“Dyshime të mëdha mbi Francën”, zbërthehet paralajmërimi i Kanus-it – çfarë do ndodhë me anëtarësimin e Kosovës në Kie?

Politika

“Dyshime të mëdha mbi Francën”, zbërthehet paralajmërimi i Kanus-it – çfarë do ndodhë me anëtarësimin e Kosovës në Kie?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 6 maj 2024 Në ora: 17:57
Foto ilustrim

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare votoi në favor të raportit që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Çështja tani është në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Mirëpo, ende nuk dihet se si do shkojë gjithë procesi, kjo pasi zërat janë shtuar se anëtarësimi në KiE i është kushtëzuar Kosovës me themelim të Asociacionit.

E së fundi, Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha se disa shtete, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, janë duke u përgatitur që të bllokojnë një votim gjatë majit për pranimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës (KiE).

Përmes një postimi në X, Knaus bëri të ditur se një grup shtetesh po përgatitet të veprojnë kundër rekomandimit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, që tha se Kosova ka përmbushur kriteret për të qenë pjesë e organizatës.

“Aktualisht, disa qeveri të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë atë të Gjermanisë dhe Francës, po përgatiten ta bllokojnë një votim në maj për pranimin e Kosovës, duke injoruar rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të dhënë në prill”, shkroi Knaus.

Sipas tij, një bllokim i tillë vjen pas një fushate të bërë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Kjo pason një fushatë të presidentit të Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, përfshirë edhe apelin e tij personal ndaj presidentit [të Francës, Emmanuel] Macron, që të mos lejojë votimin – dhe një zotim serb për të blerë 12 avionë luftarakë francezë Rafale”, shkroi Knaus.

Si duhet parë ky paralajmërim i Knaus dhe në çfarë aspekti mund të ndikojë kjo gjë për Kosovën, treguan analistët politikë për “Bota sot”.

Mehmeti: Dyshimet janë të mëdha tek Franca

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politikl Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Së pari, ai tha se Franca edhe mund ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në KiE, mirëpo nuk beson se një gjë të tillë do ta bënte Gjermania.

“Dyshimet janë të mëdha tek Franca, derisa Gjermania nuk besoj se do e bllokojë procesin e anëtarësimit të Kosovës. Pavarësisht se kancelari Scholz paralajmëroi Kurtin se Asociacioni do të ndodhë, nuk besoj se do e bllokojë procesin. Franca ka mundësi ta bëjë nga lidhjet e fuqishme që ka me Serbinë. Ka mundësi të shtyhet për një kohë votimi, nëse ndodhë tani besoj se Kosova e kalon numrin e nevojshëm të votave për anëtarësim”.

Po ashtu, potencoi se Knaus me deklaratën e tij paralajmëroi se votimi edhe mund të shtyhet.

“Deklratata e z.Knaus është paralajmërim se votimi mund të shtyhet, nëse ndodhë kjo, atëherë Kosova nuk ka gjasa që këtë vit të anëtarësohet, ose ndodhë anëtarësimi tani në KiE ose për këtë vit nuk besoj se mund të ndodhë”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Zogaj: Vendet më të fuqishme si Franca e Gjermania kanë shqetësim

Kurse, publicisti Skënder Zogaj në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se është shqetësuese se si nuk po ka suksese për Kosovën në arenën e integrimit evropian.

Image
Skender Zogaj

“Kur vjen vera kah dera dhe nuk ka kush ia çel derën, pranvera vonohet, bari rritet më ngadalë, lulet çelin më pak, gruri korret më vonë dhe, quhet stina quhet e ligshtë! Kjo po i ngjet Kosovës, e cila po qëndron: "...pranë dritës e pa nxënë, pranë sofrës e pangrënë!" Është vërtetë për shqetësim sepse po bëhet një çerek shekulli dhe, nuk po arrihet suksesi i dëshiruar për integrim në BE, që dihet se, është kushti kryesor i finalizimit të shtetësisë së Kosovës dhe i realizimit të lirisë së shqiptarëve!”.

Krahas kësaj, Zogaj tha se fajin për këtë duhet ta kërkojmë edhe te vetja dhe jo vetëm tek të tjerët.

Ai tha se për 24 vjet nuk është vepruar si duhet, prandaj me qeverisjen tonë, i kemi vënë në siklet edhe aleatët.

“Pse ka ndodhur kjo, e dimë të gjithë, mirëpo fajin e kërkojmë te të tjerët sepse nuk kemi mendje as zemër ta pranojmë se fajin e kemi vet, ne që po tallemi me lirinë dhe po i vërtetojmë të thënat e armiqve tanë, se shqiptarët nuk dinë të vetëqeverisen! Kështu kemi vepruar qe 24 vjet prandaj, i kemi vënë në siklet edhe aleatët, miqtë tanë që na kanë ndihmuar të çlirohemi të bindur se do të dimë ndërtojmë lirinë. Kjo ende nuk po ndodh, prandaj faktori ndërkombëtar me ne po i bën eksperimentet e Pavlovit!” – nënvizoi ai.

Ndër të tjera, publicisti potencoi se paralajmërimi i Knaus shpërfaq faktin se Franca e Gjermania kanë shqetësimet e tyre, prandaj Kosova duhet t’i marrë parasysh ato.

“Kush ka sy e vesh, e kupton deklaratën e Gerald Knausit, i cili po tregon se disa vende, përfshi edhe Francën e Gjermaninë, po përgatiten të bojkotojnë votimin në maj për pranimin e Kosovës në Organizatën e Këshillit të Evropës. Vet fakti se, vendet më të fuqishme si Franca e Gjermania po përgatiten, nënkupton se kanë shqetësim, prandaj, Kosova nuk është mirë nëse nuk brengoset dhe përpiqet ta anashkalojë paralajmërim e miqve!” – përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat