Zbardhen arsyet pse Kosovës nuk po i hiqen sanksionet, ky është plani

Politika

Zbardhen arsyet pse Kosovës nuk po i hiqen sanksionet, ky është plani

Nga: P.R Më: 5 maj 2024 Në ora: 07:59
Foto ilustrim

Po bëhet gati një vit, që kur ndaj Kosovës u vendosën disa masa shtrënguese nga ana e Bashkimit Evropian. Ishte qershori i vitit 2023, kur kryeministri Kurti mundësoi emërimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës dhe këtë akt BE e diplomatë amerikanë e konsideruan si „provokim“ të situatës në veri, duke i vendosur sanksione Kosovës, sanksione këto që mbesin ende në fuqi, ani pse Kosova i ka plotësuar pothuajse gjitha kriteret që BE i kërkoi.

E sipas profesorit dhe doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, i cili vendosi sanksione Kosovës ishte pikërisht kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“I pari ishte Edi Rama ai që asokohe e kapi momentin që t’u bjerë sy partnerëve amerikanë dhe evropianë. Afera dhe skandali me McGonigal i kishte tronditur marrëdhëniet e tij me SHBA-të dhe kryeministri I Shqipërisë shfrytëzoi refuzimin e kryeministrit të Kosovës të këshillave amerikane. Reagoi fort. Anuloi mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës e përgatitur tashmë për t’u zhvilluar në Gjakovë. Madje ky anulim u bë vetëm 24 orë para këtij aktiviteti. Prej asaj kohe nuk janë bërë më mbledhje të të dy qeverive. Megjithëse kjo iniciativë u shit në vitin 2014 si një lëvizje unike në historinë e pasluftës në Kosovës. Qëllimi ishte që Edi Rama të merrte rolin e „babait të kombit“! Por kur u pa se ai u bë kumbara i Serbisë dhe njerku i Kosovës, ai hoqi dorë edhe nga mbledhjet e përbashkëta të të dy qeverive”, shprehet Bytyçi.

Siç thotë ai, anulimi i asaj mbledhjeje ishte shuplaka më e madhe që iu dha Kosovës, qeverisë dhe institucioneve të saj.

“Dhe nga kush? Nga „Bigbrather-i“! Nuk përmendet kot ai dialogu me atë personin që ia nxorën sytë, i cili kur përgjigjet se njeriu që bëri këtë gjë ishte i vëllai, tjetri përgjigjet: “E shoh se sa thellë të paska ngulur thikën”! Kështu ka ndodhur me këtë “vëllain” e Kosovës me emrin Edi Rama. Kështu ndodhi edhe atë fund qershori të vitit të kaluar! Gjithmonë për shkak të aferave të kryeministrit të Shqipërisë”.

Pas Edi Ramës, sipas Bytyçit, u mobilizuan të gjithë evropianët anti-Kosovë.

“Sidomos presidenti francez, Emmanuel Macron. Dhe ia arritën ta bindin BE-në për të vendosur masa shtrënguese, ose siç po quhen “sanksione” kundër Kosovës. Mirëpo qe lehtë për t’i vënë ato masa dhe nuk duhet menduar se do të jetë lehtë për t’i hequr ato. Bashkimi Evropian ra në kurthin e dashkëqinjve të Kosovës. U bind shpejt dhe me dëshirë i vendosi ato masa. U tha se celebrimi i kryetarëve të komunave në veri ishte shkaku i këtyre sanksioneve. U kërkua që të kërkohen zgjedhje të reja në katër komunat në fjalë dhe të rizgjidhen serbët në krye të tyre. Kjo ndodhi muajin e kaluar. Por serbët bojkotuan. Nuk deshën të ndryshojnë qeverisjen lokale në komunat ku ata janë shumicë”, deklaron Bytyçi për “Bota sot”.

Ai thotë se Kosovës do t’i kërkohen edhe kushte të reja në mënyrë që t’i hiqen këto sanksione.

“Qeveria Kurti kërkoi që të hiqen masat ndëshkuese. Por Peter Stano tha sot se “Kosova duhet të zbatojë edhe kushte të tjera“ që të hiqen sanksionet. Kjo do të thotë se dikush në BE nuk dëshiron të hiqen këto sanksione. Nëse vetëm një shtet të jetë kundër, ato sanksione nuk hiqen. Tani është shumë vështirë të arrihet konsensusi për heqjen e këtyre masave. Secili shtet mund të kërkojë e vendosë një kusht të ri. Prandaj dhe Borrell e Lajçak gabuan rëndë kur i bindën shtetet e BE-së të vendosin krejt padrejtësisht ato sanksione. Për mua këta të dy janë përgjegjësit kryesorë. Si Borrell dhe Lajçak deshën të mbulojnë dështimin e tyre në dialogun e Kosovës me Serbinë duke kërkuar sanksione kundër Kosovës”.

“Por ka edhe një arsye tjetër madhore, pse këto sanksione nuk hiqen. Në BE miqtë e Serbisë duan t’i dëshmojnë presidentit Vuçiq miqësinë dhe përkrahjen e tyre. Duan t’i thonë atij se “E shihni! Ne jemi të rreptë me Kosovën! Prandaj dhe nuk mund të na akuzosh për njëanshmëri“! Por ka mundësi që të luhet edhe një lojë tjetër politike. Sanksionet nuk hiqen për të mos e mërzitur më shumë se duhet presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe rezoluta e OKB-së për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të masakrës së Srebenicës konsiderohet se janë të mjaftueshme si masa ndëshkimi për Serbinë në këto kohë. Po të hiqen edhe ato që quhen sanksione, atëherë kjo mund të konsiderohet si e panevojshme së paku për momentin”, shton profesor Bytyçi.

Por kur mund të hiqen sanksionet ndaj Kosovës sipas profesor Bytyçit?

“Sido që të jetë, nuk duhet të presim ndonjë vendim pozitiv së paku para zgjedhjeve në parlamentin e ri evropian. Sanksionet kundër Kosovës do të shërbejnë për disa forca politike që konkurrojnë në këto zgjedhje si dëshmi për votat e elektoratit të ekstremit të djathtë. Franca e ka këtë problem të vazhdueshëm. Macron konkurron me Maie Le Pen. Dëshiron të marrë votuesit e saj. Atëherë ai bën llogaritë. Këta votuesit e Le Pen janë kundër pavarësisë së Kosovës. Ndaj dhe Macron hiqet si anti-Kosovë. Për t’u hequr i tillë, duhet të vihet vetoja për heqjen e sanksioneve kundër Kosovës. Pikërisht këtë bën sot edhe Macron. Këto arsye mund të mos jenë plotësisht shkaku i hezitimit të Stanos për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës. Por Kosova nuk ka kohë në këtë moment të merret me heqjen ose jo të këtyre sanksioneve. E gjithë vëmendja duhet të përqendrohet këto dy javë te anëtarësimi në Këshillin e Evropës”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat