“Dokumenti” i Lajçak-ut, çfarë pritet të ndodhë me dinarin – a do ‘dorëzohen’ Kosova dhe Serbia?

Politika

“Dokumenti” i Lajçak-ut, çfarë pritet të ndodhë me dinarin – a do ‘dorëzohen’ Kosova dhe Serbia?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 29 prill 2024 Në ora: 08:11
Miroslav Lajçak

Krye-negociatorët e Kosovës e Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq po dështojnë të arrijnë marrëveshje në Bruksel për dinarin, pasi Banka Qendrore e Kosovës (BQK) nga 1 shkurti ka vendosur euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë, hap ky i cili është kundërshtuar nga Serbia.

Pas rundit të fundit të bisedimeve, emisari për dialogun, Miroslav Lajçak njoftoi se ka dalë me një propozim të ri kompromisi për përdorimin e dinarit serb.

Ai në një postim në X ka shkruar, se ka propozuar një dokument që synon të përafrojë qëndrimet e palëve për dinarin.

“Prita një takim nga dialogu për të gjetur një zgjidhje për “çështjen e dinarit”. Ky takim u dha hapësirë të mjaftueshme palëve për të shpjeguar qëndrimet e tyre. Takimi përfundoi duke paraqitur një dokument kompromisi në një përpjekje për të kapërcyer dallimet. Do të presë takimin e radhës pasi të pranojë së komentet konstruktive”, ka shkruar diplomati sllovak.

Siç duket, dinari po del të jetë një çështje shumë më e komplikuar se që mendohej, ndonëse jo politike, palët nuk po mund të gjejnë një dakordim.

Mirëpo, edhe sa kohë do vazhdohet me këtë runde bisedimesh, a do ndryshojë situata pas dokumentit të paraqitur nga Lajçak?

Zogaj: Zgjatja e dialogut po vazhdon dhe kjo është keq, madje shumë keq

Image
Skënder Zogaj

E për këtë çështje, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli publicisti Skënder Zogaj.

Së pari, tha se bisedimet mes dy palëve janë stërzgjatur, ku ende nuk ka angazhim të mirëfilltë për të gjetur një zgjedhje më të mirë.

Që nga nënshkrimi i marrëveshjeve të para dhe mosrealizimit të tyre, është bërë e ditur se dialogu do të jetë "zgjat e mos këput"! Pra palët më shumë se angazhimin për të gjetur zgjidhjen më të mirë dhe më të shpejtë, e kanë zgjedhur rrugën e bisedimit maratonik, të pafund dhe pa rezultat të duhur. Ky qëndrim ka qenë i gabuar sidomos për Kosovën e cila pasi u çlirua dhe u shpall shtet i lirë dhe i pavarur kishte nevojë të ishte i qartë dhe i vendosur për zgjidhje sa më të shpejtë, me takime serioze, marrëveshje serioze dhe realizimin e marrëveshjeve pikë për pikë, edhe nëse ndonjëra prej marrëveshjeve nuk do të ishte më shumë e kriposur dhe jo e dëshiruara”, deklaroi ai

Krahas kësaj, Zogaj potencoi se Kosova do duhej ta tregonte forcën e saj dhe të ishte më e vendosur.

“Pra edhe ndonjë marrëveshje jo fort e volitshme, nëse është imponuar dhe është pranuar, menjëherë është dashur të vihet në zbatim dhe të tregohet forca funksionale e shtetit të Kosovës, si argument se Kosova është serioze dhe e denjë për bisedime dhe vendime! Që nga ditët e para të çlirimit, kush nuk e ka ditur se Kosovën e prisnin probleme me serbët e veriut? Është ditur prandaj është dashur përgatitje dhe vendosmëri në për zgjidhje, edhe me oferta të kompromisesh të dhimbshme sepse çmimi i lirisë dhe shtet ndërtimi i Kosovës janë krye vlera, janë kurora historike, kushti i vetëm i vulosjes mëvetësisë shtetërore që është fitorja kryesore, për të vilën të gjitha sakrificat janë vlerë!

Ndër të tjera, publicisti shtoi se nuk do të ketë zgjidhje finale në takimin e ardhshëm, duke aluduar se zgjidhje finale është shumë larg.

Zgjatja e dialogut po vazhdon dhe kjo është keq, madje shumë keq, për të mos thënë se është dështim i Kosovës, e cila qe 25 vjet po qëndron as "mish as peshk", me një stuhi thashethemesh e akuzat të ndërsjella të partive që po i bëjnë për konsum të brendshëm me qëllim të pushtet, gjithnjë duke u marrë me "fajtorët" dhe "të pafajshmit" e aluduar, por jo me koncentrimin për ta forcuar shtetin dhe treguar se Kosova e ka të merituar pavarësinë.

Kjo ende nuk po ndodh dhe, në kërkim të kësaj, faktori ndërkombëtar po përpiqet të ndihmoj zgjidhjen që duhet ta përcaktojnë Kosova dhe Serbia! Lajçak domosdo që sa herë të dështojnë bisedimet të ofroj diçka të re dhe t'iu ofrojë mundësi palëve. Sa unë shoh dhe di të vlerësoj, nuk do të ketë zgjidhje finale në takimin e ardhshëm dhe se zgjidhja finale ende shumë larg. Zgjidhjen nuk do ta gjejnë palët. Zgjidhjen mund ta bëjë vetëm faktori ndërkombëtar me gërshërë duke ua prerë veshët!” – përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Burjani: Kjo çështje do të duhej të zgjidhje kohë më parë

Kurse, juristi Blerim Burjani tha se çështja e dinarit është bërë temë monotone.

Image
Blerim Burjani

Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” tha se kjo temë e brendshme është politizuar pa nevojë dhe që sa më shpejt duhet të hiqet nga diskutimi.

“Kjo çështje do të duhej të zgjidhje kohë më parë, kjo u bë një temë monotone dhe e papranueshme që për javë të tëra të mos mund të zgjidhet një çështje që aspak nuk është politike por e politizuar skajshëm, si duket kompromisi është përgatitur, të shpresojmë se kjo temë do të hiqet nga rendi i ditës, kjo çështje teknike është bërë pengesë e madhe apo edhe skajshmërish politike”.

Në fund, u shpreh se shtetit serb po i konvenon ‘problemi’ i dinarit, kështu që vështirë se mund të zgjidhet kjo çështje, duke parë qasjen e Beogradit.

Kësaj here duhet dhënë fund politik të një teme teknike, Kosova është më afër të pranoj kompromisin përfundimtar për dinarin, përderisa Serbia do që problemi të mos zgjidhet.

Dihet se, grumbullimi i shumë problemeve Serbisë i shkon në favor sepse ajo ka vetëm një temë që lidhet me të gjitha temat tjera, ky është padyshim asociacioni.

Serbia që nga fillimi kishte planifikuar që dinari të jetë çështje valutore që do të përdoret në asociacion, jo rrallë edhe përgjatë kësaj kohe plotë diplomatë, sikur Lajçak, e kanë lidhur për asociacionin=n”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat