Çështja e Kosovës dhe Serbisë mbetet ende një temë e pazgjidhur, një çështje që pavarësisht bisedimeve nuk ka një marrëveshje finale.
Është Serbia e cila po vazhdon të mos dëshirojë një marrëveshje finale pasi nuk po arrin të pranojë realitetin.
Mirëpo së fundmi është bërë me dije që ka nisur zbatimi i vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për konvertimin e patentë-shoferëve të strukturave ilegale serbe në patentë-shoferë të lëshuar nga shteti i Republikës së Kosovës.
Deri më tash kanë aplikuar 29 persona dhe ky numër sipas zyrtarëve pritet të rritet ditëve në vijim.
A kemi të bëjmë me një ‘dorëzim’ të ngadalët të Serbisë?
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Rexhep Elezaj.
Ai tha se konvertimi i patentë-shoferëve është mjaftë me vend, mirëpo që prapavija e kësaj mund të jetë më e thellë se që duhet.
Analisti shprehet skeptik për qëllimet e mira të Serbisë, duke u shprehur që Serbia dëshiron të kthehet në Kosovë duke përdorur këto lloj metoda.
“Pyetja juaj lidhur me konvertimin e patentë-shoferëve të strukturave ilegale serbe në patentë-shoferë të lëshuara nga shteti i Republikës së Kosovës, është mjaft me vend, por përgjigjja nuk është edhe aq e lehtë, për faktin, se kemi të bëjmë me një komunitet (serbët e Kosovës), i cili qe 25 vite ka qenë dhe vazhdon të jetë objekt i manipulimit dhe i destabilizimit të situatës në veri të Kosovës, dihet, me urdhra dhe direktiva nga padronët e tyre në Beograd, në krye me fashistin A. Vuçiq, duke refuzuar me ironi dhe nënçmim që ta pranojnë shtetin e pavarur të Kosovës. Andaj, nisur nga synimet e tyre hegjemoniste, antishqiptare dhe manipuluese kundrejt faktorëve ndërkombëtarë, Francës, Gjermanisë, SHBA-ve, etj., se ja, gjoja Serbia po i zbaton obligimet e marra në Bruksel, siç është pranimi i targave të automjeteve të Kosovës, me RKS, pajisja me leje njoftimi të Republikës së Kosovës, tani edhe marrja e patentë-shoferëve të shtetit të Kosovës, kurse në anën tjetër, gjithnjë me urdhër të A. Vuçiqit, policët dhe gjyqtarët serbë në veri para gati dy viteve i braktisën institucionet e Kosovës, bojkotuan zgjedhjet lokale për katër komunat në veri, problem i cili ende nuk është zgjidhur, bojkotimi i referendumit për shkarkimin e tre kryetarëve shqiptar me 21 prill, etj. etj., flet qartë se politika dhe strategjia serbe ndaj Kosovës mund t’i ndryshojë përkohësisht metodat dhe mjetet për arritjen e qëllimit final, e që është kthimi i Serbisë në Kosovë, synim dhe strategji nga të cilat serbët kurrë nuk do heqin dorë”, shpjegon analisti.
Më tej, ai thekson që pa një kërkim falje nga Serbia nuk mund të themi që do të ketë ‘dorëzim’ të saj.
“Prandaj, unë mendoj se serbët lokalë të cilët kanë filluar t’i ndërrojnë patentë-shoferët nga ato të Serbisë në patentë-shoferë të Republikës së Kosovës, këtë nuk e bëjnë se vërtetë kanë vendosur që ta njohin shtetin e pavarur të Kosovës, veçse për interesa të tyre personale me qëllim që të mund të lëvizin të lirë dhe pa pengesa në Kosovë, deri në çastin kur “një ditë të bukur me diell shteti i tyre mëmë, Serbia, të gdhijë në Kosovë e Metohi”, një ëndërr kjo shekullore e gjithë serbëve, të cilën, jam shumë i bindur, se nuk do mund ta realizojnë kurrë më në jetë..!? Andaj, duke marrë parasysh atë që u tha më lartë, unë nuk besoj se serbët “ngadalë” kanë filluar që ta njohin shtetin e Kosovës, si shtet të tyre, aq më pak se Serbia do dorëzohet para realitetit, se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, përderisa serbët dhe Serbia vazhdojnë të mos u kërkojnë falje publike dy milion shqiptarëve të Kosovës, ndaj të cilëve hiç më larg se para 25 viteve kanë kryer masakra dhe gjenocid të tmerrshëm ndaj tyre. Uroj të jem i gabuar në vlerësimin tim”, përfundoi Elezaj për “Bota sot”.