Eksperti nga Brukseli: Heqjen e sanksioneve nga BE-ja ndaj Kosovës po e bllokojnë këto dy shtete

Politika

Eksperti nga Brukseli: Heqjen e sanksioneve nga BE-ja ndaj Kosovës po e bllokojnë këto dy shtete

Nga: A.Zh Më: 5 maj 2024 Në ora: 12:00
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, nuk shpreson se Bashkimi Evropian (BE), do t’i heqë masat sanksionuese ndaj Kosovës së shpejti.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, eksperti në Bruksel, ka akuzuar BE-në për anim nga pala serbe.

“Jo, nuk mendoj (se BE-ja do t’i heqë masat). BE-ja ka mbajtur qartë anën e Serbisë për këtë”, ka thënë ai.

Image
Toby Vogel

Krerët shtetërorë të Kosovës, kërkuan nga BE-ja heqjen e sanksioneve, pas zgjedhjeve të 21 prillit në katër komunat veriore (Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë Veriore), ku dështoi procesi i votimit për shkarkim të kryetarëve shqiptarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese.

Por, sipas zëdhënësit të BE-së Peter Stano, për heqjen e masave ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës, vendosin shtetet anëtare e jo Qeveria e Kosovës.

“Kur i kemi vendosur masat, kemi thënë se ato janë të përkohshme dhe mund të hiqen. Por, për këtë vendosin vendet anëtare të BE-së, e jo Qeveria e Kosovës. Masat nuk ishin vendosur vetëm për një arsye, por për disa. Diskutimet për këtë janë në vazhdim e sipër në BE dhe vendet anëtare do të vendosin se a do të hiqen masat dhe kur, a do të hiqen të gjitha apo pjesërisht”, ka deklaruar Stano.

Sipas Toby Vogel, për largimin e sanksioneve ndaj Kosovës, mund të votojnë kundër Hungaria dhe Sllovakia.

“Masat u miratuan pa një votim zyrtar në Këshillin e BE-së, por Përfaqësuesi i Lartë Borrell, tani me sa duket ka vendosur që heqja e tyre do të kërkonte një votë të tillë dhe gjithmonë mund të gjesh dikë – për shembull, Hungarinë ose Sllovakinë – që do të bllokojë”, ka nënvizuar Vogel për “Bota sot”.

Ai është pyetur edhe se pse Serbia nuk është dënuar ende për sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator të vitit të kaluar.

“Sepse Perëndimi mendon se ka nevojë për Vuçiqin për të ruajtur "stabilitetin rajonal", edhe pse Vuçiq është dukshëm kërcënimi i vetëm më serioz për këtë stabilitet”, ka theksuar eksperti.

Ndërkaq, lidhur me propagandën dhe fushatat e «egra» të Serbisë, kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Vogel ka thënë se qëllimi i Aleksandar Vuçiqit, është të tregojë se mund të veprojë pa u ndëshkuar.

“Vuçiq po përdor çdo gjë që mundet për të minuar Kosovën, dhe në përgjithësi ata që i rezistojnë projektit të Serbisë së Madhe. Ne mund ta shohim këtë me diplomacinë e furishme serbe që kërkon të bllokojë rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Srebrenicën. Ai ndoshta mendon se çdo fitore për Kosovën tani do të zvogëlonte kredibilitetin e tij – por ai gjithashtu dëshiron të demonstrojë se mund të veprojë pa u ndëshkuar, pa asnjë pasojë, sepse ai ka mbështetjen e Uashingtonit, Brukselit, Parisit dhe Berlinit”, ka thënë Toby Vogel për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat