Politikanët serbë japin ‘alarm’ për sulm të ri të Serbisë në vjeshtë, flasin njohësit e sigurisë: Kosova duhet të jetë...

Politika

Politikanët serbë japin ‘alarm’ për sulm të ri të Serbisë në vjeshtë, flasin njohësit e sigurisë: Kosova duhet të jetë...

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 9 maj 2024 Në ora: 16:01
Foto ilustrim

Politikanët serbë vazhdimisht paralajmërojnë sulm në veri të Kosovës, kjo sipas tyre, nga ata të njëjtit që kanë kryer sulmin në Banjskë.

Së fundmi, politikani serb Boban Bogdanoviç ka bërë një koment në platformën ‘X’ ku ka shkruar se Serbia është duke organizuar një tjetër sulm në veri të Kosovës dhe se informacionin e ka burime 100 për qind të sakta.

Sipas tij, qëllimi i sulmit është shkëputja e atyre zonave nga Kosova dhe ai do të kryhet diku gjatë vjeshtës.

Bogdanoviç ka shtuar se burimet e tij janë po ata të njëjtët që sipas tij e kishin paralajmëruar për sulmin në Banjskë, për të cilin thotë se e kishte paralajmëruar që përpara se të ndodhte bashkë me thirrjet që Republika e Kosovës të shpallte Listën Serbe si organizatë të jashtëligjshme dhe terroriste.

Ai shton se qeveria e re serbe e sapo votuar është qeveri dhe kabinet i luftës dhe se është po ajo kastë politike e përgatitur për këtë mësymje të veriut të Kosovës.

Për sulm tjetër terrorist të Serbisë në Kosovë, kishte paralajmëruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ku në dhjetor të vitit 2023 kishte deklaruar se ky sulm po përgatitet sërish nga Milan Radojiçiq dhe se organizata terroriste “Mbrojtja Civile” është pjesë e këtij organizimi, ndërsa një paralajmërim ka bërë edhe Këshilltarja në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë Kurti, Rada Trajkoviq, e cila ka deklaruar se Milan Radojçiq, i cili kreu një sulm terrorist në Kosovë në shtator të vitit të kaluar, nuk ndiqet penalisht dhe nuk ndiqet penalisht në burg, por me policët serbë të arratisur me Kosovën po krijon një lloj paraushtarake rreth kufirit të Kosovës me qëllime (deri tani) të paqarta.

Njohësit e sigurisë kërkojnë që Kosova të jetë e kujdesshme dhe të jetë vigjilente në monitorimin e hapësirave në veri.

Drizan Shala: Të vazhdohet më monitorim të hapësirave në veri

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se sulmet e bëra ndaj KFOR-it janë tregues që ka potencial brenda grupeve të mbetur nga Milani dhe Co.

Image
Drizan Shala

Sipas tij, organet e sigurisë vendore në këtë periudhë janë në nivel të duhur.

“Sulmet e bëra ndaj KFOR tregues që ka potencial brenda grupeve kriminale të mbetur nga Millani dhe Co. Por, që me këto zhvillime organet e sigurisë vendore tani në këtë periudhë janë në nivel të duhur, por vigjilenca duhet të mbetet në krye të detyrës dhe të vazhdohet më monitorim të hapësirave në veri e tutje”, deklaron Shala.

Sulmet mund të ndodhin në masën e ndikimit politik, thotë Shala, gjersa shton se qeveria e re e formuar në Beograd nuk pritet të ndikojë fare në sjelljen e atyre personave para drejtësisë.

 “Sipas mendimit tim pa dashur të interferoj në proces hetimor që është duke zhvilluar nga ta ky rast sipas gjitha gjasave është i formës së izoluar dhe assesi me ndonjë impakt më të gjerë. Sulmet mund të ndodhin në masën e ndikimit politik që mund të nise Beogradit nga shfaqja e botës së tyre serbe të deklaruar muaj më parë. Nga kjo qeveri e re është formuar në Beograd nuk pritet të ndikojë fare në sjelljen e personave para drejtësisë apo bashkëpunim më organet e Kosovës e atyre ndërkombëtare sepse ideatorët janë Kryeministri, zv.Kryeministri dhe ministrat tjerë”, shton Shala.

Milan Radojçiq organizator i sulmit terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, vazhdon të jetë i lirë edhe pas pranimit të fajësisë.

Miftari: Ish pushtetet në Kosovë e kanë trimëruar shtetin e Serbisë

Image
Naim Miftari

Ish- agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë se në Kosovë mund të ketë mini konflikte hibride.

Sipas tij, në veri mund të ketë luftë vetëm nëse NATO-s, Amerikës i përshtatet një luftë e re në Ballkan.

“Kosova duhet të jetë e kujdesshme, por jo e frikësuar dhe në çdo rrethanë duhet të veprojë si shtet dhe ta mbrojë integritetin shtetëror të saj, rrezik për luftë klasike nuk ka, por mini konflikte hibride mund të ketë ku Serbia përmes terroristëve pjesëtarëve të saj trupave sekrete të policisë, ushtrisë, para ushtarakëve mund të tentojë ndonjë eskalim të ri, por gjasat janë të kufizuara dhe Serbia nuk do të merrte kurrë vet-përgjegjësi për çdo  sulm apo eskalim të ri. Në veri mundet të ketë luftë vetëm, nëse NATO, Amerika ...iu konvenon një luftë e re në Ballkan, dhe mos dënimi i Serbisë dhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës tregon se miqtë e Serbisë në Evropë, por edhe në Amerikë kanë investuar dhe mbajnë anën serbe, por kjo nuk duhet të na demoralizojë, përkundrazi duhet të na jep vullnet dhe seriozitet në çështjet tona, në të drejtën tonë për mbrojtjen e territorit tonë, duhet pranuar se ish- pushtetet e Prishtinës PDK, LDK, AAK.... duke dashur të mbesin vetë përjetësisht në pushtet me çdo çmim e kanë trimëruar shtetin e Serbisë, duke ia rritur apetitet serbe për veriun e Kosovës, për asociacionin e komunave serbe një republikë serbe në Kosovë, se Serbisë duhet t’i japë diçka ...e ide servilësh e ide tradhtarësh në dobi të shtetit armik serb.! “, deklaron Miftari.

Një krim që harrohet e nuk ndëshkohet, sipas Miftarit, mund të përsëritet, prandaj ai kërkon që Kosova të përgatitet me ushtri dhe polici të fortë, por edhe të forcohet diplomacia e jashtme.

“Serbia nuk është dënuar as për sulmin kundër KFOR-it disa muaj më herët , Serbia nuk është dënuar as për vrasjen e policëve ndërkombëtarë në veriun e Kosovës pas lufte, Serbia nuk është dënuar as për pastrimin etnik mbi 15 000 qytetarëve shqiptarë, e dhjetëra vrasjeve në veri të Mitrovicës të datës 2 dhe 3 shkurtit të vitit 2000, as nuk është dënuar për rastit e sulmit terrorist të Banjskës, pasi ka shpëtuar pa dhënë llogari për krimet e luftës, dhjetëra mijëra vrasje , dhjetëra mijëra dhunime, zhdukja e mijëra kufomave, vrasje, pastrim etnik në Kosovë, djegiet, plaçkitjet nga lufta e .... 1998/ 1999, pra një krim që harrohet, e nuk ndëshkohet pas një kohe përsëritet prapë, prandaj shteti i jonë duhet të ketë ushtri dhe polici të fortë dhe të përgatitur mirë për të ardhmen pasi jemi në një situatë kur po ndryshojnë boshtet botërore të interesit nëpër botë . Por urgjentisht edhe diplomacia e jonë edhe vet shteti i jonë duhet t’i forcojë dhe ta rris lobimin në Uashington, Londër dhe Berlin ...”, përfundon Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat