BE krijoi një precedent të rrezikshëm me liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës me pasaporta të Serbisë

Politika

BE krijoi një precedent të rrezikshëm me liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës me pasaporta të Serbisë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 26 prill 2024 Në ora: 16:06
Foto ilustrim

Parlamenti Evropian e ka miratuar të martën vendimin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në Kosovë, të cilët pajisen me dokumente nga Drejtoria koordinuese në Beograd.

Bartësit e këtyre pasaportave nuk ishin përfshirë në liberalizimin e vizave në kohën kur Bashkimi Evropian i hoqi vizat për qytetarët e Kosovës.

Andaj, këtë të martë u bë liberalizimi i vizave edhe për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në Kosovë.

Por, si cilësohet ky vendim?

Batusha: Kjo është shkelje e sovranitetit të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me normat ndërkombëtare

Image
Agon Batusha

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se ajo çfarë ka bërë BE-ja është e papranueshme dhe që bie në kundërshtim me vetveten duke shtuar po ashtu se me këtë veprim ajo ka krijuar një precendent të rrezikshëm në Ballkan.

“Kjo është shkelje e sovranitetit të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me normat ndërkombëtare, dhe shkel në mënyrë flagrante marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, paradoksalisht të negociuar nga vetë BE.

Me këtë hap Bashkimi Evropian ka krijuar dhe pranuar një precedent të rrezikshëm për Ballkanin si rajon fragjil dhe jo vetëm.

Më vjen keq po ajo çka ka vepruar BE-ja është e pa pranueshme dhe është në kundërshtim me vetveten”, deklaron ai.

Pantina: Kjo do duhej të ishte e papranueshme sidomos nga Bashkimi Evropian që lehtëson dialogun mes Kosovës e Serbisë

Image
Shqipe Pantina

Zyrtarja e LDK-së, Shqipe Pantina për “Bota sot”, thotë që edhe pse Kosova e ka të lejuar që banorët të kenë dy shtetësi, ky vendim dallon sepse Serbia lëshon pasaporta për serbët e banorë të Kosovës të cilën e konsideron pjesë të vetën, andaj kjo do të ishte e papranueshme.

“Kosova bënë pjesë në ato shtete që lejon dy shtetësinë, që d.m.th se qytetarët e Kosovës mund të posedojnë pasaportë edhe të një shteti tjetër. Qytetarët serbë të Kosovës e kanë të drejtën të kenë edhe pasaportë të ndonjë shteti tjetër përfshi edhe Serbinë.

Mirëpo pasaportat që lëshon Serbia për qytetarët serbë të Kosovës nuk janë si pasaportat që lëshohen për shkak të Serbisë, por si banorë të Kosovës të cilën e konsideron pjesë të vetën, dhe kjo do duhej të ishte e papranueshme sidomos nga Bashkimi Evropian që lehtëson dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Unë shpresoj se kjo është një zgjidhje e përkohshme derisa të arrihet marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë dhe qytetaret Serb të Kosovës të fillojnë të pajisen me pasaporta të shtetit të  Kosovës”, potencon Pantina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat