Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot për kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE me Asociacion.
Kurti ka thënë se një kërkesë e tillë është absurde dhe se Qeveria nuk e pranon një kushtëzim të tillë.
Kurti ka thënë se s’mund ta çojë Draftin e BE-së në Kushtetuese meqë ai s’është dokument por vetëm një “non-paper” pasi është dështuar që të pranohej në fundin e vitit të kaluar në pako bashkë me Marrëveshjen për Normalizim.
Ndërsa, emisari i SHBA-së, Gabriel Escobar, në një konferencë për media ka folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
Escobar ka thënë se SHBA-ja s’ka votë në Këshill të Evropës dhe ka shtuar se ka pasur shqetësime brenda disa vendeve anëtare që Asociacioni dhe disa kërkesa të tjera lidhur me minoritetet që s’janë plotësuar.
Escobar ka thënë se qëndrimi i SHBA-së që është që të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s dhe se Washingtoni zyrtar vazhdon të punojë për këtë.
“SHBA s’ka votë. Por e di që ka shqetësime tek disa anëtarë, që Asociacioni dhe disa kërkesa të tjera që janë bërë viteve të fundit dhe disa çështje me minoritetet s’janë plotësuar. Është qëndrimi i SHBA-së që Kosova duhet të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Kosova duhet të dëgjojë partnerët evropianë dhe të punojë me ta”, ka deklaruar Escobar.
Për këtë çështje, profesori dhe analisti politik, Blerim Burjani ka folur për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe kushtëzimin që po i bëhet Kosovës.
Ai thotë se, kushtëzimi që po i bëhet Kosovës është në kundërshtëim me aktet relevante dhe funsionale të KiE.
Ai thotë se, Kosova i plotëson të gjitah kriteret dhe procedurat për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Tutje Burjani shprehet se, Asociacioni nuk mund të jetë kriter për anëtarësim.
“Kushtëzimi i anëtarësimit të Ksoovës nga Franca apo edhe Gjermania është politik dhe në kundërshtim me aktet relevante dhe funksionale të KiE. Kosova legalisht bazuar në rregullativën e BiE, i plotëson të gjitha kriteret bazë dhe procedurat teknike. Asociacioni është obligim vendor, pra nevojë vendore e Kosovës, nëse vlerëson se janë plotësuar konditat bazë që nuk prekin rregullimin kushtetues. Asociacioni nuk mund të jetë në asnjë mënyrë kriter për anëtarësim në KiE”, thotë profesori Blerim Burjani.
Ndërsa, ambasada e Italisë në Prishtinë kanë thënë se Kosova mund të përfshihet në rend dite të mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës vetëm nëse Qeveria e Kosovës do të bëjë hapa konkret sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Sipas mendimit tonë, dërgimi në Gjykatën Kushtetuese të draft-statutit të BE-së për Asociacionin e ardhshëm të Komunave me shumicë serbe (ASM), në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën, do të dërgonte një sinjal të fortë të synimit të Qeverisë për të përmbushur këtë zotim dhe më tej të demonstrojë përkushtimin e Kosovës ndaj të drejtave të pakicave. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se vetëm hapat konkretë drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe– siç u tha më lart – duhet të çojnë në përfshirjen e pikës së Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të ardhshëm të KiE-së”, kanë thënë nga Ambasada e Italisë.