Shkoi edhe Escobar?! Por Escobarët nuk mbarojnë!

Politika

Shkoi edhe Escobar?! Por Escobarët nuk mbarojnë!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Bota sot Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Bota sot Më 6 maj 2024 Në ora: 12:06
Gabriel Escoba

Gabriel Escobar ishte për disa prej nesh i padëshirueshëm në dialogun Kosovë-Serbi. Seç kishim një brengë, një dilemë, një nëndije tonën, me të cilën e ndjenim dhe disa herë e shihnim se anon në barrën e madhe të këtij dialogu. Në fund na tha se duhet Asociacioni për t’u pranuar Kosova në KiE! Ndërkaq u provua se ai anoi plotësisht nga krahu serb. Gruaja e tij hapte ekspozita në Beograd, ashtu si kryeministri i Shqipërisë promonte librin e tij po në Beograd. Të etur për t’u shfaqur në kryeqytetin e Serbisë dhe të “pazotë” për t’u prezantuar në kryeqytetet e tyre.

Por, Escobar ishte për disa të tjerë, natyrisht të sojit tonë, shqiptarë, shumë i dëshirueshëm. Se këta të sojit tonë, të ndryshëm nga ne tjerët, donin ta përdornin kundër “armikut të klasës”! Kundër Sali Berishës, kundër Albin Kurtit dhe kujtdo tjetër që nuk i bindeshin klanit Soros për të ndërtuar marrëveshje paqeje me territoret e Kosovës për Serbinë. Dhe kështu Escobar i ndihmoi këta të sojit tonë pro-serbë që të ndërtojnë narrativën “Pro dhe kundër amerikanë”! Po ishe kundër Escobar, automatikisht do të emërtoheshe “anti-amerikan”, ani pse ti simpatizon dhe nderon me respekt të veçantë Wilson-in, Reganin, Bush-Senjor, Bill Clinton-in, Bush-Junior e besa edhe Biden-in.

Joooooo! Për sejmenët e Beogradit duhet të respektosh marionetat amerikane të Serbisë në Amerikë, që të quhesh “pro-amerikan”! Ndryshe je armik i Amerikës. Escobar ishte njëri prej shabllonit pro-amerikan. Para tij ishte Palmer-i. Vazhdon të vegjetojë edhe Juri Kim! Po pse ndodh kjo hata dhe diplomatë të lartë amerikanë, njësoj si dhe drejtues të FBI-së amerikane, si McGonigal, bëhen vijë e demarkacionit midis pro dhe anti-amerikanëve shqiptarë?!

Korrupsioni, korrupsioni, im Zot, do të thoshte një shkrimtar i shquar! Korrupsioni është përhapur edhe në godinën që merr vendime për shpalljen “Non-Grata” të politikanëve të “përfshirë në korrupsion”. Korrupsioni i disa diplomatëve amerikanë me autokratët e Serbisë dhe të Shqipërisë minon demokracitë e këtyre vendeve, si dhe të vetë SHBA-ve. Dhe këta minues të demokracisë amerikane kanë më shumë se dy vite që bërtasin me të madhe kundër “minuesit të demokracisë në Shqipëri”, pra kundër Sali Berishës”! Bar na dhanë, nëse nuk e luftojmë “korrupsionin e Berishës”! “Do ju shpallim terroristë”, na thanë! (Palmer).

Dhe të korruptuarit shqiptarë e serbë u bënë bashkë si trup i vetëm rreth të korruptuarit Palmer, Escobar, Grennell, Kim, McGonigal, e të tjerë, e të tjerë. E shpallën veten “pro-amerikanë”! U bënë njësh me dreqin, vetëm që ta ndalin veprimtarinë patriotike të ndershme të politikanëve kundërshtarë të tyre. Me sponsorizimin e Aleksandër Vuçiq dhe të Edi Ramës. D.m.th me taksat tona. Vidh shqiptarët, paguaj amerikanët e korruptuar dhe lufto kundër patriotizmit shqiptar, për të mundësuar interesat serbe në hapësirat tona, veçmas në Kosovë! Albin Kurti është shënjestra e radhës, objektivi “anti-amerikan” i “amerikanëve dhe “pro-amerikanëve” të korruptuar. Kjo ishte dhe vazhdon të mbetet formula e të korruptuarve pro-amerikanë.

Tani Escobar u largua. Para tij ishte larguar edhe Palmer! Juri Kim vazhdon të punojë në DASH, sepse i duhet imunitet diplomatik për t’u mbrojtur nga aferat korruptive me Edi Ramën. Punë e Sorosit është kjo. Edhe e Blinken, natyrisht! Grennell punon hapur. Ai nuk e fsheh shërbimin që i bën Serbisë, kur thotë se “Paraja nuk është krim”! D.m.th paraja justifikon gjithçka, edhe padrejtësinë, jo vetëm ndaj individit, por edhe ndaj një shteti, një populli, si Kosova!

Ndërsa në radhët e shqiptarëve emrat e të korruptuarve “pro-amerikanë” të Escobarit janë aq shumë sa nuk mundesh t’i numërosh! Zot na ruaj nga kjo përmbysje vlerash në kohë të trazuara! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat