Bytyçi flet pas zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut: Kjo është e tmerrshme, ja pse Kurti u fut në lojë

Politika

Bytyçi flet pas zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut: Kjo është e tmerrshme, ja pse Kurti u fut në lojë

Nga: P.Rudi Më: 26 prill 2024 Në ora: 21:06
Albin Kurti dhe anëtarët e VLEN

Të martën në Maqedoninë e Veriut u zhvilluan zgjedhjet presidenciale. Kandidatja e VMRO fitoi 40 përqind të votave, ndërkohë që presidenti aktual i LSMD-së Pendarovski, fitoi sa gjysma e saj. Në betejën për postin e presidentit të Republikës ishin dhe dy shqiptarë, Bujar Osmani i Frontit Europian dhe Arben Taravari i VLEN. Këto dy koalicione u formuan brenda kampit të shqiptarëve. Bujar Osmani fitoi në raport me Arben Taravarin, por asnjëri nuk mundi të ngjitet në vendin e dytë, me qëllim që njëri nga kandidatët shqiptarë të shkonin në balotazh.

E lidhur me zgjedhjet e zhvilluara në Maqedoni të Veriut dhe rezultatin e arritur nga shqiptarët, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Megjithatë, të dy shqiptarët morën së paku 30 përqind të të gjitha votave, çka do të thotë se më shumë se kaq në përqindje është numri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Them më shumë sesa kaq, sepse shqiptarët janë në numër shumë të madh në emigracion në raport me numrin e maqedonasve. Ve re se po komentohet shumë kjo si dështim i shqiptarëve. Sa kohë që shqiptarët janë të pozicionuar ideologjikisht dhe jo kombëtarisht, aq kohë ata nuk do të kenë asnjë shans të marrin vota për të krijuar qeverinë, ose për të zgjedhur presidentin. Vetëm nëse kjo ndodh me marrëveshje me shumicën maqedonase. Ky fakt është i ditur. Madje edhe nëse bashkohen kombëtarisht nuk marrin shumicën për qeverisje. Por kur ata bashkohen maksimalizojnë shanset dhe rritin forcën e presionit mbi shumicën maqedonase. Kjo nuk ka ndodhur. Dhe nuk do te ndodh, sepse politikanët shqiptarë kanë një aftësi të jashtëzakonshme të punojnë në mënyrë të përçarë, të ndarë”, shprehet Bytyçi.

Sipas tij, kryeministri shqiptar Edi Rama ishte ai që krijoi ndarje tek shqiptarët në Maqedoni të Veriut, të cilët i përdori për të mbështetur idenë serbe “Ballkani i Hapur”.

“Ata janë shumë xhelozë. Kanë mllefe dhe urrejtje të mëdha kundër njëri-tjetrit. Janë gati të bashkëpunojnë me armikun, për inat të njëri-tjetrit. Shini se çfarë ndodh në këto kohë? Edi Rama që kur erdhi në pushtet krijoi pushtet thuajse absolut te politikanët shqiptarë në pushtet në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. I përdori ata si ia pati qejfi. Por të dy palët i përdori në funksion të interesit të Serbisë. Palën e Kosovës në pushtet e përdori për t’ia vënë gërshërët territorit të shtetit. Politikanët shqiptarë në pushtet në Maqedoninë e Veriut i përdori për të mbështetur Ballkanin serb të Hapur! Në të dy rastet ishte në mes Serbia dhe Aleksandër Vuçiq”, thekson Bytyçi.

Image
Profesor, doktor Enver Bytyçi.

Ai thotë se kur Rama dështoi në këto dy misione anti-shqiptare, u fut Kurti në lojë.

“Kurti është së paku deri tani e kundërta e Edi Ramës. Dhe ai mbështeti koalicionin VLEN, me qëllim që koalicioni i ashtuquajtur evropian të dështojë. Them i ashtuquajtur evropian, sepse nuk ka koalicion edhe europian edhe ballkaniko-serb si ai i inciativës së Ballkanit të Hapur. Janë dy gjëra të ndryshme. Ata politikanë që kanë mbështetur dhe mbështesin Open Balkan mashtron kur krijojnë koalicione evropiane. Open Balkan është e kundërta e Procesit të Berlinit. Dhe Procesi i Berlinit është bërthama e Evropës dhe integrimit europian”.

“Por mos merremi me këtë. Të dy koalicionet luftojnë të marrin shumicën në parlament, me qëllim që të bëhen partnerë në qeverisje me partinë maqedone fituese. Në vend të bëhen një dhe të imponojnë gjithçka duan në formimin e qeverive, ndahen e përçahen për t’i ardhur në ndihmë orekseve anti-shqiptare. Por nuk bëhen bashkë për atë arsye që thashë. Ndahen sipas linjave ideologjike. Sepse nuk e kuptojnë që ideologjia e shqiptarëve sidomos në Maqedoninë e Veriut duhet të jetë atdhetarizmi, kombëtarja, kombi, identiteti. Jooo! Duan identitet ideologjik ata! Dhe njëra palë shkon me Ramën pro-Vuçiq e tjetra me Albinin Anti-Vuçiq. Si gjithnjë, sipas parimit pro dhe kundër. Kjo është e tmerrshme. Është dobësia jonë më rrënuese, të cilën na e injektojnë armiqtë e kombit tonë”, shpjegon profesor Bytyçi.

Më tej, Bytyçi thotë së shqiptarët po bëjnë garë në Maqedoni të Veriut për t’i shërbyer të keqes.

“Për mua nuk është pra problemi rezultati pozitiv ose negativ i njërës palë të koalicioneve shqiptare. Problemi është etja e madhe për t’i shërbyer të keqes nga një palë dhe mënyra arrogante e reagimit të palës tjetër. Tamam njashtu si na do hasmi, do të thoshte Fishta. Dhe për këtë shfrytëzohet kulti i individit. Akoma bëhet fushatë me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare të vitit 2001. Kanë kaluar 23 vite. Edhe në kohën e diktaturës komuniste nuk bëhej fushatë me luftën çlirimtare kundër nazi-fashistëve. Por pas kësaj fshihet narrativa ne dhe ata. Ne dhe Ju! Ne luftuam, ata janë kundër luftëtarëve! Kjo është narrativa e gënjeshtërt. Mund të luftosh dhe askush nuk ka të drejtë të zhvleftësojë luftën e UÇK-së në Maqedoni apo edhe në Kosovë. Por cili është produkti që sollët gjatë dy dekadave në pushtet? “Kryeministrin shqiptar”, thonë në Maqedoni. Por nuk matet arritja me kaq. Arritja e politikës matet me rritjen e mirëqenies, rritjen e cilësisë së arsimit, të ndërgjegjes kombëtare e sociale. Civilizimi nacional është matësi kryesor. Sa janë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut në këto nivele?”.

“Prandaj them se duhet mendësi e re, jo vetëm politikanë të rinj. Shqiptarët në Maqedoni kanë mundësira pa fund për ta bërë shtetin dhe vendin e tyre shtet multietnik. Sot nuk duhej askush të mburrej pse diku flitet shqip. Por do të duhej që gjuha shqipe të ishte gjuhë e plotë zyrtare. Mora këtë shembull, thjesht për të thënë se mburrja nuk është sukses!”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat