“Do të sillte luftë, terror, gjak”, juristi tregon pse është i dëmshëm Asociacioni/ Kjo është zgjidhja për raportet Kosovë-Serbi

Politika

“Do të sillte luftë, terror, gjak”, juristi tregon pse është i dëmshëm Asociacioni/ Kjo është zgjidhja për raportet Kosovë-Serbi

Nga: Naile Ejupi Më: 29 prill 2024 Në ora: 21:36
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuciq

Çështja e asociacionit ka qenë problematike dhe vazhdon të jetë e tillë edhe pas sa vjetësh.

Ndërkombëtarët bëjnë presion vazhdimisht si Kosova, ashtu edhe Serbia të gjejnë zgjidhje rreth tij.

Një kërkesë të tillë, e pati edhe ambasadori francez, Oliver Guerot, i cili ka thënë të hënën se nëse Kosova do që ta fitojë votën në Këshillin e Evropës, duket të bëjë hap konkret rreth asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndër të tjera Guerot thotë se ky hap mund të bëhet nëse Kosova e dërgon draft-statutin e asociacionit në Gjykatë Kushtetuese.

“Presidenti tregoi mbështetjen e palëkundur të Francës ndaj Kosovës që nga ditët e para, që nga viti ‘99 e më tutje, dhe pastaj një mbështetje të palëkundur për integrimin evropian dhe institucionet evropiane të Kosovës, ku Këshilli i Evropës është një prej tyre. Kosova mund të bëjë disa gjëra për të rritur gjasat që ta fitojë këtë votim, dhe ajo që duhet të bëhet dhe për qëndrimin tonë duhet ta bëjë, është që të bëjë hapa konkret drejt themelimit apo krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Hap konkret nuk do të thotë krijim i plotë, është një hap, diçka reale, diçka konkrete dhe për mua çka do të thosha, diçka të pakthyeshme, diçka që nuk mund të tërhiqet pasi të jetë kryer kjo punë, ajo që të cilën e kanë të gjithë parasysh, besoj unë, duke iu referuar draft-statutit të asociacionit që BE-ja ka hartuar për ta dërguar atë në gjykatën kushtetuese në përputhje me procedurat e duhura”, ka deklaruar sot Guerot.

Por, juristi Muhamet Kelmendi asociacionin e konsideron të dëmshëm dhe bazë për luftë të re mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Tërheqja e kufirit midis shqiptarëve dhe serbëve është zgjidhje e vetme, e drejtë

Me shekuj kemi konflikte të ashpra dhe luftarake midis shqiptarëve, në njerën anë dhe, serbëve, në anën tjetër për zgjerim të territoreve dhe sundim mbi tjetrin.

Kjo luftë ekspansioniste ka qenë prezente në çdo kohë. Dhe në çdo kohë ishte luftë e ashpër, shumë e përgjakshme dhe që të dy kombet kanë humbur shumë.

Natyrisht se shqiptarët ishin në pozitë më të rëndë. Humbën shumë territore dhe me miliona njerëz u mbytën apo u dëbuan nga tokat e veta stërgjyshnore.

Zgjidhja e propozuar për Asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë është shumë e dëmshme dhe bazë për luftë të re midis shqiptarëve dhe serbëve.

Këtu nuk ka rëndësi se kush çka thotë dhe me cilat baza dilet kundër vijës së re të kufirit, duke kërkuar që të organizohet ky subjekt juridik serb në Kosovë.

Kundruall kësaj të keqe të madhe të Asociacionit është e rrugës që Prishtina dhe Tirana të angazhohen që në mes shqiptarëve dhe serbëve të tërhiqet një kufi mbi bazën nacionale, ekonomike dhe historike të kombit që jeton në terren.

Për shqiptarët janë të rëndësisë jetike Trepça, Mitrovica si qytet i bashkuar dhe liqeni i Ujmanit, në veri. Në perëndim është Lugina e Preshevës. Mos realizimi i kësaj vije kufitare me shtetin serb, por ndërtimi i asociacionit, është në kundërshtim me vetë raportet shqiptaro-serbe të acaruara”, deklaron Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas juristit, asociacioni do të sillte vetëm dhunë, terror, e gjak.

“Me asociacion brenda Kosovës do të ketë lëvizje kriminale e terroriste të llojit të Banjskës, deri edhe te lufta frontale shqiptaro-serbe, do të vijë në Ballkan.

Kundruall faktin se serbët, të udhëhequr nga klika nacionale-raciste dhe kriminale e Beogradit, me ideologjinë e "bashkimit" të "botës serbe", vetëm terror, krim dhe gjakderdhje do të krijon në Kosovë.

Këtu nuk ka rëndësi fare se çka deklaron z.Eskobar, z.Borel,z.Lajqak, apo çka del nga qendrat e vendosjes, si Berlini, Parisi, Londra a Vashingtoni.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është subjekt i "botës serbe".

E kjo vetëm dhunë, terror e gjak do të sjellë në Kosovë, pasi që assesi nuk mund te ndalen aksionet terroriste, të llojit të Banjskës, për të ndërtuar "botën serbe".

Duket se në qendrat ndërkombëtare të vendosjes kjo "botë serbe" nuk po "kuptohet" ose edhe më rënd, kuptohet por i bëhen lëshime shtetit serb, për të ardhur nga perëndimi, duke ikur nga Rusia.

Këtu qëndron edhe baza e Asociacionit, e kritikës dhe e lëshimeve që po i bëhen Beogradit.

Kosova po viktimizohet si në Kongresin e Berlinit, të vitit 1878, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1912/13 dhe në konferencat tjera, ku Kosova iu aneksua Serbisë”, shprehet juristi.

Ai përmend dy rrugë që çështja e asociacionit të përfundojë.

“Këtë nuk duhet pranuar.

Dy rrugë janë që çështja të përfundon.

1. Kosova shtet i pavarur dhe sovran, si çdo shtet tjetër, pa Asociacionin serb, taman me status për minoritetin serb, si shqiptarët në Luginën e Preshevës ose

2. Tërheqjen e kufirit midis shqiptarëve dhe serbëve në bazë të dhënave historike dhe të interesit ekonomik, juridik dhe nacional.

Besoj se tërheqja e kufirit me serbët, është bazë që siguron paqe.

Çdo zgjidhje tjetër, me Asociacion brenda, është lufte e re shqiptaro-serbe.

Serbia nuk ndalet me përkdhelje dhe me mjete paqësore. Beogradin e ndal vetëm forca”, përfundon Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat