Sulmi kibernetik kundër Kosovës dhe alarmi i fuqishëm i Gërvallës/ Zbardhen prapaskenat e planeve serbo-ruse!

Politika

Sulmi kibernetik kundër Kosovës dhe alarmi i fuqishëm i Gërvallës/ Zbardhen prapaskenat e planeve serbo-ruse!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 maj 2024 Në ora: 10:12
Donika Gërvalla; foto ilustrim nga “Bota sot”

Mbetët e pazgjidhur situata mes Kosovës dhe Serbisë.

Deklarata kërcënuese, mobilizim të grupeve terroriste si dhe serbë duke u stërvitur kanë arritur të sjellin edhe dialogun në këtë pikë, pa zgjidhje.

Por, ajo që po e ndihmon kohëve të fundit Serbinë, është edhe Rusia.

Së fundmi është Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë të martën se Rusia është duke kryer sulm kibernetik kundër Kosovës “pas njoftimit tonë për ta mbështetur Ukrainën me pajisje ushtarake”.

Në një njoftim në rrjetin social X, Gërvalla tha se Ukraina “po mbrohet arsyeshëm kundër agresionit dhe gjenocidit rus”, dhe se “ne e dimë prej gjenocidit të Serbisë kundër Kosovës se vetëm mjetet ushtarake e ndalin gjenocidin”.

Ajo nuk dha hollësi rreth sulmit kibernetik kundër Kosovës.

Kujtojmë që Rusia është njëra prej mbështetësve kryesore të Serbisë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, të cilën Prishtina e shpalli më 2008.

Shala: Ndërkombëtarët vazhdojnë krah Kosovës

Image
Drizan Shala

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala tha që institucionet e Kosovës kanë ndërmarr të gjitha masat mbrojtëse nëse cenohet siguria e vendit.

“Planifikimet në nivelin e institucioneve të RKS janë të ndërmarr në çdo formë për situata të pazakontë që mund të cenohet siguria e vendit”, u shpreh ai.

Më tej, eksperti i sigurisë thotë që institucionet tona dhe faktori ndërkombëtar janë në koordinim mes vete, për çdo situatë që sjellë në pikëpyetje ekuilibrin e vendit.

“Në çfarëdo situate në periudhën e ardhshme institucionet tona në harmoni me faktorin ndërkombëtar dhe partnerëve strategjik kanë dhe janë duke përgatitur në çdo fazë dhe periudhë të ndryshimeve në ekuilibrin e sigurisë në rajon dhe Kosovë”, foli Shala për “Bota sot”.

Mehmeti: Sulmet kibernetike nuk mungojnë, ato mund të ndodhin më veçanti në prag të zgjedhjeve

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti në një përgjigje për “Bota sot”, tha Rusia ka tentuar në mënyra të ndryshime të ndikoj në Kosovë, në veçanti është munduar ta paraqesë atë si shtet islamik.

“Rusia gjithnjë ka sulmuar Kosovën në mënyra të ndryshme. Ajo politikë nuk diskutohet, përmes agjenturave të ndryshme Rusia ka ndikuar shumë që të përhapet nacionalizmi fetar në Kosovë. Rusia ka tentuar gjithnjë të paraqes Kosovën shtet islamik, fundamentalist dhe në këtë mes edhe UÇK ta paraqes si terroriste islamike”, shpjegon analisti.

Në fund, ai thotë që sulmet kibernetike nuk mungojnë, ato mund të ndodhin më veçanti në prag të zgjedhjeve.

“Gjithashtu Rusia është e përfshirë edhe në rastin në Banjskë në shtator të vitit të kaluar, ashtu siç është vazhdimisht e përshirë në presionin ndaj Vuçiqit për mos pranim të marrëveshjeve me Kosovën dhe kërcënimin ndaj saj. Edhe sulmet kibernetike nuk mungojnë, ato mund të ndodhin më veçanti në prag të zgjedhjeve si dhe kurdo që mund të ketë eventualisht marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Paralajmërimi i ministres është i drejtë dhe i duhur”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat