Zëvendësministri për kthim në Qeverinë e Kosovës, Radoica Radomiroviq, ka shkruar të dielën në Facebook se në Leposaviq ka pasur tentativë vrasjeje ndaj Marko Jablanoviqit, anëtarit të partisë së Nenad Rashiq.
Ai ka thënë se 05.05 deri në 00:00 në Soçanicë, përballë kafenesë “Klub B”, është tentuar të vritet shoku dhe bashkëpunëtori i tyre Marko Jabllanoviq.
Po ashtu ka thënë se sulmuesit i ka dështuar arma që kishte planifikuar ta kryente atentatin. Po ashtu ka akuzuar Beogradin që qëndron mbrapa kësaj.
Po ashtu ai përmendi largimin e Aleksandar Jabllanoviqit nga zgjedhjet lokale të vitit 2023 në veri të Kosovës, duke shtuar se edhe anëtarët e partisë së tij i janë ofruar oferta nga regjimi i Beogradit.
Të menjëhershëm në reagimin e tyre kanë qenë Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës konfirmon hetimin për rastin me dyshimin për tentim vrasjes në veri të cilën e raportoi zëvendësministri për Kthim, në një postim të tij në Facebook.
Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut ka thënë se ka pasur një tentim vrasje.
“Pas mesnatës sot dyshohet se ka ndodh një rast tentim vrasje në Soqanicë, Komuna Leposaviq. Nuk ka të lënduar apo të arrestuar. Policia po merret me hetimin e rastit”, ka thënë Elshani.
Ndryshe, pjesëtari i Qeverisë së Kosovës, Radoica Radomiroviq, ka akuzuar Beogradin që qëndron mbrapa kësaj.
Derisa theksojmë që hetimet për rastin më detajisht janë duke vazhduar.
Elezi: Serbët që duan të integrohen në institucionet e Republikës së Kosovës janë të rrezikuar
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Bedri Elezi.
Ai ka thënë se rasti në tentativë ndaj Jablanoviqit është sinjal që situata në veri është serioze dhe mjaftë e rrezikshme për personat që dëshirojnë të integrohen në institucionet e Republikës së Kosovës.
“Rasti i vrasjes në tentativë i Jabllanoviqit është një tregues serioz që situata e sigurisë në veriun e vendit është mjaftë serioze. Ka përpjekje për të kërcënuar jetën e qytetarëve serbë të cilët janë të integrohen në institucionet e Republikës së Kosovës.
Po ashtu ky është tregues që çdo qytetarët serb që është i interesuar të integrohet në Kosovë mund të rrezikohet nga persona të maskuar dhe mirë të armatosur dhe të njëjtit mund të kanosin edhe jetën e tyre. Gjithashtu është një mesazh për të gjithë ata të cilët duan të jenë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Më tej, Elezi radhit tri argumente që tregon se situata në veri është delikate.
“Sa i përket situatës së veriut mund të them që kemi një situatë të rëndë dhe këtë e arsyetoj me tri argumente:
Argumenti i parë, është se kemi pasur një vrasje në tentativë të një zyrtari serbë në institucionet e Republikës së Kosovës, Jabllanvoqit.
Argumenti i dytë, është që zyrtarët e KFOR dhe policisë së Kosovës u sulmuan nga një qytetarë serb, ku edhe i njëjti u arrestua.
Argumenti i tretë, dhe më i vështiri është ndalimi i dy qytetarëve rusë që dyshohet se mund të jenë pjesë e shërbimeve sekrete ruse, e që kanë depërtuar në Kosovë përmes rrugëve ilegale”, shpjegon eksperti i sigurisë.
Ndër të tjera, ai shton që Rusia mund ta përdor Serbinë për ta destabilizuar Ballkanin për të larguar vëmendjen e ndërkombëtarëve nga Ukraina.
“Këto raste janë mjaftueshëm dëshmi e fortë që në veri po përgatitet një organizëm i radhës, duke marrë parasysh edhe Putinit për destabilizim në rajon. Duke marrë parasysh që ndërkombëtarët tashmë janë të vendosur për të rregulluar situatën në veri, atëherë Rusia do të ndjehet e kërcënuar sa i përket Ukrainës dhe kështu do të përdorë aleaten e saj, Serbinë për të eskaluar situatën në Ballkan. Kështu do të kemi një vëmendje në Ballkan dhe Putin do të ketë përdorë Serbinë ta destabilizoj rajonin dhe sigurinë e saj”, foli eksperti i sigurisë, Bedri Elezi për “Bota sot”.
Duhanaj: Nga Serbia nuk kemi çfarë të presim tjetër, pos agresionit ndaj Kosovës
Ndërsa analisti politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, foli për këtë çështje duke thënë se Serbia po mundohet vetëm të destabilizoj veriun e vendit duke përdorur politikën e njëjtë të saj tash e sa vite.
“Serbia dhe agjenturat e saj, nuk kanë qëllim tjetër në raport me Kosovën, përveç destabilizimit të saj derisa përfundimisht të shpallet shtet i dështuar dhe të imponohet ndonjë ndarje territoriale e cila do ta grabëronte të gjithë territorin e Kosovës. Serbia, ka zhvilluar politikë dinake dhe të mençur në raport me Kosovën, duke rikthyer ndikimin e saj hapë pas hapi. Tani nga Serbia nuk kemi çfarë të presim tjetër, pos agresionit ndaj Kosovës”, tha ai.
Në fund, analisti nënvizon që frikësimi i komunitetit serb në Kosovë është një nga qëllimet e Serbisë.
“Në ketë mision, bën pjesë padyshim frikësimi i komunitetit serb në Kosovë, duke përdorur të gjitha mundësit nga pagesat kërcënimet e deri edhe tek vrasjet e atyre që tregohen lojal ndaj Kosovës. Natyrisht që ka synime për destabilizim dhe për këtë duhet të jemi syçelë, por nuk ka asnjë arsye që ne si shtet të mbetemi rob të retorikave të luftës duke u bërë shkaktar të prishjes së perspektivës së Kosovës për një zhvillim normal”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.