Profesori universitar tregon se kush tjetër përveҫ Francës e Gjermanisë do të bllokojë Kosovën në KiE, ҫfarë ndodhi në darkën informale?

Politika

Profesori universitar tregon se kush tjetër përveҫ Francës e Gjermanisë do të bllokojë Kosovën në KiE, ҫfarë ndodhi në darkën informale?

Nga: H.Orana Më: 4 maj 2024 Në ora: 20:06
Ilustrim

Profesori universitar Prof.Dr. Enver Bytyҫi ka komentuar deklaratën e Gerald Knaus, kreut të Institutit Europian për Stabilitetin (ESI). Ky i fundit tha se, Franca dhe Gjermania, janë duke u përgatitur që të bllokojnë një votim gjatë majit për pranimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës (KiE).

Prof.Dr. Bytyҫi thotë se është e vërtetë se po bëhen përpjekje për ta bllokuar pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Pararojë e përpjekjeve për këtë bllokim janë Hungaria, Franca dhe Italia.

“Por para dy ditësh kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, u takuan në Paris dhe kaluan së bashku një darkë informale. Kur takohen ata, pra dy liderët e dy vendeve më të fuqishme të Bashkimit Europian, diskutojnë për shumë tema, për plot çeshtje të sigurisë dhe politikës së jashtme të kontinentit. Kosova duhet të ketë qenë pjesë e një bisede pesëminutëshe. Në ato pesë minuta nuk besoj se gjendet kohë për debat, kundërshti, argumente e hollësi. Kësisoj, ndoshta në konformitet kancelari Scholz është pajtuar me ndonjë propozim të Macron sa i përket ecurisë së pranimit të Kosovës në Këshillin e Europës”, vlerëson ai.

Image
Prof.Dr.Soc. Enver Bytyҫi

Profesori tregon se pse po ndodh kjo? Sipas tij një rol të madh po e luan Presidenti serb, Aleksandër Vuҫiq i cili po flet gjuhë të ndryshme, me kombe të ndryshme.

“Së pari, sepse ata duan që ta mbajnë Serbinë në vagonin euro-atlantik dhe Serbia nga ana e saj luan rolin e një fëmije të llastuar, që kërcënon prindët me hedhje nga shkallët! Të njëjtin rol luan Alëksandër Vuçiq, i cili në anglisht, gjermanisht e frëngjisht flet me gjuhën që i garanton benefite. Ndërkohë në serbisht e rusisht u flet serbëve dhe rusëve në atë mënyrë që këta të ndjehen rehat me garancitë e Vuçiq. Të dy palëve ai u jep garanci. Europës dhe Amerikës u thotë se “Jam e do të jem me ju”, Rusisë i thotë se “nuk ju tradhtoj kurrë”! Për ta ledhatuar sedrën e presidentit të Serbisë, këta janë gati ta shtyjnë në kohë pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës”, thekson ai.

Ai tutje thojke, se ky bllokim nga shtetet aleate po ndodhë edhe për këtë arsye.

“Së dyti, Gjarmanisë i intereson një konsensus me Francën për problemet e mëdha të sigurisë dhe politikës së jashtme të Bashkimit Europian. Në këmbim të kësaj, nuk është çudi që kancelari gjerman të bëjë lëshime që i kërkohen nga Parisi në adresë të Kosovës. Vetëm Londra ka provuar deri më sot se nuk bën lëshime dhe është e vendosur plotësisht në mbështetje të interesave, lirisë, shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Madje Britania e Madhe sikur devijon edhe nga politika e diplomacia e aleatit më të ngushtë të saj SHBA-ve në rastin e Kosovës. Zoti Kurti ka marrëdhënie të shkëlqyera me Berlinin dhe me Londrën. Por Gjermania dhe Franca janë të kushtëzuara nga njëra-tjetra”, vlerëson ai.

Ndërsa, së treti, ai thotë se, ndikim në këto qëndrime ka marrë edhe Italia e kryeministres Meloni.

“Gjatë votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës ne pamë që deputetët përfaqësues të partive politike në Itali mbajtën qëndrim të ndryshëm nga vendet e tjera. Shumica e këtyre deputetëve abstenuan ose votuan kundër pranimit të Kosovës në KiE! Ishte një surprizë e pakëndshme. Çfarë ndodhi që Italia ndryshoi kursin e saj pro-Kosovës? Kush ndikoi për këtë? Mos ndoshta “dashnori politik” i saj më i ngushti, Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë?! Ne na lind e drejta të dyshojmë për këtë, sepse një marrëdhënie aq e ngushtë interesash e personale midis Melonit dhe Ramës duhej të shërbente normalisht për një qëndrim shumë miqësor të qeverisë dhe politikës italiane ndaj Kosovës”, thekson ai.

Sipas profesor Bytyҫit, këtu mund të ketë disa arsye. Ose Meloni ka kuptuar se Edi Ramës nuk ia ndjen për Kosovën. Ose ky i fundit ia ka kërkuar vetë Melonit një qëndrim të tillë anti-Kosovë.

“Nuk ka asnjë mundësi që Rama t’i ketë kërkuar Melonit mbështetjen e Italisë për Kosovën në Këshillin e Euroës dhe kryeministrja italiane ta ketë refuzuar kërkesën e kryeministrit të Shqipërisë. Nuk ndodh kjo në kushtet kur Rama i ka ofruar ndihmën më të madhe të mundshme qeverisë së Melonit në ofrimin e territorit shqiptar për refugjatët që i drejtohen Italisë”, tha ai për ‘Bota sot’.

Ndërkaq sa i përket shtetit të Hungarisë, ai thotë se Hungaria është gjithashtu një kundërshtare e njohur e ecurisë së Kosovës në integrimin euro-atlantik dhe në pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

“Budapesti është kundërshtar edhe i pranimit në Këshillin e Europës. Dhe të gjithë këta që përmendëm më lart po përdorin alibinë e krijimit të Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Edhe qeveria dhe institucionet e Kosovës e kanë pranuar krijimin e këtij asosacioni bazuar në respektimin e rendit kushtetues. Por Kosova ka vënë kusht që paraprakisht Beogradi të respektojë marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, me qëllim që të pranohet pavarësia, shtetësia dhe integriteti territorial i Kosovës nga ana e Serbisë”, vlerëson ai.

Profesor Bytyҫi thote edhe kryeministri i ri i Serbisë deklaroi ditën e djeshme se kurrë nuk do të heq dorë nga Kosova. Pra se dëshiron ose kthimin e saj nën sovranitetin serb, ose ndarjen e saj me Shqipërinë.

“Kush është ai politikan që në këto rrethana do të merrte përsipër krijimin e një asosacioni që shkon në drejtim të interesit serb për rrënimin e shtetësisë së saj?! Macron, Orban, Meloni (besoj se edhe Edi Rama) mesa duket duan që ëndërra e Vuçiq për ndarjen e Kosovës të bëhet realitet dhe shfrytëzojnë pranimin në KiE të saj për të bërë presion. Scholz, mesa duket shpreson se do ta përdorë autoritetin e tij për ta parandaluar një projekt të tillë, edhe nëse krijohet ky asosacion. Por pozita e tij dobësohet pas kësaj”, tha ai.

 Në këto rrethana, ai thotë se i mbetet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani që të marrin një vendim, por të mos pranojnë asnjë kushtëzim me Asociacionin.

“Në këto kushte unë mendoj e madje besoj që kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani duhet të ulen dhe të marrin një vendim, çfarë do të bëjnë? Sigurihst që duhen bërë përpjekje maksimale për të garantuar votat e nevojshme për pranim në Këshillin e Europës. Por në alternativën nëse kjo kushtëzohet me asosacionin, atëherë unë besoj se i dihet thënë jo pranimit në KiE. Më mirë të shtyhet ky pranim, sesa të pranohet opsioni i krijimit të një organizmi që çon në ndarjen e Kosovës. Lidershipi i Kosovës së sotme është i aftë të gjykojë vetë, por kujdesi duhet të jetë maksimal”, thekson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat