Njohësi i çështjeve politike dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, ku tha se, përmbyllja e suksesshme e dialogut si dhe Asociacioni mbi bazë të ligjeve dhe Kushtetutës të Kosovës, janë parakusht që BE ka vendosur në rrugëtimin drejtë BE-së.
Sipas tij, kjo po ndodhë për të garantuar dinamikë më të shpejtë të integrimit dhe zhvillimit të Kosovës.
Ai shton se, BE-ja kërkon që Asociacioni të themelohet në bazë të propozimit që palëve u është dhënë në Bruksel.
Tërnava pohon se, Kosovës dhe Serbisë po u kërkohet të kenë “sjellje konstruktive” në nismat rajonale.
“Prandaj, qartë po vërehet se gjërat kanë nisur të lëvizin drejtë një pajtimi të detyrueshëm që po e kërkon koha, e që u miratua nga të dy palët me marrëveshjen e Ohrit, dhe nëse ndodhë ky pajtim shumë shpejt edhe shteteve tjera të Ballkanit do t’iu hapen dyert e BE-së, dhe mbas kësaj të gjitha shtetet do të jetojnë në një përfshirje me shtetet e BE-së, që tani nuk do të ketë më pengesa për lëvizje të qytetarëve në BE e më gjerë”, shprehet Tërnava.
Sipas Tërnavës, edhe Kosova po jep sinjale për pajtimin rreth Asociacionit, por gjithsesi me kompetenca që bazohen vetëm në Kushtetutën e Kosovës, i ngjashëm me Asociacionet e ndryshme evropiane.
“Duke pasur parasysh një shtensionim të madh të situatës politike e të sigurisë në vend, pas atyre zhvillimeve dramatike e të rrezikshme në veri të vendit, tash është momenti që edhe Qeveria e Kosovës, por edhe lidershipi i gjerë politik i përfaqësuar në Kuvend, t’i marrin seriozisht mesazhet e BE-së që vijnë në adresë të shtetit tonë për perspektivën e Kosovës në BE, dhe përshpejtimin e procesit për përafrim dhe integrim”, përfundon eksperti Hajrullah Tërnava.
Ndryshe, tashmë themelimi i Asociacionit është bërë kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin Evropian.
Me këtë kusht të ndërkombëtarëve nuk po pajtohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.