Dialogu Kosovë- Serbi nuk ka shënuar ndonjë progres, sidomos vitet e fundit. Kërkesa të vazhdueshme të ndërkombëtarëve që Kosova t’i respektojë marrëveshjet, ndërsa Serbia të amnistohet dhe të qëndrojë si “vëzhguese” bëjnë që të mos ketë optimizëm për zgjidhje mes vendeve.
Që nga 1 shkurti i këtij viti, rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), njeh euron si valutë të vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme.
Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.
Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re. Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik.
Që nga atëherë janë mbajtur 5 takime për zgjidhjen e kësaj çështjeje, por pa rezultat.
Në takimin e fundit të mbajtur në fund të muajit mars, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, u shpreh se Serbia kishte “qëndrime shqetësuese” sa i përket çështjes së transferimit të mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë.
Pas takimit me kryenegociatorin e Serbisë Petar Petkoviq në Bruksel, Bislimi kishte deklaruar se tani ndërmjetësi evropian Mirosllav Lajçak ka dalë me një propozim të ri rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje.
“Qëndrimi i palës serbe është që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë duhet të financohen, të vazhdojnë të financohen deri në kohën kur të krijohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], sepse sipas mendimit të tyre, qëllimi i Asociacionit nuk është që të sigurojë koordinim të mirë mes komunave, por të sigurojë legjitimizmin e pranisë së institucioneve serbe në Kosovë, që do t’i bënte ato institucione gjysmëserbe, por jo institucione të serbëve në Kosovë”, kishte thënë Bislimi.
Bislimi kishte treguar se sa i përket idesë së krijimit të një entiteti të ri biznesor në veri, në mënyrë që ndihma financiare të shkojë te përfituesit, përmes konvertimit të Postës serbe, Serbia ka parë këtë ide si “një lloj privatizim të postës” nga Kosova.
“Sigurisht, të gjitha këto propozime ishin shumë destruktive, prandaj Lajçak do të dalë me një propozim të ri dhe ne do të duhet të japim mendimet tona për këtë propozim në shtatë ditët e ardhshme”, ishte shprehur Bislimi pas takimit trepalësh.
Për çështjen e dinarit, ka folur për “Bota sot” publicisti serb, Zlatoje Martinov, i cili thotë se zgjidhja më e mirë është që Serbia t’i transferojë dinarët përmes Bankës Qendrore të Kosovës.
Sipas tij, Vuçiq nuk dëshiron qarkullimin e rregullt të parave (dinarëve), sepse i prish planet me strukturat kriminale të serbëve në Kosovë.
“Në lidhje me dinarin. Zgjidhja më e mirë është që Serbia t'i transferojë dinarët përmes Bankës Qendrore të Kosovës, për të parandaluar manipulimet mafioze me paratë e destinuara për serbët, të cilat deri më tani në mënyrë të pakontrolluar kanë mbushur xhepat e mafieve serbe nga Kosova, ndoshta Veselinoviqit dhe Radojçiqit. Por Vuçiq nuk dëshiron qarkullim të rregullt të parave (dinarëve) sepse i prish planet me strukturat kriminale të serbëve në Kosovë, të cilat i duhen për provokime të llojeve të ndryshme”, deklaron Martinov.
Kujtojmë se, shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel - rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Beogradi e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.