Kosova largohet nga agjenda për në KiE, flet zyrtarja në Parlamentin Evropian/ Ja pse iu shtua ‘kushti i Asociacionit’

Politika

Kosova largohet nga agjenda për në KiE, flet zyrtarja në Parlamentin Evropian/ Ja pse iu shtua ‘kushti i Asociacionit’

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 maj 2024 Në ora: 10:13
Foto ilustrim

U shpresua shumë që në maj, Kosova të jetë në agjendë për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, por aplikimi i Kosovës nuk do të figurojë në diskutimet e radhës të këtij komiteti dhe këtë e ka konfirmuar zyrtarja për informim në Këshillin e Evropës, Estelle Steiner.

“Kosova tani nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave”, ka thënë Steiner.

Agjenda do të përfshijë masat që Këshilli i Evropës po vazhdon të marrë në përgjigje të agresionit të plotë të Federatës Ruse kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut (miratuar në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në 2023) dhe miratimin të një Konvente Kuadër për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e Ligjit.

Sipas agjendës, po ashtu ministrat do të shqyrtojnë punën e Organizatës në fusha të tilla si të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat sociale dhe të drejtat e fëmijëve, demokracinë, sundimin e ligjit, luftën kundër dënimit me vdekje, arsimin dhe kulturën, pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe të rinjve, të drejtat e njeriut në epokën digjitale, migrimin dhe trafikimin e qenieve njerëzore, mbrojtjen e gazetarëve dhe masat për të luftuar dezinformimin, antidiskriminimin dhe përfshirjen, barazinë gjinore dhe mjedisin.

Ata do të diskutojnë gjithashtu bashkëpunimin midis Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian.

Në fund të seancës ministrore, Lihtenshtajni do t’i dorëzojë Lituanisë presidencën e Komitetit të Ministrave.

Në anën tjetër, kjo mos futje e Kosovës në agjendë është duke u ndërlidhur edhe me marrëveshjen e asociacionit, këtë e ka thënë Ambasada Gjermane në Prishtinë.

Sipas tyre, Berlini zyrtar dëshiron ta shoh Kosovën në Këshill të Evropës, megjithatë potencojnë se vendimi final nëse anëtarësimi i Kosovës do të jetë në agjendë ose jo, do të merret pas një vlerësimi të plotë të veprimeve të Kosovës, përfshirë edhe hapat drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Woelk: Jam e bindur që Kosova do të bëhet anëtare

Image
Federicka Woelk

Duke komentuar këtë deklaratë të Berlinit zyrtar, asistentja e akredituar në Parlamentin Evropian, Federicka Woelk, ka thënë për “Bota sot”, se ata e dinë mirë që asociacionin nuk mund ta lidhin me Këshillin e Evropës.

Sipas saj, ata kanë frikë nga drejtimi që po merr Serbia dhe për këtë janë duke i bërë presion Kosovës për ta qetësuar atë.

“Unë mendoj se kjo është thjesht bllof. Ata e dinë shumë mirë se nuk kanë asgjë që mund t'i fajësojnë Kosovës dhe nuk mund ta lidhin ASM-në me Këshillin e Evropës, pasi ASM është kusht i Dialogut (Udhëheqja e BE-së) dhe nuk ka lidhje me Këshillin e Evropës. Thjesht kanë frikë sepse shohin drejtimin që po merr Serbia dhe nuk u pëlqen. Kështu ata e vunë Kosovën nën presion duke besuar se kjo do të ndihmojë për të qetësuar Serbinë. Surpriza: nuk do të ndihmojë fare dhe Kosova do të bëhet anëtare e Coe, duan apo nuk duan. Po ashtu, ambasadori gjerman në Kosovë nuk përfaqëson qëndrimin gjerman në të gjitha nivelet. E rëndësishme të vihet re”, deklaron Woelk.

Ajo shprehet e bindur që Kosova do të bëhet anëtare në KIE, pasi sipas saj, nuk ka arsye pse të mos bëhet.

“Jo, nuk mendoj se po zbehen. Mendoj se ka shumë njerëz që mundohen të manipulojnë opinionin publik për ta lënë të besojë Kosovën se nuk ka asnjë shans. Jam e bindur që Kosova do të bëhet anëtare, NUK ka arsye që të mos bëhet. Kosova bëri shumë në rrugën e saj. Shumë reforma demokratike, shumë hapa”, pohon Woelk.

Për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kishte reaguar të hënën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ku sipas tij, procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, nuk duhet të përzihet me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Nëse përzihen, u shpreh Kurti, dëm do t’i shkaktohej edhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve që zhvillohet në Bruksel, edhe Këshillit të Evropës si “institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Në anën tjetër, Woelk thotë se Serbia është jashtëzakonisht nën presion, ajo ka dy beteja përpara.

“Serbia është jashtëzakonisht nën presion. Ajo ka këtë betejë të Coe, dhe betejën për zgjidhjen e Srebrenicës nga ana tjetër. Ajo e di shumë mirë se nuk mund t'i fitojë të dyja në të njëjtën kohë dhe po lobon shumë për t'i vrarë të dy, por është gati të humbasë të paktën një betejë. Kjo është arsyeja pse presioni rritet edhe mbi Kosovën. Por në fund, Serbia do të duhet të kuptojë se Kosova është e njohur ndërkombëtarisht dhe e pranuar ndërkombëtarisht”, deklaroi asistentja e akredituar në Parlamentin Evropian, Federicka Woelk.

Kosova aplikoi për t’u anëtarësuar në këtë organizatë gati dy vjet më parë – më 12 maj, 2022.

Më 27 mars të këtij viti, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Bakoyyanis, e cila tha se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i organizatës, ndërsa Asociacionin e konsideroi si çështje të brendshme të Kosovës.

Më pas, më 16 prill, raporti i Bakoyyanisit kaloi edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë Komiteti i Ministrave, saktësisht një muaj më vonë.

Xani: Është me rëndësi që saktë ne të kuptojmë seriozitetin dhe kërkesat evropiane

Ndërsa, analisti politik Visar Xani, thotë se faktori ndërkombëtar tashmë ka ndarë mendje për Kosovën dhe anëtarësimin e saj në KIE.

Image
Visar Xani

Sipas tij, nëse Kosova nuk bën hap në procesin e asociacionit gjasat janë minimale të ketë sukses.

“Vendimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës varet shumë nga veprimet dhe detyrat që përmbush Kosova, kjo për shkak që faktori ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian e kanë ndarë mendjen që do ta mbështesin Kosovën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës nëse ajo bën një lloj hapi, apo dëshmi të saktë që është serioze dhe dëshiron të përmbyllë procesin e asociacionit. Gjithsesi nëse Kosova nuk e bën një hap të tillë, gjasat mund të jenë minimale që Kosova të ketë sukses dhe mbase edhe të mos futet fare në agjendën e Këshillit të ministrave”, shprehet Xani.

Ai shton, se kërkesa evropiane dhe amerikane duhet të merren seriozisht në mënyrë që të mos ketë dështim.

“Prandaj është me rëndësi që saktë ne të kuptojmë seriozitetin dhe kërkesat evropiane, amerikane në mënyrë që mos të kemi dështim, atëherë kur patëm koordinim parlamentare pamë që votat nuk ishte vështir t’i grumbullojë Kosova dhe tentimi i Serbisë mbetet me rezultat zero, njëjtë mund të jetë edhe faza finale, që nëse i përmbushim kërkesat e faktorit ndërkombëtar edhe Kosova nuk do të ketë marrjen e këtyre votat, ndryshe konsideroj se do të jetë rrugëtim i pamundur”, shton Xani.

Këshilli i Evropës është organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut, i përbërë prej 46 shtetesh anëtare, 27 prej të cilave anëtare të Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat