Sot në Kosovë shënohet 9 Maji, Dita e Evropës. Në këtë ditë, kanë uruar krerët e shtetit, të cilët nuk kanë nguruar t’i tregojnë Evropës, vlerat e Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Ditën e Evropës duke thënë se Kosova do ta konsiderojë Bashkimin Evropian një fener vlerash.
“Sot, ndërsa populli i Kosovës i bashkohet bashkëkombësve të tij evropianë në shënimin e Ditës së Evropës, na kujtohet një vizion: një Evropë e tërë, e lirë dhe në paqe”.
“Ky vizion i afrohet realitetit kur të gjitha vendet aspirante dhe të përkushtuara të anëtarësohen në BE. Kosova gjithmonë do ta konsiderojë BE-në jo vetëm si një bashkim, por si një fener vlerash – vlera që ne i mbrojmë dhe përpiqemi t’i mbajmë çdo ditë”, ka thënë Osmani.
Në këtë ditë, ambasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde, ka uruar dhe shpresuar që Kosova të jetë pjesë e BE-së, ndërsa Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, kërkoi më shumë punë e angazhim për t’i rregulluar më mirë “raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së”.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem me ju këtu sot për të festuar 9 Majin, Ditën e Evropës e gjithashtu jam i lumtur që e përfaqësojë BE-në dhe për të gjithë ambasadorët që gjenden këtu edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama. Gjithashtu më pëlqej shumë që të shoh të gjitha këto stade të bukura edhe për zyrën e BE-së dhe EULEX-in të gjitha që ndodhin brenda një vendi. Mendoj se sot është dita të festojmë edhe pas kësaj dite të relaksohem dhe që nga nesër të punojmë dhe t’i rregullojmë edhe më mirë të gjitha raportet mes Kosovës dhe BE-së”, deklaroi Szunyog.
Duke folur rreth rëndësisë së kësaj dite dhe sa ka përkrahje Kosova nga BE, sidomos në dialog me Serbinë, analisti politik Blerim Burjani, thotë se Kosova është një ndër vendet e rralla që e feston këtë ditë.
Sipas tij, BE nuk është se nuk e përkrahë Kosovën, por ajo ka politika të veta që duhet shtetet që duan integrim t’i zbatojnë.
“BE është në të mirën e Kosovës, partneriteti, bashkëpunimi, dialog për integrime evropiane dhe dialogu rajonal e në veçanti normalizimi i raporteve me Serbinë. Festimi i 9 Majit, bëhet në shenjë respekti për BE-në, unifikimin e kulturave, civilizimeve, ekonomive nacionale dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Kosova është ndër vendet e rralla që feston një ditë të tillë, këtë ditë nuk e festojnë as evropianët, në BE kuptohet si simbolik, por jo si festë. Nuk mendoj se BE nuk na përkrahë sa duhet, duhet edhe vetë që sjelljet e kësaj politike t’i rishikojmë. BE ka agjendën e vet, shtetet që e duan atë apo integrimin duhet të i binden BE-së për politikat, parimet dhe agjendat që zhvillojnë”, shprehet Burjani.
Kosova 9 Majin, Ditë të Evropës, e shënon nën masa ndëshkuese të BE-së. E në këtë ditë, nga opozita kërkojnë t’i largojnë ato.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar Evropën, gjersa ka kërkuar që të largohen sanksionet për t’i hapur rrugë zhvillimit dhe proceseve integruese evropiane.
“Kosova tash e dy dekada është e përkushtuar në synimin e saj për të qenë pjesë e familjes evropiane. Qytetarët e Kosovës e meritojnë integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike! Ky është një synim për të cilin jemi përcaktuar si shtet, të orientuar për të kontribuuar në prosperitetin, paqen, sigurinë, dhe drejtësinë e kontinentit tonë, përkrah shteteve tjera të Evropës.
Në këtë ditë theksohet nevoja për largimin e sanksioneve nga ana e BE-së ndaj Kosovës, për t’i hapur rrugë zhvillimit dhe proceseve integruese evropiane, veçanërisht anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Haradinaj.
Edhe analisti Burjani kërkon që të largohen masat, pasi sipas tij, efekti është arritur.
Kosova i plotëson kriteret për një shtet demokratik, thotë Burjani, gjersa shton se asociacioni është çështje e brendshme dhe masat nuk duhet të varen nga ai.
“Masat duhet të hiqen, efekti është arritur, Kosova ka bërë punën e saj në shtensionim, madje edhe e ka mbrojtur paqen për mos eskalim të situatës. Kosova po mbahen nën masa për arsye të asociacionit, është normalisht e pakuptimt të kërkohet gjithmonë që Kosova me dëshirë ose presion e kushtëzim t’i bindet diçkaje që quhet çështje e brendshme e saja. Kosova i plotëson kriteret për një shtet demokratik, respekton të gjitha pakicat, ka një legjislacion për pakicat që askush në botë nuk e ka, mendoj se është kërkuar mjaft nga Kosova të tolerojë, por nuk mund të prish shtetin unitar dhe të marrë elemente konfederale, asociacioni është etnitet juridik i veçantë, me këtë draft të fundit për asociacionin që e ka sjellë BE, veriun dhe serbët i largon nga ndikimi përfundimtar i qeverisë qendrore dhe organet të saja siç është Kuvendi. Drafti qartëson se Qeveria dhe autoritetet qendrore nuk mund të ndërmarrin as masa, e as ligj pa pajtimin e serbëve të veriut, kjo varet nga institucioni i arbitrazhit e kjo është e papranueshme dhe këtë Kurti nuk do ta lejojë asnjëherë, e as LDK, PDK si parti opozitare, kjo është e papranueshme. Ne jemi miq me BE dhe SHBA-në të sinqertë dhe çdo agjendë që është interes i përbashkët duhet ta përkrahim pa kushte”, përfundon Burjani.