Shkelje skandaloze e të drejtave të njeriut/ Gazetarja “zbulon” pse ka ‘heshtje’ për gazetarët e vrarë

Politika

Shkelje skandaloze e të drejtave të njeriut/ Gazetarja “zbulon” pse ka ‘heshtje’ për gazetarët e vrarë

Nga: Naile Ejupi Më: 4 maj 2024 Në ora: 08:11
Xhemail Mustafa, Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti të vrarë pas luftës në Kosovë

Më se 20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, thuajse të gjitha rastet e gazetarëve të zhdukur ose të vrarë kanë mbetur të pazgjidhura. Shoqatat e gazetarëve kishin bërë thirrje të vazhdueshme që të merren përsipër këto raste, ndërsa familjarët gjejnë ngushëllim të paktë sa u përket informatave të reja për të dashurit e tyre.

Në Kosovë dje është shënuar Dita ndërkombëtare e lirës së shprehjes.

Ndryshe, nga mediet tjera një vëmendje të madhe në këtë ditë gazeta “Bota sot”, i ka kushtuar gazetarëve të zhdukur ose të vrarë, rastet këto të pazgjidhura.

Bardhyl Ajeti gazetar i gazetës “Bota sot” si dhe bashkëpunëtorët e kësaj gazete: Xhemail Mustafa, Enver Maloku dhe Bekim Kastrati janë vrarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Në Kosovë janë vrarë edhe gazetarë tjerë: Afrim Maliqi (gazeta Bujku), Shefki Popova (gazeta Rilindja.)

Lëndët e shumë prej këtyre rasteve në fillim ishin në kompetencë të misionit të Kombeve të Bashkuara apo UNMIK-ut, e pastaj në duart e misionit të Bashkimit Evropian – EULEX, kurse sot janë në duart e gjyqësorit të Kosovës.

Gazetarja dhe asistentja në Universitetin e Prishtinës, dega e Gazetarisë, Blerta Blakaj, thotë se vrasjet e pazbardhura të gazetarëve jo vetëm që përbëjnë shkelje skandaloze të të drejtave të njeriut, por prekin edhe bazën e lirisë së shtypit.

Sipas saj, pa hetime transparente dhe llogaridhënie për këto krime, besimi te institucionet zvogëlohet.

“Liria e medias nuk nënkupton vetëm mungesën e censurës apo transparencës, por nënkupton para se gjithash garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e gazetarëve, në mënyrë që ata të përmbushin rolin e tyre të rëndësishëm si ‘roje të shoqërisë’. Vrasjet e pazbardhura të gazetarëve jo vetëm që përbëjnë shkelje skandaloze të të drejtave të njeriut, por prekin edhe bazën e lirisë së shtypit dhe krijojnë një klimë frike dhe vetcensurimi në mjediset mediatike. Pa hetime transparente dhe llogaridhënie për këto krime, besimi te institucionet zvogëlohet dhe integriteti i gazetarisë vuan. Hetimet transparente dhe llogaridhënia për këto krime janë thelbësore për të mbështetur integritetin gazetaresk dhe për promovimin e një mjedisi mediatik vërtet të lirë”, deklaron Blakaj.

Image
Blerta Blakaj

Për vrasjen e gazetarit të gazetës “Bota sot”, Bardhy Ajeti, si dhe pjesëtarëve të kësaj gazete, Xhemail Mustata, Enver Maloku e Bekim Kastratin, ka shkruar edhe botuesi, Xhevdet Mazrekaj, i cili thotë se mos zbardhja e këtyre rasteve ka lënë plagë të thellë në zemrat e atyre që vazhdojnë të luftojnë për të vërtetën.

“Teksa shënojmë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, kujtojmë dhe nderojmë guximin e gazetarëve që përballojnë rreziqe të mëdha për të sjellë të vërtetën në dritë. Ndër ta ishte edhe Bardhyl Ajeti, një gazetar i angazhuar nga gazeta jonë "Bota sot", jeta e të cilit u pre tragjikisht. Bardhyl u vra 19 vjet më parë, vetëm 10 ditë pas publikimit të njërit prej artikujve të tij guximshëm me titull "Baton Haxhiu apo Avokati i Dosjeve të PDK-së. Por Bardhyl nuk është rasti i vetëm. Gazeta kombëtare “Bota sot” ka humbur disa nga pjesëtarët e saj në mënyrë të dhimbshme: Xhemail Mustafa, Enver Maloku dhe Bekim Kastrati janë gazetarë që janë vrarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Asnjë nga këto raste nuk është zbardhur ende, duke lënë një plagë të thellë në zemrat e atyre që vazhdojnë të luftojnë për të vërtetën. Vrasja e Bardhylit mbetet e pazbardhur, duke lënë një hije mbi sistemin e drejtësisë në Kosovë që duket se heziton të thotë të vërtetën e plotë. Megjithatë, shkrimet e tij vazhdojnë të flasin shumë, duke na kujtuar rreziqet me të cilat përballen gazetarët që guxojnë të përballen me interesa të fuqishme”, ka shkruar Mazrekaj.

Në anën tjetër, gazetarja Blakaj thotë se nuk janë bërë përpjekjet e mjaftueshme për zbardhjen e vrasjeve të gazetarëve.

Sipas saj, heshtja në lidhje me to mund të jetë rezultat i shumë faktorëve, por thelbësore është që vetë gazetarët të kërkojnë llogari.

“Fatkeqësisht, deri më sot, përpjekjet për zbardhjen e vrasjeve të gazetarëve në Kosovë kanë qenë të pamjaftueshme. Pavarësisht dënimit ndërkombëtar dhe thirrjeve për drejtësi, mbetet një mungesë shqetësuese e progresit në sjelljen para përgjegjësisë të autorëve dhe sigurimin e drejtësisë për viktimat. Heshtja në lidhje me vrasjet e gazetarëve mund të jetë rezultat i shumë faktorëve të ndryshëm. Megjithatë, është thelbësore që edhe vetë gazetarët të kërkojnë llogari për kolegët e tyre dhe të mbrojnë në mënyrë aktive lirinë e medias dhe demokracinë, sepse gazetarët luajnë një rol vendimtar në promovimin e llogaridhënies në shoqëri”, shton Blakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat