Marrëveshja finale Kosovë-Serbi larg: Analistët shprehin dyshime për rrugën drejt normalizimit/ Çfarë paralajmëroi Szunyog me deklaratën e fundit?

Politika

Marrëveshja finale Kosovë-Serbi larg: Analistët shprehin dyshime për rrugën drejt normalizimit/ Çfarë paralajmëroi Szunyog me deklaratën e fundit?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 prill 2024 Në ora: 20:27
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Kosova dhe Serbia ende pa një marrëveshje finale.

Bisedime, ‘dakordime’ dhe deklarata të shumta përgjatë tërë këtyre viteve, por një normalizim i raporteve ende jo.

Të nevojshëm një raport të duhur mes dy vendeve tash e një kohë e shohin edhe ndërkombëtarët.

Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka marrë pjesë në një organizim në Budapest rreth Dialogut dhe Sigurisë.

Në fjalën e tij, ai ka theksuar se rruga evropiane për Kosovën dhe Serbinë kalon përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Ai ka shtuar se BE-ja pret që Kosova dhe Serbia duhet të implementojnë Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit dhe implementimin e Aneksit të Implementimit pa vonesa dhe parakushte.

Theksova se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë dhe kalon përmes Dialogut të lehtësuar nga BE dhe normalizimit të marrëdhënieve. BE pret që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit dhe Aneksin e Zbatimit të saj pa asnjë vonesë apo parakusht”, ka thënë shefi i Zyrës së BE-së.

Mehmeti: Retorika e BE nuk ndryshon, tentohet të vihen nën presion palët

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Ai shprehet pak skeptik për deklaratën e Szunyog, duke thënë se e njëjta nuk mund të prodhoj rezultat.

Retorika e BE nuk ndryshon, tentohet të vihen nën presion palët në mënyrë që të arrihet marrëveshje, megjithëse nuk është se ka dhënë rezultat ky lloj presioni. Kështu që, deklaratat e z.Szunyog nuk besoj se mund të prodhojë rezultat”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që qëllimi i shefit të zyrës ndërlidhëse të BE në Prishtinë më tepër ka të bëjë me arritje e marrëveshjesh përfundimtare, ndonëse një gjë e tillë duket e larg.

 “Gjithsesi, BE nuk duhet të heqë dorë nga përpjekjet e saja mirëpo duhet të ndryshojë strategjinë e veprimit, që nënkupton mos të përkëdhelet Serbia. Besoj, se qëllimi i shefit të zyrës ndërlidhëse të BE në Prishtinë më tepër ka të bëjë me arritje e marrëveshjes përfundimtare, ndonëse një gjë e tillë duket e largët”, foli Mehmeti për “Bota sot”.

Duhanaj: Qeveria Kurti duhet të ndryshoj disa gjëra në qeverisje

Ndërsa analisti tjetër politik Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që BE nuk do të merret aq seriozisht siç po deklarojnë pasi këto janë tema të ndjeshme.

Image
Leon Duhanaj

Për mendimin tim, tashmë këto deklarata janë veç sa për të thënë diçka, sepse shtetet e BE-së gjenden në fushatë zgjedhore dhe asnjë nga to nuk do të merret konkretisht me këto tema të ndjeshme. Ne jemi dëshmitarë të kohës, e cila na ka treguar, se sa herë jemi vonuar në procese, kemi pësuar në raport me Serbinë. Kurti, vazhdimisht ka nxjerrë tema dytësore dhe duke i bërë tema të mëdha, siç ishte çështja e targave Të njëjtën gjë e bëri edhe tash me dinarin. Temë e cila do të mund të zgjidhej në nivele të treta, e bëri temë bosht të dialogut”, potencoi ai.

Në fund analisti ka disa kritika për Qeverinë Kurti.

Qeveria Kurti, tashmë nuk ka gjasa të realizoj ndonjë fitore diplomatike, pasi që përpos që jemi në vit zgjedhor gjithandej, ka një zhgënjim total me Kurtin, të cilin në fakt nuk duan ta shohin më. Ata nuk mund të na e ndërrojnë, por mund të na sanksionojnë, gjë që e kanë bërë, përderisa ne, në vend që ta zgjedhim fatin e Kosovës, zgjedhim fatin e Kurtit”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat