“Anashkaloi Kosovën dhe kënaqi apetitet e Vuçiqit”, diplomati shqiptar e zbulon: Ky personalitet i fortë ndaloi lojërat e Ramës!

Politika

“Anashkaloi Kosovën dhe kënaqi apetitet e Vuçiqit”, diplomati shqiptar e zbulon: Ky personalitet i fortë ndaloi lojërat e Ramës!

Nga: A.Zh Më: 11 maj 2024 Në ora: 12:09
Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq

“Marrëdhëniet midis dy shteteve të të njëjtit komb (Kosovë dhe Shqipëri), janë larg marrëdhënieve që priten dhe duhet të jenë”. Kështu ka vlerësuar ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Agim Nesho.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, Nesho fajin për këtë këto marrëdhënie, ia ka lënë kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Mendoj që përgjegjësinë kryesore për këtë situatë e kanë marrëdhëniet që ka krijuar z. Rama me Vuçiqin si dhe përfshirja e regjimit të Tiranës me projekte të rrezikshme për Ballkanin, që janë inicuar nga nacionalistët serbë, si ndryshimi i kufijve dhe Ballkani i Hapur”, ka thënë ai.

Sipas tij, Rama ka anashkaluar Kosovën për orekse të Serbisë, por projektet e tij, siç ka thënë diplomati, i ka ndalur kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

“Politikat anti-kombëtare të Ramës, që stabiliteti ballkanik mund të vendoset duke anashkaluar Kosovën dhe kënaqur oreksin nacionalist të Serbisë, kanë sjellë në këtë situatë. Për të qenë i dobishëm për skenarët e mësipërm, Rama e projekton veten sikur përfaqëson gjithë hapësirat shqiptare dhe si njeriu që influencon midis shqiptarëve, gjë që është ndaluar nga personaliteti i fortë i Albin Kurtit, i cili duke qenë sovranist nuk lejon lojëra politike në kurriz të çështjes shqiptare”, është shprehur më tej Nesho.

Ai parashikon se “rotacioni politik në Shqipëri mund të sjellë menjëherë përmirësim dhe zhvillim të këtyre marrëdhënieve”.

Lidhur me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, ka komentuar së fundmi edhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës dhe njëherazi nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj.

Sipas tij, marrëdhëniet mes dy shteteve aktualisht janë zero. Ai ka akuzuar kryeministrin Kurti, se e ka kthyer qeverinë e tij në një platformë që i përçan shqiptarët, duke përmendur zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut.

Sa i përket OpenBalkan, Hoxhaj ka thënë se ai e ka parë atë si një mundësi që shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut të të krijonin një kohezion ekonomik dhe shoqëror.

“Aktualisht marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë zero, përtej një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive. Mendoj se Kurti e ka bërë qeverinë e tij në një platformë që i përçan shqiptarët, E bëri këtë në zgjedhjet në Maqedoni së fundmi duke ndërhyrë.

Jam nga të rrallët që kam mbajtur qëndrim për Open Balkan. Kam qenë prej të parëve kur ka pasur një propozim si mini-Shengen e kam kundërshtuar si ministër. Sot në rrethanat ku është rajoni Ballkanin e Hapur duhet ta trajtojmë si temë në interes të shqiptarëve. Si e shoh unë nuk është në dimensionin rajonal tonin. Integriteti territorial i Kosovës varet shumë nga raporti me SHBA. Ku e shoh përparësinë është si shqetësim personal që sot kemi 3 republika pothuajse shqiptare në Ballkan, jemi 3 vëllezër me 3 shtëpi të ndryshme”, ka thënë Hoxhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat