“Bardhyl Ajeti u vra 10 ditë pas publikimit të këtij shkrimi”/Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Mazrekaj kërkon drejtësi për gazetarët e vrarë

Politika

“Bardhyl Ajeti u vra 10 ditë pas publikimit të këtij shkrimi”/Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Mazrekaj kërkon drejtësi për gazetarët e vrarë

Nga: M.L. Më: 3 maj 2024 Në ora: 13:59
Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti

Botuesi i gazetës kombëtare “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit ka përkujtuar gazetarët e vrarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Mazrekaj nëpërmjet një postimi në Facebook publikoi faqen e gazetës “Bota sot” të datës 19 maj të vitit 2005 me autor gazetarin e ndjerë Bardhyl Ajeti.

Vetëm 10 ditë pas publikimit të shkrimit, Ajetit iu organizua një pritë pabesie nga e cila ndërroi jetë disa javë më vonë.

Image
Botuesi i gazetës "Bota sot" Xhevdet Mazrekaj

Gazetari Bardhyl Ajeti u vra 10 ditë pas publikimit të këtij shkrimi - në përkujtim të tij dhe të të gjithë gazetarëve të vrarë, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit

Sot, teksa shënojmë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, kujtojmë dhe nderojmë guximin e gazetarëve që përballojnë rreziqe të mëdha për të sjellë të vërtetën në dritë. Ndër ta ishte edhe Bardhyl Ajeti, një gazetar i angazhuar nga gazeta jonë "Bota sot", jeta e të cilit u pre tragjikisht. Bardhyl u vra 19 vjet më parë, vetëm 10 ditë pas publikimit të njërit prej artikujve të tij guximshëm me titull "Baton Haxhiu apo Avokati i Dosjeve të PDK-së"”, shkruan Mazrekaj në postimin e tij.

Image
Shkrimi i gazetarit Bardhyl Ajeti, botuar më 19 maj 2005

Po ashtu, botuesi i gazetës “Bota sot”, ka përmendur edhe Xhemail Mustafën, Enver Malokun e Bekim Kastratin, të vrarë gjatë dhe pas luftës.

“Por Bardhyl nuk është rasti i vetëm. Gazeta kombëtare “Bota sot” ka humbur disa nga pjesëtarët e saj në mënyrë të dhimbshme: Xhemail Mustafa, Enver Maloku dhe Bekim Kastrati janë gazetarë që janë vrarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Asnjë nga këto raste nuk është zbardhur ende, duke lënë një plagë të thellë në zemrat e atyre që vazhdojnë të luftojnë për të vërtetën.

Vrasja e Bardhylit mbetet e pazbardhur, duke lënë një hije mbi sistemin e drejtësisë në Kosovë që duket se heziton të thotë të vërtetën e plotë. Megjithatë, shkrimet e tij vazhdojnë të flasin shumë, duke na kujtuar rreziqet me të cilat përballen gazetarët që guxojnë të përballen me interesa të fuqishme”, thkeson Mazrekaj.

Ai ka shtuar se si themelues i gazetës “Bota sot” ndjen përgjegjësi për të siguruar që zërat e këtyre gazetarëve të guximshëm të mos harrohen.

Si themelues i gazetës ku Bardhyl dhe shokët e tij ishin, ndjej një përgjegjësi të thellë për të siguruar që zërat e tyre të mos harrohen. Përkushtimi i tyre ndaj gazetarisë dhe guximi i tyre përballë rrezikut janë ato që ne përpiqemi të mbrojmë çdo ditë në publikimin tonë.

Le të kujtojmë sot Bardhyl Ajetin dhe të gjithë gazetarët e tjerë që u vranë, dhe të vazhdojmë të luftojmë për një botë ku gazetarët mund të raportojnë pa frikë nga hakmarrja. Një ditë, e vërteta do të dalë në shesh dhe drejtësia do të vihet në zbatim për ata që i heshtën ata.

Ne kurrë nuk do të harrojmë. Ne do të vazhdojmë luftën për lirinë e shprehjes, në kujtim të Bardhylit dhe të gjithë gazetarëve që kanë paguar çmimin më të lartë”, ka shkruar Mazrekaj.

Postimi i plotë:

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat