Qarri zbulon planin e rrezikshëm brenda BE-së për ndarjen e Kosovës: Hashim Thaҫi, Vlora Çitaku e Dhurata Hoxha nuk do të guxonin…

Politika

Qarri zbulon planin e rrezikshëm brenda BE-së për ndarjen e Kosovës: Hashim Thaҫi, Vlora Çitaku e Dhurata Hoxha nuk do të guxonin…

Nga: H.O. Më: 5 maj 2024 Në ora: 22:15
Ilustrim

Kanë mbetur edhe pak ditë kur pritet të votohet nëse Kosova do të jetë pjesë e Këshillit Evropian të Sigurisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur optimist se Kosova do të jetë pjesë e këtij institucioni, e poashtu edhe Aleksandër Vuҫiq, presidenti i shtetit më kundërshtues të Kosovës, është shprehur se mëngjesi i 16 majit, mund ta gjej Kosovën pjesë të KiE.

Mirëpo, pak ditë para se të mbahet kjo seancë, kreu i Institutit ESI, Gerald Knaus, ka thënë se janë disa shtete anëtare të Këshillit të Europës që po përgatiten të bllokojnë votimin për pranimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave. Ai këtu radhit edhe dy shtetet aleate të Kosovës, Francën e Gjermaninë.

Lidhur me këtë deklarim, publicist dhe njohësi i ҫështjeve politike, Gani Qarri, deklaron se Kosova për asnjë çmim dhe nën asnjë lloj presioni as forme kushtëzimi sado të forta e të rënda qofshin ato, nuk guxon ta formojë asociacionin një etnik serb, ai që formon asociacionin serb, qoftë edhe me arsyetimin, se këtë e kërkuakan, “miqtë” tanë ndërkombëtar, duhet ta di se ka firmosur me dorën e tij, ndarjen e ri-copëtimin dhe shuarjen e shtetësisë së Kosovës tonë, përjetësisht.

“Të lë pa mend, fakti trishtues, se sa thellë janë inkorporuar hilet e Serbisë hegjemoniste, sa që edhe gazetarët nepotik, të punësuar familjarisht në televizionin publik, i cili paguhet me taksat e qytetarëve dhe buxheti i shtetit të Kosovës, bëjnë edhe propagandë të paparë dhe kritika me këmbëngulje marramendëse, për (mos)realizimin e kërkesave të Serbisë, si asociacioni një-etnik serb në Republikën e Kosovës, me arsyetimin se atë e kërkuaka Amerika, BE, Serbia etj, sikur ata ti kishin udhëheqë bisedimet me Serbinë dhe jo delegacioni legjitim i shtetit të Kosovës”, thekson ai.

Image
Gani Qarri
 
Ai thotë se nëse Kosova, u dashka, që qysh tani, ta formoi medoemos asociacionin serb, vetëm për tu anëtarësuar në KiE, çfarë duhet të jap, pastaj, një vendi kaq i vogël, si ky i yni, për njohje nga Serbia dhe pranimin e Republikës së Kosovës, si shtet me të drejta të plota, në OKB?!

“Ne akoma jemi në gjysmë të rrugës dhe t’i bëhet një kushtëzim i tillë Kosovës, në hapin e fundit për pranim në KiE me formimin e asociacionit, jo vetëm se është shumë i habitshëm, por edhe i paraprinë kushtëzimit të radhës, për faljen e veriut të vendit tonë Serbisë hegjemoniste, në emër të “heqjes” dorë të Serbisë, nga pjesa tjetër e Kosovës.... Por, me këtë rast, nuk duhet harruar, se në fakt, Serbia realisht do të mbetet thellë e involvuar, përsëri me kishat dhe manastiret ortodokse në vendin tonë, për të cilat thuhet se ka marrëveshje të nënshkruara me Serbinë, nga qeveritë e me parme, që ato të mëvishen me toka shtesë dhe eksterritorialitet, të cilat nuk do të administrohen nga Kosova por nga Serbia dhe patriarku serb, cilido qoftë ai”, thotë publicisti Qarri.

Prandaj, sipas tij, edhe ajo që thotë kreu i Institutit ESI, Gerald Knaus, se janë disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës që po përgatiten të bllokojnë votimin për pranimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave, përfshi këtu Francën dhe Gjermaninë, duket se vërtetë, në BE, mjerisht është arritur një dakordim koncensual, për fillimin e ndarjes së Kosovës, ndarje që mund të jetë planifikuar, të nisë me formimin e asociacionit, si hapi i parë, akt që në njëfar forme dëshmon se pse as Shqipëria e Edi Ramës e lidhur ngusht me Vuçiqin, nuk lobon te kryeministrja Italiane, që të votojnë pro pranimit të Kosovës në KiE.

“Madje për këtë, BE duhet të posedojë edhe fakte relevante, të formës së marrëveshjeve të nënshkruara para disa vitesh, ndërmjet palëve, në periudhën mbi një-dekadëshe të dialogimit nga Thaçi & Co. Përndryshe kuislingu Hashim Thaçi nuk do të kishte guxuar ta hapte publikisht temën për ndarjen e Kosovës dhe korrigjimin e kufijve qysh më 2018 në Alpbach të Austrisë , siç nuk do të kishte guxuar Vlora Çitaku, që në emër të ambasadores së shtetit, të punonte aq intensivisht, për ndarjen e Kosovës në Nju Jork dhe as ministrja e ashtuquajtur "për integrime evropiane" në qeverinë e PAN-it,ish këshilltarja e kuislinut Thaçi dhe Kadri Veselit Dhurata Hoxha të paguante firmën franceze si “Majorelle PR & Events” për propagandimin e ndarjes së Kosovës, me parat e taksapaguesve të vendit tonë, në kryeqytetet evropiane dhe botërore, kundër të cilës është zhvilluar edhe një proces gjyqësor”, vlerëson ai.

Analisti Qarri thotë për ‘Bota sot’ se, sa u takon animeve proserbe të ndërmjetëseve të BE-së, dhe emisarit (latino)amerikan, ajo më së miri , u pa me qëndrimet mbështetëse ndaj Serbisë të Mirosllav Lajçakut por edhe të emisarit misterioz të SHBA-ve, Gabriel Eskobar, gruas së të cilit, pak pas marrjes së mandatit të të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor nga SHBA, ia financonte ekspozitën Ministria e jashtme e Serbisë.

E të mos flasim këtu, tani edhe për strumbullarin e gjithë kësaj katrahure ndërmjetësuese, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borell, kundër të cilit Deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer ka reaguar mjaft ashpër, pas urimit dhe dëshirës që shprehu Borell për bashkëpunim me qeverinë e re të Serbisë, në përbërjen e të cilës, janë futur edhe dy të sanksionuarit e SHBA-së, Aleksander Vulin dhe ministri pa portofol, Nenad Popoviq, duke e quajtur sjelljen e Borellit si budallallëk dhe “politikë delirante ndaj Serbisë, përderisa kryeministri i propozuar serb Milos Vuçeviq tregoi qartë se : Serbia dëshiron, vetëm me ministra pro-rus dhe kushte ruse të anëtarësohet edhe në BE”, thotë ai.

Publicisti Qarri thotë se arsyeja e vetme pse Gjermania e cila ka përkrahur deri më tani Kosovën, bashkë me Francën do të pengojnë anëtarësimin e Kosovës në KiE, ka të bëhë me një dakordim brenda BE-së për ndarjen e Kosovës.

“Prandaj, përderisa edhe vet Gjermania të cilës deri më tani, në Kosovë, i thureshin lëvdata se ajo shpëtoj vendin tonë nga ndarja dhe tani dërgon, publikisht sinjale , se do ti bashkohet Francës në pengimin e Kosovës, për anëtarësim në KiE dhe ta vështirësoj rrugëtimin e vendit tonë drejt BE-së, këtu është në pyetje, një enigmë e madhe, e cila nuk mund të jetë asgjë tjetër, përveç dakordimit brenda përbrenda BE-së, për nisjen e procedurës për ndarjen e Kosovës, që si hap i parë, do të fillonte me formimin e asociacionit, një etnik serb, si "bazë" themeltare e vizatimit të kufijve ndarës, e cila do të cilësohej, si zgjidhja e "vetme", “më e mirë”, për përmbylljen e problemeve shqiptaro-serbe, gjë që Kosova, nuk duhet ta pranojë, për asnjë çmim, as kusht, kur dihet mirëfilli se një aventurë e tillë meskine, i vë mu këtu, pikën përfundimtare, historisë së shtetit të Kosovës”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat