Kosova tash e një kohë vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.
Së fundi, qeveria Kurti ka marrë disa vendime, ku ka kërkuar largimin e sanksioneve nga BE.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten tha se Qeveria që ai udhëheq ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese.
“Kur i kemi vendosur masat kemi thënë se ato janë të përkohshme dhe mund të hiqen. Por, për këtë vendin vendet anëtare të BE-së, e jo Qeveria e Kosovës. Masat nuk ishin vendosur vetëm për një arsye, por për disa. Diskutimet për këtë janë në vazhdim e sipër në BE dhe vendet anëtare do të vendosin se a do të hiqen masat dhe kur, a do të hiqen të gjitha apo pjesërisht”, tha Stano.
Mirëpo, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se për heqjen e masave ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës, vendosin shtetet anëtare e jo Qeveria e Kosovës.
Stano potencoi se mbajtja e votimeve në komunat në veri të Kosovës më 21 prill, ishte një prej disa kushteve që BE-ja vendosi për heqjen e masave ndaj Kosovës.
Sipas Stanos, vendimi për heqjen e mundshme të masave ndaj Kosovës kërkon një konsensus më të gjerë në gjithë BE-në.
“Ka masa që janë vendosur ndaj Kosovës për arsye specifike. Kur shtetet anëtare vendosin ta bëjnë këtë dhe arsyet nuk ekzistojnë më, ata do të vendosin të heqin masat përsëri, gradualisht ose tërësisht. Por, nuk lidhet vetëm me një incident apo një ngjarje”, tha ai.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se sinjale që masat sanksionues ndaj Kosovës mund të largohen.
“Ne po presim, sepse të gjitha çka kanë qenë në anën dorën tonë për t’u bërë, janë bërë tashmë. Ne kemi organizuar votimin në komunat veriore në mënyrë që të thirren zgjedhjet. Kosova duhet të mos këtë masa nga Bashkimi Evropian, pasi masa të tilla ndëshkuese duhet t’i vendosen një vendi agresor siç është Serbia”, ka deklaruar Ahmeti.
E analistët folën mbi sanksionet ndaj Kosovës dhe qëndrimet e fundit të BE-së ndaj tyre.
Elezaj: Sanksionet nuk mund të kenë ndonjë ndikim negativ në anëtarësimin e Kosovës në KiE
E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Rexhep Elezaj.
Fillimisht, ai vlerëson se Kosovë nuk do iu largohen masat para zgjedhjeve që pritet të mbahen në BE.
Elezaj tha se masat janë vendosur padrejtësisht ndaj Kosovës.
“Unë nuk besoj se Kosovës do t’i hiqen masat ndëshkuese para zgjedhjeve të reja brenda BE-së, të cilat do mbahen me 6 dhe 9 qershor 2024, masa të cilat i janë vendosur padrejtësisht Kosovës me 28 qershor të vitit 2023, dhe kjo gjoja për shkak të vendimeve të njëanshme të qeverisë së Kosovës, që në veri kryetarët e zgjedhur në mënyrë legale në tri komunat e atjeshme t’i dërgojë me polici.
Mbase, gjithnjë sipas vlerësimeve të zyrtarëve të BE-së, ky veprim paska shkaktuar tensionim të situatës në veri, ku siç dihet, erdhi deri tek sulmet brutale të kriminelëve serbë ndaj policisë së Kosovës si dhe ndaj ushtarëve të KFOR-it, meqë rast u lënduan mbi 92 ushtarë hungarezë dhe italianë, madje disa prej tyre me lëndime të rënda, duke e ndëshkuar kështu qeverinë e Kosovës me masa ndëshkuese, të cilat ende janë në fuqi, siç ishte pezullimi i punës së organeve të Marrëveshjes për stabilizim-asociim, pezullimi i ftesave për Kosovën në takime të nivelit të lartë dhe vizita dypalëshe, përveç atyre që kanë të bëjnë me krizën në veri në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe pezullimi i disa fondeve financiare për Kosovën”, deklaroi ai.
Sipas tij, Bashkimi Evropian ndëshkoi Kosovën, ndonëse shkaktari kryesor i tensioneve në veri ishte Serbia, ku nuk i mori parasysh veprimet fashiste të Beogradit zyrtar.
“Pra, ka kaluar gati një vit që kur BE-ja e ka sanksionuar vetëm Kosovën për shkak të situatës së tensionuar në veri, duke e injoruar faktin, me qëllim, apo pa qëllim, krejt njësoj, se shkaktari kryesor i destabilizimit të situatës në veri të Kosovës, ishte dhe mbetet regjimi fashist i Beogradit zyrtar, dhe jo Kosova, qeveria e të cilës e ka obligim kushtetues që ta mbrojë dhe shtrijë sovranitetin e saj në tërë territorin e Republikës, duke amnistuar, në anën tjetër, veprimet destruktive të Serbisë ndaj Kosovës, sidomos ndërhyrjen e saj në punët e brendshme të Kosovës përmes instrumentalizimit fashist të Listës dhe bandave kriminale serbe”.
Ndër të tjera, opinionisti tha se mbetet për t’u zbuluar se pse BE ndëshkoi Kosovën dhe jo Serbinë.
Derisa, shtoi se faktin që nuk po ndëshkohet shteti serb për veprimet e saj, po vë në pah qartë qëndrimet pro-serbe të zyrtarëve të BE-së.
Mirëpo, pavarësisht kësaj, Elezaj tha se nuk ndikojnë sanskionet në anëtarësimin e Kosovës në KiE.
“Se, cila ishte prapavija dhe qëllimi i zyrtarëve të BE-së që ta ndëshkojnë Kosovën në vend të Serbisë, mbetet për t’u zbuluar në të ardhmen, ngase përkëdhelja dhe mos ndëshkimi i Serbisë, madje as për sulmin terrorist me 24 shtator 2023 në Banjskë, kanë shpërfaqur hapur qëndrimin pro-serb të zyrtarëve të BE-së, qoftë si shprehje e dobësisë së tyre për t’u ballafaquar me Serbinë pro-ruse, qoftë duke e ndëshkuar më të dobëtin, siç është Kosova. Mbase, gjitha këto lëshime ndaj Serbisë gjenocidale, mund të kenë qenë në funksion të ndonjë plani strategjik të BE-së ndaj Ballkanit perëndimorë dhe më gjerë.
Po ashtu, mendoj se të qenurit e Kosovës nën sanksione të BE-së, nuk mund të ketë ndonjë ndikim negativ në anëtarësimin e Kosovës në KiE, dhe këtë më së miri e dëshmon votimi pro Kosovës prej 131 nga 171 vota në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës me 16 prill të këtij viti”, përfundoi Elezaj për “Bota sot”.
Halimi: Kosova duhet t’i përmbush te gjitha kushtet
Kurse, drejtori ekzekutiv i institutit për Studime Evropiane dhe Globale, Jeton Halimi kritikoi qeverinë Kurti për vendosjen e masave ndëshkuese.
Për këtë, ai dha disa vlerësime të tij.
“Kosova është me masa ndëshkuese të BE-së prej politikës së dobët të Albin Kurtit dhe kabinetit qeveritar të tij.
Çështjet e brendshme të Kosovës i ka dërgu në BE, si çështja e monedhës-dinarit serb, vetëm për t’i mbuluar dështimet e veta dhe korrupsionin që po lulëzon dita-ditës nëpër ministri nga ministrat e emëruar nga vetë z.Kurti”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, shtoi se Kosova duhet t’i përmbushë kushtet që ia kanë vendosur BE dhe SHBA, përndryshe në të kundërtën mund t’i vendosen ende sanksione.
“BE-ja, SHBA-ja, Gjermania, Franca, kanë kërkuar nga kryeministri z.Kurti, ta dërgoj statutin e dhënë në Gjykatën Kushtetuese si filtër i fundit para themelimit të “Zajednicës - Vetëmenaxhimit”, që mos të bie ndeshe me Kushtetutën e Kosovës, dhe t’i eliminoj të gjitha defektet e mundshme.
Kosova duhet t’i përmbush te gjitha kushtet se përndryshe do të dështojë dhe do t’i vendosin ende sanksione”, përmbylli Jeton Halimi për “Bota sot”.