Ditët e fundit, vëmendje të madhe mori 'shkarkimi' apo më saktë detyra e re e zv/ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit Gabriel Escobar.
Së pari, u pretendua se diplomati amerikan Escobar është larguar nga detyra si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor.
Këtë e tha Vedat Xhymshiti, duke aluduar se kjo ndodhi për shkak të lidhjeve financiare të familjes së tij me institucione shtetërore serbe, respektivisht të bashkëshortes së zotit Escobar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë si dhe një kontrate ligjore ndërmjet Republikës Serbe dhe zyrës ligjore amerikane McGinnis Lochridge më 2019, ku sipas Xhymshitit partner është një familjar i zotit Escobar.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan i Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Escobar nuk është shkarkuar, por do të lëvizë gjatë javëve në vijim për një detyrë tjetër në shërbimin diplomatik amerikan, në kuadër të një rotacioni të planifikuar prej kohe.
“Zv/ndihmës Sekretari Gabriel Escobar nuk është shkarkuar nga detyra e tij. Të gjithë diplomatët e karrierës ndërrojnë detyrë çdo katër vjet si pjesë e një praktike të rregullt,” thuhet në njoftimin e zëdhënësit.
Si do ndikojë largimi i Escobarit për Kosovën dhe negociatat e saj me Serbinë, për “Bota sot” folën njohës të çështjeve politike.
Preqi: Kosova, në asnjë rrethanë të mëhershme dhe të sotme nuk mundet ta mohojë dhe anashkalojë rolin dhe kontributin e SHBA-së
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi.
Fillimisht, tha se Escobar pritet të lirohet nga detyra, dhe kjo nuk nënkupton shkarkim, megjithëse ka mundësi të lindin dyshime mbi ndryshimin e detyrës.
“Largimi i Gabriel Escobar nga pozita e zëvendës-ndihmës i sekretarit të shtetit, Departamenti i Shtetit Amerikan (DASH) thotë se, nuk është ndonjë shkarkim i mundshëm, por largimi i tij nga pozita që ka pasur, që i përket një rotacioni apo ndërrimi të detyrës në një detyrë tjetër të re.
Edhe pse largimi i Escobarit, do të ngjallte dilema, sepse në këto rrethana lindin dyshime dhe përhapet ideja, se largimi i tij përmban domethënie që nuk i ka përmbushur detyrimet dhe përgjegjësitë që i janë dhënë nga shteti, në fund të fundit nuk është askush njeri i përsosur, që vepron realisht, por edhe që do të ishte i paprekshëm”.
Gjithashtu, Preqi kishte disa kritika për Escobarin dhe Lajçakun, të cilët me raste ishin të anshëm.
Mirëpo, ai e theksoi rëndësinë e SHBA-së dhe rolin e saj në dialogun Kosovë-Serbi.
“Mirëpo, si do që të jetë, edhe në rolin e të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, gjegjësisht në ndërmjetësimin në mes Kosovës dhe Serbisë, gjithandej z.Escobar, gjatë rrugëtimit të tij haste në disa perceptime dhe kritika në rrugëtim së bashku me emisarin Lajçak, të cilat role kanë mundur të funksiononin më mirë, më korrekt dhe pa anime politike.
Kosova, në asnjë rrethanë të mëhershme dhe të sotme nuk mundet ta mohojë dhe anashkalojë rolin dhe kontributin e SHBA-së, sikur edhe në këto momente mbështetjen e saj në dialog me Serbinë, për të arritur një marrëveshje paqësore, mirëpo, nuk do të thotë se, njerëzit që i angazhon Departamenti Amerikan i Shtetit, të gjithë janë në një linje të caktuar, apo nuk bien në mashtrim, sikur që ishte edhe rasti i z. Riçard Grenell, në kohën e presidentit Truamp, i cili edhe hapur anoi në anën e Serbisë”, shpjegoi ai.
Në vazhdim, opinionisti tha se Kosova nuk duhet ta marrë faktin e largimit të Escobarit, si neglizhencë e SHBA-së ndaj Kosovës, pasi ajo është ‘shpëtimtarja’ e shtetit tonë.
“Kosova dhe qeveria e saj, nuk duhet ta merr si pretekst largimin apo shkarkimin e z.Escobar, si shkak i neglizhencës dhe mos funksionalizimit të çështjes së negociatave në mes Kosovës dhe Serbisë, edhe pse na duket se hapësira në dispozicionin tonë është tepër e ngushtë në raport me Serbinë, por Kosova, i beson SHBA-së, në çdo rrethanë, sepse është dhe mbetet shpëtimtarja jonë, edhe pse nganjëherë nuk na përshtaten disa koncepte që vijnë prej rrethanave të kohës, të cilat përshkak të situatës globale duhet t’i përbijmë”.
Ndër të tjera, ai shtoi se largimi i Escobarit, nga roli i ndërmjetësuesit në mes Kosovës dhe Serbisë, do të ndikonte ndjeshëm, kjo për disa arsye.
“Mirëpo, duke e njohur Serbinë e kaluar fashiste dhe rrolin e presidentit të sotëm Aleksandër Vuçiq, i cili nuk dallon nga linja e kriminelit Millosheviq, është diçka e pa kuptuar se, si është e mundur që mos të nxirret në shesh fryti i së keqes së këtij moduli anti-njerëzor, por përkundrazi në këtë frut të helmuar, me vetëdije apo pa vetëdije po bëhet hisedare edhe një pjesë e njerëzimit.
Largimi i Escobarit, apo shkarkimi i tij në rolin e ndërmjetësuesit në mes Kosovës dhe Serbisë, do të ndikonte ndjeshëm, sepse secili që e merr ketë rrol të caktuar nga SHBA-të, për Kosovën, është rol i veçantë dhe shumë i rëndësishëm, sepse është e ditur se, vetëm në saje të fuqisë amerikane, Kosova mund të bëhet një vend i lirë dhe mund ta shijojë shtetin dhe pavarësinë e vet, i cili është i rrezikuar në çdo moment nga kuçedra e Serbisë”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.
Duhanaj: Kush propagandon ndaj Amerikës është bashkëpunëtor i agjenturave antishqiptare
Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj tha se po bëhet propagandë ndaj Escobarit dhe zyrtarëve amerikanë.
Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se për të qenë përfaqësues i shtetit amerikan, është e pamundur të kesh një mision kundër interesave amerikane.
“Propaganda histerike e krijuar nga qarqet të ndryshme antiamerikane dhe anti shqiptare nëpër mediat dhe rrjete sociale kundrejt Gabriel Escobar, dëshmon edhe njëherë se agjenturat pan sllaviste po përpiqen të gllabërojnë marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.
Shqiptarët duhet ta kuptojnë njëherë e mirë, se për të qenë përfaqësues i shtetit amerikan, është pothuaj se e pamundur të kesh një mision kundër interesave amerikane”, nënvizoi analisti.
Po ashtu, ai vlerësoi se kush propagandon ndaj SHBA-së është bashkëpunëtor i shërbimeve anti-shqitpare.
“Të gjithë ata që propagandojnë kundër emisarëve, ambasadorëve dhe zyrtarëve tjetër amerikan, nuk janë gjë tjetër pos bashkëpunëtorë të armiqve shekullor të shqiptarëve.
Pa marrë parasysh çfarë pozitash në shoqëri mund të kenë, filluar nga Presidenti e deri tek qytetari i thjeshtë, kush propagandon kundrejt Amerikës dhe përfaqësuesve të saj, për mendimin tim është kryekëput bashkëpunëtor i agjenturave antishqiptare”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.
Ne kemi mjaftë mbeturina brenda kombit, le t'i pastrojmë ato njëherë, e mos të merremi me punët e Amerikës, e aq me pak me punët e Zotit”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.