Franca dhe Gjermania mund të pengojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, paralajmërim i fortë nga Kuçi

Politika

Franca dhe Gjermania mund të pengojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, paralajmërim i fortë nga Kuçi

Nga: H.O. Më: 4 maj 2024 Në ora: 14:30
Gurakuq Kuçi

Gerald Knaus, kreu i Institutit Europian për Stabilitetin (ESI), ka raportuar se disa shtete anëtare të Këshillit të Europës po planifikojnë të bllokojnë votimin për pranimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave. Ndër këto shtete, përfshihen dy aleatë të rëndësishëm të Kosovës, Francën dhe Gjermaninë, të cilët tani duket se po marrin një qasje më konservatore në lidhje me zgjerimin e organizatës.

Në një prononcim për "Bota sot, Dr. Gurakuq Kuçi, hulumtues në Institutin për Studime të Luftës Hibride OCTOPUS dhe ekspert në marrëdhëniet ndërkombëtare, ka shprehur një paralajmërim të ashpër. Sipas tij, pengimi i anëtarësimit të Kosovës mund të ketë pasoja të rënda për integritetin dhe efektivitetin e strukturave ndërkombëtare.

“Nëse dikush po përgatitet të mos lejojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, duhet të presim një periudhë të rënies së shpejtë të institucioneve ndërkombëtare, të ngjashme edhe me atë që ndodhi me Lidhjen e Kombeve," paralajmëron Kuçi.

Ai ka shtuar se një veprim i tillë nga shtete si Franca, Gjermania, dhe Mbretëria e Bashkuar, që ai i ka etiketuar në deklaratën e tij, do të dëmtonte rëndë besimin në mekanizmat ndërkombëtarë të bashkëpunimit dhe qeverisjes.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Kosova është përpjekur të forcojë pozitat e saj në arenën ndërkombëtare dhe të avancojë agjendën e saj për integrime më të thella europiane. Përplasjet në lidhje me këto çështje theksojnë ndikimin e politikave të brendshme të shteteve anëtare mbi politikën e zgjerimit të organizatave ndërkombëtare.

Ndërkaq, pritet që më17 maj të votohet për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës./Bota sot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat