Ndizet alarmi! Paralajmërohen sulme terroriste serbe në Kosovë

Politika

Ndizet alarmi! Paralajmërohen sulme terroriste serbe në Kosovë

Nga: P.R. Më: 29 prill 2024 Në ora: 09:56
Policia e Kosovës

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri ka ngritur alarmin se Serbia mund të organizojë sulme terroriste në Kosovë në prag të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ka kohë që vet kryeministri Kurti si dhe udhëheqësit më të lartë të institucioneve të sigurisë, kanë ngritur shqetësimet për sulme të mundshme nga grupet terroriste serbe në pjesën veriore të vendit tonë, andaj edhe organet e rendit të Republikës së Kosovës, kanë shtuar vigjilencën dhe rritur gatishmërinë, për shkak të mundësisë që Serbia, në emër të manovrave ushtarake, përsëri të provojë katapultimin e armëve dhe grupeve terroriste serbe, për shkaktimin e eksceseve të reja dhe akteve tjera terroriste në veri të Kosovës, në mënyrë që veçanërisht tani, kur ne si shtet i ri, ndodhemi para një procesi shumë të rëndësishëm, si anëtarësimi i Kosovës me 16 maj në KiE, që Serbia fashiste, përpiqet ta pengojë me çdo mjet dhe mundësi, pa përjashtuar as sulmet terroriste”, shprehet Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij, Serbia ka për qëllim që të përsërisë aksione të ngjashme me atë të 24 shtatorit të vitit të kaluar, ku mbet i vrarë polici, Afrim Bunjaku.

Madje para vetëm 15 muajve, apo pak më tepër, Serbia kërkoi nga Misioni Ushtarak i NATO-së, edhe vendosjen e 1000 pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë, akt që me plot të drejtë, u hodh poshtë nga NATO, i cili u dëshmua, se u përdor edhe si formë kamuflimi, për aksionet e mëpastajme të Serbisë, me grupet terroriste serbe, të ushtruara në Serbi, e cila duke keqpërdorur heshtjen e SHBA-ve, BE-së dhe faktorit ndërkombëtar, për aktin terrorist serb në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit 2023, duket se Serbia hegjemoniste, serish ka për qëllim ti përsërit aktet terroriste serbe në veri të Kosovës, për ngritjen e tensioneve me qëllim të përshkallëzimit të situatës dhe paraqitjen e gjendjes atje, si të pakontrollueshme nga Policia e Kosovës”, thekson Qarri.

“Siç dihet më 14 qershor të vitit të kaluar, megjithëse në Marrëveshjen e Kumanovës, thuhet se në asnjë rrethanë, asnjë Forcë e Republikës së Serbisë nuk guxon të hyjë, brenda territorit të Kosovës, fillimisht forcat serbe arrestuan tre policë të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, ndërsa misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, megjithëse ka për detyrë ruajtjen e kufijve dhe ekziston një zonë neutrale ndërmjet të dy vendeve, të cilën forcat serbe, nuk guxojnë ta kalojnë, e madje lëre edhe të futen brenda kufijve të Kosovës, pas kidnapimit të tre policëve tanë, vet KFOR deklaronte se ata nuk e dinin çfarë e ku kishte ndodhur dhe se për ta “mbetet e paqartë” se ku kanë qenë policët e Kosovës në kohën e arrestimit. Si për koincidencë, KFOR, njëjtë u deklaruan edhe me rastin e informatave të parlamentares britanike zonjës Kearns, që dëshmoi se kishat e manastiret serbe ishin mbushur municione e armatime nga Serbia, të ngarkuara në autoambulanca, madje edhe pas kapjes së gjithë asaj sasie të armëve të sofistikuara serbe dhe municionit e automjeteve të sjella nga Serbia në Kosovë, të cilat mund të transportohen vetëm përmes rrugëve normale dhe jo në krah dhe përmes pyjeve, nëpër kufij ndërshtetëror, KFOR-i, përsëri bëri të pa informuarin, për të gjitha sa ndodhën”, shprehet Qarri.

Image
Gani Qarri

Ashtu si shumë eksperte të sigurisë që kanë paralajmëruar, edhe Qarri thotë se në Serbi po trajnohen grupet terroriste për sulme në Kosovë.

Shto kësaj faktin se Anëtarët e Komisionit për Siguri kanë ngritur serish shqetësime, se njësiti "Kobra" që njihet si njësiti më elitar i Serbisë, pjesëtarët e të cilit, në qershorin e vitit të kaluar rrëmbyen tre zyrtarë policorë brenda territorit të Kosovës, tani janë pjesë e trajnimit edhe të grupeve ekstreme terroriste serbe, përgjatë kufirit të Serbisë me Kosovën, që presin urdhrin e kriminelit Vuçiq, për kryerjen e aksioneve terroriste, këto vërtetë janë arsye shumë të forta, që me të drejtë ngritën alarmin, për sulme të mundshme terroriste në pjesën veriore të vendit tonë, ku mund të përfshihen edhe njerëz si Aleksandar Filipoviçi i cili megjithëse ishte pjesëtar i MBP të Serbisë dhe i lidhur me BIA-në serbe, me kërkesë të Milan Radoiçiçit, ishte emëruar komandant i stacionit policor në Leposaviç, e pastaj edhe në Mitrovicën veriore, përkundër faktit se mbante kontakte të ngushta me Vulinin e shërbimet serbe të sigurisë dhe dyshohet për involvim në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, të cilin Vuçiq e ka dekoruar edhe me medalje, për shërbime të veçanta ndaj Serbisë”, deklaron analisti Qarri.

Kështu që veçanërisht tani, kur ne si shtet i ri, ndodhemi para një procesi shumë të rëndësishëm anëtarësimi, siç është mundësia e pranimit të Kosovës me 16 maj në KiE, kur dihet se Serbia kundërshton me çdo mjet dhe mundësi këtë avantazh të vendit tonë, me siguri nuk duhet të përjashtohen asnjëherë aktet e reja terroriste serbe, në përpjekjet e saj që me çdo kusht ta destabilizojë, të paktën gjendjen në veri, jo vetëm me manovra ushtarake në Serbi por edhe me veprime paramilitare terroriste, brenda Kosovës”, shpjegon Qarri.

Ai shton se qëllimi kryesor i Serbisë është që ta pengojë Kosovën në rrugën drejt BE-së, si dhe ta mbajë situatën nën tension të vazhdueshëm.

Qëllimi i Serbisë, është për ti krijuar pengesa sa më të fuqishme vendit tonë, përderisa dihet mirëfilli se kriminelët dhe terroristët serb që kanë marrë pjesë në sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, janë të lirë dhe kanë mbështetje të fuqishme nga pushteti kriminel i Serbisë, gjë që kërkon vigjilencë maksimale dhe gatishmëri të lartë institucionale, për të mos i zënë organet tona të ruajtjes së rendit në befasi dhe përgjigjur sa më ashpër e në mënyrë plotësisht adekuate, çdo sulmi të mundshëm të terroristëve serb, në vendin tonë, kur dihet se edhe vet kryeministri Kurti por edhe krerët e institucioneve të sigurisë, kanë ngritur në vijimësi shqetësimet për sulme të mundshme terroriste serbe, në pjesën tanimë të rehabilituar veriore të vendit tonë”, përfundon analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat