Eksperti ngre alarmin: Kosova e rrezikuar nga grupet terroriste që po trajnohen në Serbi, ja si të veprohet!

Politika

Eksperti ngre alarmin: Kosova e rrezikuar nga grupet terroriste që po trajnohen në Serbi, ja si të veprohet!

Nga: A.SH Më: 8 maj 2024 Në ora: 18:05
Policia e Kosovës

Të hënën që kaloi Policia e Kosovës dhe KFOR-i amerikan janë sulmuar në Leposaviq dhe kjo nuk është hera e parë.

Situata në veri vazhdon të jetë e brishtë akoma.

Automjetet e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it amerikan janë sulmuar me shishe xhami. Kurse, sa i përket sulmit edhe Policia e Kosovës ka dhënë detaje më të hollësishme në raportin e tyre rreth incidentit në Leposaviq.

“Më datë 06.05.2024 rreth orës 04:05 në rrugën e fshatit Miokovicë gjatë patrullimit të përbashkët të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH) të Policisë së Kosovës, së bashku me KFOR-in amerikan, një veturë pa targa e tipit Seat ngjyre hiri ka bllokuar rrugën dhe më pastaj ka hedhur shishe xhami në drejtim të veturave zyrtare. I dyshuari pastaj ka ikur në drejtim të disa shtëpive afër në fshatë. Policia e Kosovës bashkë me KFOR-in kanë identifikuar shtëpinë dhe kanë kryer kontroll ku është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka pranuar se ka bllokuar rrugën dhe ka hedhur shishen.

Gjatë realizimit të kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjet një xhaketë e ushtrisë me emblemë serbe. Vetura me të cilën është bllokuar rruga është sekuestruar, i dyshuari pas intervistimit nga njësia kompetente e hetimeve është liruar në procedurë të rregullt, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, thuhej në njoftim.

Eksperti i sigurisë, Bedri Elelzi në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se në veri situata e sigurisë është e rëndë, sepse atje në vazhdimësi ekziston rreziku që të organizohet një sulm i dhunshëm.

“Situata e sigurisë në veri të Kosovës aktualisht është shumë e rëndë sepse tani kemi sulme të rënda në atë pjesë, fillimisht ndaj pjesëtarëve të policisë së Kosovës dhe zyrtarëve të KFOR-it amerikan, më pas arrestimi i dy pjesëtarëve të inteligjencës ruse të cilët dyshohet se mund të kenë ardhur nga baza inteligjente ruse në atë pjesë. Ne kemi thënë në vazhdimësi se ekziston rrezikun që në Kosovë të organizohet sërish një aktivitet i dhunshëm siç ishte ai i 24 shtatorit në Banjskë dhe se kemi rrezik që të futen persona në territorin e Kosovës dhe të sjellin armatime të ndryshme. Kalimi i dy pjesëtarëve të inteligjencës ruse është tregues i qartë se në Kosovë mund të depërtojnë persona të ndryshëm po ashtu edhe armatime të ndryshme që nuk mund të vërehen nga institucionet e zbatimit të ligjit. Njëherësh duhet marrë parasysh edhe kërcënimin që i është bërë me jetë pjesëtarit të lartë të Policisë së Kosovës nga serbët, e që Policia e Kosovës ka filluar hetimin e këtij rasti”, thekson eksperti.

Sipas tij, ka mjaft prova të cilat dërgojnë te serbët që duna të bëjnë një eskalim të situatës.

Ai shton se edhe grupet e armatosura që po trajnohen brenda territorit të Serbisë, mund të depërtojnë sikur dy pjesëtarët e inteligjencës ruse brenda territorit të Kosovës.

“Janë prova të mjaftueshme se kemi një tentim të eskalimit të situatës së sigurisë në atë pjesë dhe ka aktivitet të caktuar se janë veprime drejtpërdrejtë nga shërbime sekrete serbo-ruse, veprime këto që po tentojnë esklaimin e situatës.

Nuk mund të themi se situata e sigurisë mund të kaloi së shpejti, por mund të themi se grupet e armatosura që po trajnohen brenda territorit të Serbisë, të njëjtit janë mbështetje të forcave të Serbisë dhe atyre ruse mund të depërtojnë sikur dy pjesëtarët e inteligjencës ruse dhe të njëjtin të arrijnë të veprojnë në kundërshtim me kodin penal të Kosovës, duke ofruar mbështetje për strukturat kriminale në veri, dhe po ashtu mund të jenë të dobishme për serbët që duan të jenë pjesë e këtyre grupeve kriminale terroriste.

Edhe njëherë mund të themi se situata e sigurisë në veri është transferuar nga situatë e brishtë në situatë të rëndë dhe se mund të pritet eskalimi në veri për faktet që thamë më lartë. Andaj kërkohet nga institucionet e sigurisë që të sigurojnë informacione në kohë reale për zhvillimet që ndodhin në atë zonë”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat