Deputeti gjerman flet për ‘Bota sot’, tregon nëse Gjermania do të votoj pro Kosovës; sqaron ҫështjen e Asociacionit

Politika

Deputeti gjerman flet për ‘Bota sot’, tregon nëse Gjermania do të votoj pro Kosovës; sqaron ҫështjen e Asociacionit

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 6 maj 2024 Në ora: 21:13
Deputeti Knut Abraham

Më 17 maj pritet të votohet për Kosovën nëse do të jetë pjesë e Këshillit të Evropës. Derisa ka mbetur pak kohë deri tek votimi, dy shtete aleate të Kosovës, duket se kanë një qëndrim tjetër.

Zyrtarë evropian e pohuan se Franca dhe Gjermania do të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Lidhur me këtë ҫështje, gazeta ‘Bota sot’ ka kontaktuar deputetin e Bundestagut gjerman, Knut Abraham. Ai në një prononcim për gazetën tonë, thotë se më 24 prill të vitit të kaluar nga Komiteti i Ministrave u vlerësua që Kosova përmbush kriteret për tu bërë anëtare. Ndërkaq më 18 prill të këtij vitit, me 83% të votave, u bë i ditur anëtarësimi i Kosovës në KiE.

"Komiteti i Ministrave i kërkoi Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) më 24 prill 2023 që të vlerësojë nëse Kosova i përmbushi të gjitha kushtet për t'u bërë anëtare. Dy avokatë eminent dhe tre raportues nga komisione të ndryshme në Asamblenë Parlamentare vlerësuan në raporte të detajuara nëse Kosova i plotëson kushtet. Me një shumicë prej 83 për qind, anëtarët e PACE nga e gjithë Evropa - duke përfshirë nga shtetet jo-njohëse - votuan pro anëtarësimit të Kosovës më 18 prill 2024. Në një shkrim të javës së kaluar, raportuesja greke për Kosovën, znj. Dora Bakojanis, e bëri të qartë se: "Asnjë anëtari kandidat nuk i është kërkuar ndonjëherë të ndërmarrë kaq shumë reforma përpara se të diskutohej për anëtarësimin e tij në Organizatë. Kjo është ndoshta arsyeja pse 83% e Asamblesë votuan pro Raportit." https://rks.news/cdm-spajiq-and-scholz-said-that-kosovo-joins-the-council-of-europe-after-the-launch-of-the-association/”, vlerëson ai.

Deputeti gjerman thekson se tani, më 17 maj, Komiteti i Ministrave mund të vendosë që të votojë anëtarësimin e Kosovës me 2/3 e shumicës.

“Kjo kërkon, megjithatë, që votimi për anëtarësimin të futet në rend dite, gjë që fatkeqësisht nuk ka ndodhur deri më tani. Qeveria gjermane nuk është kundër anëtarësimit të Kosovës. Megjithatë, duke shtuar parakushte shtesë që nuk kanë të bëjnë me standardet e Këshillit të Evropës dhe të cilat Kosova nuk mund t'i përmbushë, qeveria gjermane de facto ka kontribuar në një situatë bllokimi”, thekson ai.

Deputeti Abraham sqaron edhe ҫështjen sa i përket krijimit të Asociacionit, e që mund të ndërlidhet me anëtarësimin e Kosovës në KiE. Ai thotë se propozimi për Asociacionin duhet të vijë nga vetë komunat, as nga Qeveria e Kosovës dhe as nga Quinti.

“Duke kërkuar që qeveritë e Kosovës të krijojnë një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe nga lart-poshtë, në vend që të inkurajojnë komunat me shumicë serbe që ta krijojnë vetë asociacionin, siç është standardi në Evropë me "Lirinë e tubimit dhe asocimit" të mishëruar në neni 11 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut; apo kërkesa që qeveria e Kosovës t'ia përcjellë Gjykatës Kushtetuese një non-paper për ASM-në, propozim i cili është shkruar nga Kuinti dhe jo nga komunat me shumicë serbe është thjesht absurde. Ai minon parimin e Planit të Ahtisaarit, i cili u jep komunave me shumicë serbe kompetenca të gjera. E drejta e komunave për t'u asociuar është e paraparë edhe në Kushtetutën e Kosovës. Propozimi duhet të vijë nga vetë komunat, jo nga qeveria e Kosovës apo Kuinti. Gjithashtu në Gjermani, dhënia e një opinioni për një non-paper do të konsiderohej e papranueshme nga Gjykata Kushtetuese”, vlerëson ai.

Megjithatë, deputeti gjerman, që është treguar si mik dhe përkrahës i vendit tonë, thotë shpreson që qeveria gjermane të ndjekë vlerësimin e APKE-së, dhe nëse respektohen standardet dhe vlerat e këtij Këshilli, atëherë pranimi i Kosovës, është e vetmja zgjidhje.

“Si përfundim, shpresoj që qeveria gjermane të ndjekë vlerësimin e detajuar të APKE-së dhe juristëve të shquar në vend që të bëjë parakushte shtesë (absurde). Nëse respektojmë standardet dhe vlerat e Këshillit të Evropës, atëherë pranimi i Kosovës në maj është e vetmja rrugë përpara. Çdo vendim tjetër, do të cenonte besueshmërinë e institucionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave në Kosovë (Plani i Ahtisaarit) dhe do të rrezikonte stabilitetin e rajonit”, vlerëson deputeti Abraham për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat