Raundi i parë i zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut u mbajt më 24 prill.
Partitë atje garuan të vetme dhe në koalicione.
Gordana Siljanovska- Davkova, kandidate e partisë opozitare VMRO DPMNE, priu bindshëm në garën për zgjedhjet presidenciale.
Kandidati për president i koalicionit për Ardhmëri Evropiane, presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pandarovski u radhit si i dyti, kurse, partitë shqiptare që ishin në koalicion së bashku nuk arritën të fitojnë.
Por, nga ana tjetër, ende pa u mbajtur zgjedhjet parlamentare, më 8 maj, VMRO DPMNE-ja e ka shpallur veten fituese të këtyre zgjedhjeve, ndërsa tashmë ka përcaktuar edhe partitë që do të jenë pjesë e Qeverisë së re.
Bazuar në rezultatet e rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, më 24 prill, që e nxorën fituese absolute kandidaten e VMRO-së për presidente, Gordana Silanovska-Davkova, derisa, kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, ka thënë se partia që ai drejton do të jetë fituese e dyfishtë e zgjedhjeve më 8 maj.
Ai në të gjitha tubimet partiake dhe në paraqitjet para mediave, ka thënë se Qeveria e re do të formohet nga VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni VLEN që përbëhet nga partitë opozitare shqiptare.
Ahmeti: Përçarja e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut do të ndikojë në rezultate përfundimtare
Analisti Hidajet Ahmeti në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë përçarja mes shqiptarëve do të ndikojë në rezultatet përfundimtare, duke thënë se kjo duhet të përkthehet në ndëshkim të partive shqiptare që kanë qenë pjesë e qeverisjes.
“Përçarja e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut do të ndikojë në rezultate përfundimtare, e cila do të dëmtoj trupin shqiptar në rezultate padyshim. Shqiptarët atje e kanë pas imperativ të kohës të unifikohen në një trup të vetëm, pasi gjendja reale atje nuk është e mirë nga trashëgimia qeverisëse, ku pjesë e saj në bashkëqeverisje ka pas edhe parti shqiptare.
Është shumë normale në demokracitë liberale bashkëkohore që gjendja faktike reale duhet të determinoj rezultatin në zgjedhje. Kjo duhet të përkthehet në ndëshkim të partive shqiptare që kanë qenë pjesë e qeverisjes, pasi rezultatet dihen, shqiptarët vazhdojnë të diskriminohen në forma të ndryshme”, shprehet ai.
Shabani: Ndryshimi në Maqedoni do e mundësojë koalicioni aktual i opozitës shqiptare VLEN, të cilët për një afat rekord kanë arritur t'ia rrezikojnë pozitën BDI-së
Njohësi i politikës në Maqedoni, Amir Shabani në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se pritshmëritë tani veç dihen se koalicioni VLEN nga blloku shqiptar dhe VMRO nga ai maqedonas do formojnë qeverinë e ardhshme në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, koalicioni VLEN ka ngjallur shpresën tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
“Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut kësaj radhe do mundësojnë një revolucion politik, pasi që pushteti i deritanishëm sidomos në bllokun shqiptar për më shumë se 20 vite, do i vjen fundi. Këtë do e mundëson koalicioni aktual i opozitës shqiptare VLEN, të cilët për një afat rekord kanë arritur t'ia rrezikojnë pozitën BDI-së.
Pritshmëritë, madje ajo që tani më dihet, është se koalicioni VLEN nga blloku shqiptar dhe VMRO nga ai maqedonas do formojnë qeverinë e ardhshme në Maqedoninë e Veriut.
VLEN përveç që ka ngjallur shpresën tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ajo duket të jetë edhe koalicioni më i përshtatshëm për partner strategjik të miqve ndërkombëtarë, gjegjësisht SHBA-së dhe BE-së, pasi që nuk janë në lista të zeza siç mund t'i gjesh tek Fronti Evropian dhe nuk kanë afera korruptive”, deklaron Shabani.
Më tej, ai thotë se në Maqedoni ndryshimi është i dobishëm dhe se është vlerë demokratike.
“Kur jemi te korrupsioni, vlen të theksohet se ky koalicion ka plan konkret për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimin e shtetit të së drejtës, gjyqësi të pavarur nga politika dhe realizimin e suksesshëm të integrimit të plotë të vendit në BE.
Ndryshimi është i dobishëm për shoqërinë dhe është vlerë demokratike, kjo do ndodh në Maqedoninë e Veriut dhe do ketë përkushtim drejt progresive politike, ekonomike dhe sociale, avancimin e shqiptarëve, zhvillimin e meritokracisë dhe drejtësi për të gjithë!”, përfundon ai për “Bota sot”.