Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka kritikuar ashpër kandidaturën që Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë në UEFA dhe FIFA, që së bashku ne Serbinë të jenë organizatore të kampionatit evropian për grupmoshat U21.
“Nuk kalon shumë kohë dhe ne dëgjojmë lajmin e radhës të hidhur të bashkëpunimit të ngushtë të shtetit shqiptar me shtetin e Serbisë, pa marrë parasysh asnjë sentiment apo interesat e vëllezërve tanë në Kosovë. U bënë 11 vite që mesatarisht çdo javë na jepet në tavë një lajm i tillë. Prej promovimit të librit “Kurbani” në Beograd, prej spektaklit të „Provokaciaa” e deri te lajmi i se Federate Shqiptare dhe Federata Serbe e Futbollit paskan aplikuar së bashku që kampionati evropian i vitit 1927 (duhet të bëhet fjalë për 2028-ën), të zhvillohet pikërisht në Shqipëri dhe në Serbi”, shprehet Bytyçi.
Sipas tij, Shqipëria para se të bëjë propozimin me Serbinë, është dashur që të flas së pari me Kosovën.
“Kur dikush shtroi pyetjen pse jo në Shqipëri e në Kosovë, thane se “Kosova nuk ka infrastrukturë të stadiumeve”! Por nuk thane se kanë biseduar apo jo me Federatën e Futbollit të Kosovës, apo me qeverinë e këtij vendi, nëse ato janë të gatshme ta përgatisin infrastrukturën e stadiumeve moderne. Unë besoj se Kosova do të sakrifikonte miliarda, nëse do të ishte pranuar për euro 2028. Por kush pyet? Sa Tirana, as Beogradi. Asnjëri prej këtyre kryeqyteteve ballkanike nuk pyet në Prishtinë. Prishtina është e huaj për Tiranën në të njëjtën masë sa edhe për Beogradin! Nuk është çudi që ndonjë ditë të njoftohemi se “Qeveria e Tiranës vendosi çnjohjen e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, se Kryeministri Kurti nuk ka pranuar projektin e Edi Ramës për Asociacionin”!”, thekson Bytyçi.
Siç thotë ai, ky veprim i FSHF-së, është fyerje për të gjithë shqiptarët.
“Kosova e çoi Shqipërinë dy here në kampionatin evropian, sepse ishin e janë lojtarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut ata shqiptarë që luajnë me zëmër për nderin dhe lavdinë e kombëtares së Shqipërisë. Por këto zemra dhe zemrat e tifozëve kuq e zi, të cilët në shumicë dërmuese janë nga Kosova, janë lënduar prej qeverisë shqiptare dhe Federatës së Futbollit. Një vendim i tillë është fyerje për integritetin dhe dinjitetin e futbollistëve kosovarë dhe nga shqiptarët e Maqedonisë që luajnë me kombëtaren tone. Është fyerje sidomos për tifozët kuq e zi, të cilët në vitin 2027 a 2028 do të duhet të rrihen me grushta në stadiumet e Serbisë. Dhe kjo për shkak të ambicieve për pushtet, lavdi e prestigj të Edi Ramës”, deklaron Bytyçi.
“Çdo vendim ka në substancën e vet në radhë të pare sentimentin e qytetarëve të një vendi të caktuar. Vetëm në Shqipëri substance e vendimeve që merren për të bashkëpunuar me Serbinë edhe në çështjet e sportit janë interesat personale të pushtetit të mafies që ka ndërtuar si piramidë deri te Federata e Futbollit, kryeministri i vendit dhe vëllai I tij, Olsi! Të marrësh një vendim për të bashkëpunuar me Beogradin pa e konsultuar me ata që fyhen në ndjenja, me ata që ta mbajnë gjallë frymën futbollistike, me ata që zbardhin stadiumet me plisat e bardhë, me ata që kanë viktimat e shkaktuara në oborretz e shtëpive, është krim i një krimineli gjakftohtë”.
Bytyçi thotë se vendimin për të kandiduar bashkë me Serbinë e ka marr kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Unë besoj se vendimi nuk është i Armando Dukës. Nuk e di pse e kam këtë bindje. Por Duka më e pakta në këtë rast mund të konsiderohet si bashkëpunëtor në krim. Vendimin e ka marrë vetëm kryeministri Rama. Pse Mand Duka ra dakord? Sepse të dy këta janë bashkuar kundër Erion Velisë. Duka ka një hesap, që njihet publikisht. Ramës i duhet ta pastrojë rrugën e trashëgimisë në PS nga Erion Velija. Duka pa Ramën nuk mund të merrte hak ndaj Erionit që ia kërcënoi edhe familjen kreut të Federatës së Futbollit. Prandaj u bashkuan. Dhe kur erdhi momenti i bashkëpunimit me Serbinë iu bind vëllait binjak të Aleksandër Vuçiq. Ndërkaq mund të them se ky lajm u publikua në këtë moment me qëllim që të tërhiqet vëmendja e opinionit publik nga skandalet e vjedhjeve dhe akteve mafioze të qeverisë së Tiranës”, thotë profesor Bytyçi.
“Por kur u mor vendimi për bashkëpunim me Serbinë, nuk ishte ky qëllimi. Rama dëshiron që të dëshmojë besnikëri ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe nga ana tjetër të japë një mesazh në Evropë, se “Shqipëria është faktor paqeje në rajon” dhe se për këtë shkak Evropa duhet ta shpërblejë me zgjatjen e kohës së qëndrimit në pushtet përtej vitit 2025. Mirëpo ia ka prishur arithmetikën rezultati i zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut dhe ndërrimi i pushtetit në këtë vend ish-aleat të Ramës dhe Vuçiq”, shpjegon më tej Bytyçi.
Sipas tij, Edi Rama po lufton për pushtet dhe lavdi në histori, ani pse duke shkelur gjakun e shqiptarëve të vrarë nga gjenocidi serb.
“Armando Duka përfiton në këtë rast se hy në histori si i pari shqiptar që jo vetëm e çoi kombëtaren shqiptare në kampionatin evropian, por edhe e solli këtë kampionat në vendin tone. Pra, ndërsa Rama Lufton për pushtet dhe lavdi në histori, Duke Lufton për lavdi e prestigj të shtuar! Në këtë kuptim, asnjëri nuk ka interes se Çfarë ndjejnë shqiptarët në Kosovë. Sa dëmtohen ata në prestigj, nder e sentimentin shpirtëror me këtë akt të qeverisë dhe federatës shqiptare të futbollit. Nuk kanë as zemër, as shpirt të bashkohen me dhimbjen e Kosovës, me vuajtjet e nënave, baballarëve, vëllezërve, motrave dhe grave të Kosovës për mijëra të masakruar e madje shumë prej tyre mbetur pa varr nga terrorizmi serb. Dhe kjo ende pa kërkuar ndjesë për aktet barbare në Kosovë që ka bërë Serbia. Fatkeqësisht këta jemi ne! E mira e armikut dhe e keqja e njëri-tjetrit! Madje për inat të vëllait bëjmë vëlla hasmin më të madh të kombit shqiptar, në këtë rast Serbinë genocidiste. E gjetshin me Zotin!”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.