtetën, prania e Vjosës dhe Vasfije Krasniqit e tmerroi argatin e Millosheviqit. Fatmirësisht Kosova ka një presidente të dinjitetshme që s’ka frikë dhe ka kurajën të jetë zëri i të vërtetës, të tregojë se Kosova fal por nuk harron”, deklaron Mehmeti, sipas të cilit, paraardhësi i Osmanit e kishte rehabilituar Vuçiçin.

“Vjosa e zhveshi fytyrën e vërtetë të presidentit serb, të cilën paraardhësi i saj e kishte rehabilituar. Vuçiçi nuk besoj më se do këtë guxim me u përballë me Vjosën, prania me fakte e viktimave të regjimit, ku ishte vet pjesë, ishte gjëja më e mrekullueshme qe Kosova mund të bënte. Vjosa bëri krenar Kosovën, dhe u bë zëri i  të gjithë shqiptarëve, në veçanti i grave të dhunuara”, thekson Mehmeti.

Osmani shkatërroi propagandën serbe

Ndërsa Luan Gacaferi kryetar i degës së Guxo në Gjermani, thotë se paraqitja e Osmanit në OKB, ishte një nga paraqitjet më të mira të saj prej se e ka marr postin e presidentes së vendit.

“Unë mendojë se paraqitja e presidentes Osmani në OKB me prezencën e katër heroinave tona, ishte një prej paraqitjeve me të mira të presidentes prej qe unë e njohë dhe e përcjellë! Ishte një lëvizje gjeniale e presidentes para botës, sepse vetë prezenca e katër heroinave tona e ka bërë botën të kuptojnë se Serbia ka kryer krime kundër njerëzimit në Kosovë gjatë luftës! Edhe reagimi i Vuqiçit e tregoi se zonja Osmani e ka bërë lëvizjen e shkëlqyeshme qe kishte vendosur t'i marrë me vete ato katër heroina në OKB”, shprehet Gacaferi.

Image
Luan Gacaferri

Sipas tij, me veprimin e saj, Osmani shkatërroi luftën propagandistike të cilën në vazhdimësi është duke e aplikuar Serbia.

“Mendimi im personal është se zonja Osmani, në këtë paraqitje e ka ndihmuar Kosovën me shume se kurrë në luftën mediatike e sidomos e ka shkatërruar luftën propagandistike qe Serbia e luan gjithmonë viktimën në arenën ndërkombëtare! Por nëse flasim edhe me gjuhën e lojës se shahut, zonja Osmani, e ka matirat Vuqiçin me dy poteza, shah mat!”, thekson Gacaferi.

“Ne si komb duhet të jemi shumë të lumtur qe e kemi një zonjë si Vjosa Osmanin qe është kaq gjeniale në të gjitha aspektet dhe në çdo kohë e në çdo vend! Pra mesazhi i zonjës Osmani, para botës ishte: Ne shqiptarët jemi viktima e jo Serbia”, përfundon Luan Gacaferi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat